“Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist “
Hartimi i këtij fjalori enciklopedik, niset nga një ide e thjeshtë: në mbarim të çdo lufte, veprimi i parë që kryhet, është numërimi i viktimave, hartimi i një liste zyrtare të viktimave. Nën një rregjim terrori, i cili zgjati për afër 50 vjet, përmasat e plojës tejkalojnë çdo betejë të thjeshtë. Prandaj, duke patur parasysh se nuk ekziston një detabazë e plotë e viktimave që shkaktoi përsekutimi komunist (përveç të dhënave të vitit 1993) që nga prishjes e marrëveshjes së Mukjes, ISKK vendosi të fillojë projektin e këtij Fjalori në dumbëdhjetë vëllime plus një vëllim me shtojca e plotësime. Më këtë projekt të Fjalorit, ne synojmë, përveç një evidentimi të viktimave që iu nënshtruan represionit ideologjik dhe luftës së klasave, edhe nevojën për krijimin e një detabaze të të dhënave të plota mbi qytetarët e persekutuar politikisht nga regjimi.
Ky Fjalor Enciklopedik merr në shqyrtim të imtësishëm pa përjashtim çdo qytetar që iu nënshtrua përndjekjes direkte, pavarësisht nga funksionet apo përkatësia social-politike që ka patur para dhe gjatë regjimit komunist.
Fjalori do t’u përmbahet rigorozisht kritereve të mëposhtme metodologjike:
- Neutraliteti në trajtimin e thukët të informacionit për çdo njësi (zë) të Fjalorit, duke respektuar stilistikën adekuate të Fjalorëve enciklopedikë të këtyre llojeve dhe duke shmangur subjektivitetin në trajtimin e informacionit. Për këtë qëllim janë konsultuar disa modele të Fjalorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke patur parasysh specifikat e rasteve shqiptare .
- Pasqyrimi sipas niveleve të rëndësisë së çdonjërit zë (njësi). Rëndësia si koncept në trajtimin e zërave rrjedh vetvetiu nga shkalla e aktivitetit dhe informacion biografik të secilit të persekutuar. Kësisoj paraqitja e zërave në Fjalor, është realizuar në tre shkallë: a) ish-funksionarë politikë (ministra, zv/ministra, deputetë, ambasadorë të shtetit shqiptar para dhe pas vitit 1944); b) klerikë, intelektualë – kundërshtarë të regjimit; c) qytetarë të thjeshtë, që në një mënyrë a në një tjetër iu nënshtruan persekutimit komunist.
- Paanësia dhe rezervimi në etiketime apo dhënie konsideratash subjektive në raport me personalitetin apo domethënien e secilit prej personave të përfshirë në të.
- Ndërmjetësia e detyrueshme e «Dëshmive të penalitetit» për çdo zë, si provë e konfirmuar juridike e dënimit zyrtar nga shteti komunist. Për rastet kur këto dëshmi mungojnë (pushkatimet pa gjyq), kemi shfrytëzuar burime të tjera dokumentare dhe memuaristike të dëshmitarëve dhe familjarëve të viktimave («Gazeta zyrtare», gazetat e kohës pa përjashtim, Listat e të Pushkatuarve të hartuara në Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjithë format e tjera të dëshmive memuaristike).
- Seleksionimi nga dosjet gjyësore i atyre rasteve që përbëjnë krim shtetëror për standardet politike të asaj kohe (tradhëti ndaj atdheut me gjithë larminë e akuzave, që përbënin bazën ligjore të këtij «krimi», agjitacion propagandë, sabotim dhe dëmtim i pronës socialiste plus përvetësim pasurie, dekadentizëm, degradim moral, shfaqe të huaja dhe ndikim nga bota borgjezo-revizioniste, përmbysje me dhunë e pushtetit popullor, diversion, tentativat për atentate, revizionizëm, oportunizëm, liberalizëm brenda PPSH, etj., etj.).
- Respektimi, kriticizmi dhe përqasja e çdo burimi të informacionit për çdo zë.
Grupi i Punës : Çelo Hoxha, Azem Qazimi, Brunilda Doçi, Juliana Kurti, Daniela Runa, Kol Kamsi