“Zërat e Kujtesës” Vëllimi I

Për fat, janë akoma të gjallë midis nesh mijëra të mbijetuar nga burgjet, kampet e punës, kampet e internimit, pa llogaritur pasardhësit e tyre, të cilët, edhe nëse nuk pësuan fatin e ashpër të të parëve, provuan padrejtësi të tjera në emër të tyre. Dhe ky kontigjent, përbën edhe bazën më të rëndësishme të informacionit mbi historinë e komunizmit në Shqipëri, ose anën e pashkruar e të palegjitimuar akoma, të kësaj historie. Këtu konsiston edhe projekti afatgjatë “Zërat e kujtesës”, i konceptuar si një kolanë botimesh të dëshmive të dhëna nga vetë viktimat dhe dëshmitarët e ngjarjeve.

Elie Wiesel, i mbijetuari i tri kampeve të përqëndrimit (Auschwitz, Buna, dhe Buchenwald), shkrimtar dhe fitues i Çmimit “Nobel” për Paqe në vitin 1986, duke iu referuar të mbijetuarve të holokaustit, thotë se “çdo i mbijetuar ka shumë më tepër se çfarë të thotë për atë që ka ndodhur, se të gjithë historianët bashkë.” Dhe në një kohë, që numri i të mbijetuarve sa vjen dhe po zvogëlohet (për shkak të moshës dhe për shkak të emigrimit), mosmarrja në kohë dhe në mënyrë urgjente e këtyre dëshmive, rrezikon kauzën e ISKK-së për zbardhjen dhe rishkrimin e historisë së krimeve të komunizmit, që nuk duhet të ishte vetëm kauza e një instituti studimesh, por një nga kauzat e një shoqërie, e cila është e interesuar të distancohet nga një e shkuar kompromentuese, përmes një procesi transparence historike dhe gjykimi objektiv të ngjarjeve.

Ky projekt, më shumë se çdo iniciativë tjetër, krijon antropologjinë e regjimit komunist në Shqipëri. Projekti bazohet në përshkrimin cilësor më tepër se atë statistikor, i cili vjen përmes përvojave individuale, ku detajet, situatat konkrete, konteksti, personazhet realë të përfshirë në to, e bëjnë jo vetëm të pakontestueshme ekzistencën e krimeve të komunizmit, por, ndihmojnë edhe analizën dhe interpretimin e mënyrës se si funksionoi ai sistem.

Autorët: Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa

“Zërat e kujtesës”, vëllimi II

Përgatitën për shtyp: Luljeta LLESHANAKU, Miran BUTKA

Në mungesë të një pjese të madhe të dokumentacionit zyrtar, dëshmirë e gjalla të të mbijetuarve nga burgjet, kampet e punës, kampet e internimit, marrin një rëndësi të veçantë për zbardhjen e historisë së krimeve të komunizmit në Shqipëri. Ndërkohë që ISKK po krijon arkivën audio-vizuale të dëshmive të të mbijetuarve, paralelisht me të po krijon kolanën e e botimit të tyre, që përbën edhe bazën më të rëndësishme të informacionit mbi historinë e komunizmit në Shqipëri, ose anën e pashkruar e të palegjitimuar akoma, të kësaj historie. Këtu konsiston edhe projekti afatgjatë “Zërat e kujtesës”, i konceptuar si një kolanë botimesh të dëshmive të dhëna nga vetë viktimat dhe dëshmitarët e ngjarjeve.

Për këtë libër është ndjekur metodologjia e dëshmive të holokaustit, me intervista të gjata dhe të detajuara si përjetues të drejtpërdejtë të persekutimit dhe si dëshmitar të tij. Për nga forma, këto intervista afrojnë më tepër me një qasje antropoligjike ndaj fenomenit. Projekti bazohet në përshkrimin cilësor më tepër se atë statistikor, i cili vjen përmes përvojave individuale, detajeve, situatave konkrete, kontekstit, personazheve realë të përfshirë në to, që e bëjnë përgjithësisht të pakontestueshëm rrëfimin.

Vëllimi II i “Zërave të Kujtesës”, hedh dritë kryesisht në këto momente: historinë e e trakteve antikomuniste, natyrën spontane dhe viktimat e këtij fenomeni; impaktin e Revulucionit hungarez në Shqipëri; skema e internimeve masive në jug (Berat, Kuçovë, Tepelenë) nga viti 1945-1954; kushtet e rënda të punës dhe mbijetesës në kampin e Tepelenës; kampet e punës në Maliq, Gocë dhe Beden të Kavajës; torturat ndaj tregtarëve dhe ish pronarëve të pasur në hetesuesi dhe format e presionit të përdorura prej tyre për të dorëzuar pronat; trajtimet në hetuesi si forma shantazhi; qëndrimin e shtetit komunist ndaj kulakëve; burgu i Burrelit, Bulqizës, në periudha të ndryshme.

Zërat e Kujtesës Vëllimi III

Luljeta LLESHANAKU, Agron TUFA, Miran Butka

Ky është vëllimi i tretë serisë së dëshmive në formën e intervistave me të mbijetuarit nga burgjet dhe kampet e internimit në periudhën komuniste. Ashtu si edhe në dy vëllimet e para, në këto dëshmi pasqyrohen me detaje ngjarjet dhe personazhet e asaj kohe, të gjitha format e shkeljes së të drejtave të njeriut, që nga arrestimet dhe internimet pa shkak, e deri tek trajtimi çnjerëzor në burgje dhe kampe.

Konkretisht, dëshmitë zbulojnë fakte të panjohura më parë mbi kampin e Internimit në Krujë, kampin e punës në Katër Rrugët e Shijakut, Kampet e vogla të punës në Gramsh dhe Vlorë, trajtimin e borgjezisë së madhe dhe të mesme nga komunistët pas lufte; internimin e kulakëve dhe diskriminim e tyre në tre breza, kushtet mizore të punës në minierën e Spaçit, si një nga shkaqet e shpërthimit të revoltës, menaxhimi i revoltës nga Ministria e Brendshme, ndëshkimet masive, trajtimet në hetuesi, etj. Në këtë vëllim i është dhënë hapësirë veçanërisht trajtimit të të miturve dhe grave, përndjekja e të cilëve jo vetëm ishte në kundërshtim të plotë me legjislacionin e vetë shtetit komunist, por ka kaluar edhe e padokumentuar.