30 gusht, 2017- “Historitë e patreguara të kampit të Tepelenës” -aktivitet përkujtimor
“Autoriteti për Informimin mbi Dokumentimin e Ish-Sigurimit të Shtetit”, në bashkëpunim me “Institutin e Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë”, “Institutin e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri” dhe Bashkine e Tepelenës, organizuan një aktivitet të përbashkët përkujtimor, për viktimat që vuajtën dënimin në kampet me tela gjatë regjimit komunist.
Drejtuesit e institucioneve përfaqësuese në këtë aktivitet, bënë një rezyme të historisë së këtij kampi, duke e krahasur me gulagun rus, të rrethuar nga varreza nga të gjitha anët, që janë edhe dëshmia më e dhimbshme e këtij kamppi. Sipas të dhënave të grumbulluara deri tani nga këto institucione, nga viti 1949 deri në vitin 1954, në këtë kamp vuajtën dënimin 3380 persona, kryesisht gra, të moshuar dhe të mitur, nga të cilët, një në tre, ishte nën moshën 14 vjeç.
Në këtë konferencë u shpall edhe nisma e Autoritetit, për shndërrimin e ish-kampit në një muze.
______________________________________________________________________________________________________
Kampi i Tepelenës 1949-1953- Auschwitzi i Shqipërisë.
Ky kamp u krijua në vitin 1949 mbas shpërnguljes së burgosurve nga kampi i Beratit. Ky kamp për nga vdekjet, brutaliteti dhe tmerri që përjetuan të burgosurit mund të krahasohet vetëm me kampin e shfarosejes Auschwitz që u përdor nga Nazistët për shfarosjen në masë të Hebrenjve në Poloni. Me punë të detyraur dhe vetëm më një copë të thatë dhe të papjekur buke misri në ditë, në kushte skandale higjenike ku për rreth 3000 persona kishte vetëm dy sapunë, filluan vdekjet masive të cilat nuk kursyen fëmijët e kampit ku rreth 400 prej tyre vdiqën që në vitin e parë. Në kamp ishin të internuar edhe fëmijë të vegjël nga mosha 3,5 e 7 vjeçare. Kush vdiste varrosej nga vetë të burgosurit pranë lumit në mënyrë që rrjedha herët a vonë të merrte varret për të mos lënë gjurmë.
UNË I MBIJETOVA TEPELENËS!”
Konferencë përkujtimore mbi kampet e internimit të komunizmit në Shqipëri, në përiudhën 1945-1954
Me rastin e botimit të vëllimit të tretë të “Fjalorit enciklopedik të viktimave të komunizmit”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer në Tiranë, me datë 6 nëntor, 2014, organizoi një konferencë të përbashkët me fokus: kampet e internimit në periudhën 1945-1954.
Aktiviteti, përveç të tjerash, ishte një homazh për gjithë viktimat e kampeve të internimit në Shqipërinë komuniste të kësaj periudhe, dhe që në mënyrë simbolike, u zhvillua në territorin e ish-kampit të Tepelenës, kamp i cili njihet tashmë si një nga kampet më famëkeq lidhur me trajtimin e pamëshirshëm dhe numrin e madh të viktimave.
Në këtë aktivitet ligjëruan: z. Agron Tufa, z. Thomas Schrapel, Ambasadori gjerman në Tiranë, z. Hofman, z. Aldo Bumçi, z. Romeo Gurakuqi, z.Tomorr Dosti dhe z.Lek Previzi. Ligjëruesit e vunë theksin sidomos mbi rëndësinë e evidentimit të krimeve të komunizmit dhe urgjencën me të cilën institucionet përgjegjëse për informimin publik dhe institucionet e së drejtës, duhet të reagojnë në zbardhjen e kësaj historie, si një distancim i domosdoshëm nga e shkuara në një shoqëri demokratike.
Me këtë rast, përveç promovimit te volumit të tretë të “Fjalorit encikolpedik të viktimave të komunizmit”, të pranishmit vizituan ekspozitën e improvizuar të z.Lek Pervizi, me skica dhe portrete nga kampi i Tepelenës, si të vetmet dëshmi vizuale të trashëguara nga ngjarja.