“Zërat e kujtesës” (Volumi III)

Luljeta LLESHANAKU, Agron TUFA

Ky është vëllimi i tretë serisë së dëshmive në formën e intervistave me të mbijetuarit nga burgjet dhe kampet e internimit në periudhën komuniste. Ashtu si edhe në dy vëllimet e para, në këto dëshmi pasqyrohen me detaje ngjarjet dhe personazhet e asaj kohe, të gjitha format e shkeljes së të drejtave të njeriut, që nga arrestimet dhe internimet pa shkak, e deri tek trajtimi çnjerëzor në burgje dhe kampe.

Konkretisht, dëshmitë zbulojnë fakte të panjohura më parë mbi kampin e Internimit në Krujë, kampin e punës në Katër Rrugët e Shijakut, Kampet e vogla të punës në Gramsh dhe Vlorë, trajtimin e borgjezisë së madhe dhe të mesme nga komunistët pas lufte; internimin e kulakëve dhe diskriminim e tyre në tre breza, kushtet mizore të punës në minierën e Spaçit, si një nga shkaqet e shpërthimit të revoltës, menaxhimi i revoltës nga Ministria e Brendshme, ndëshkimet masive, trajtimet në hetuesi, etj. Në këtë vëllim i është dhënë hapësirë veçanërisht trajtimit të të miturve dhe grave, përndjekja e të cilëve jo vetëm ishte në kundërshtim të plotë me legjislacionin e vetë shtetit komunist, por ka kaluar edhe e padokumentuar.