“Letërsia e penguar dhe mitet e saj”

Yzedin HIMA

Është një studim që merr në shqyrtim produktin letrar që nuk arriti dot të komunikojë me lexuesin në kushtet e dogmës zyrtare soc-realiste. Studimi është një tezë e mbrojtur doktorate në Fakultetin Filologjik.

Në këtë punim autori trajton çështjen e ekzistencës së një letërsie tjetër, krahas “Letërsisë së realizmit socialist” në Shqipëri gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, e njohur si “Letërsisi e penguar”. Autori sjell argumente se kjo letërsi ekziston edhe si rrjedhë e veçantë me një sens të kundërt si shkrimtari me letërsinë zyrtare. Autori jep një shpjegim se pse e kemi emërtuar këtë letërsi me termin “Letërsi e penguar”. Më tej ai argumenton se kjo letërsi zë një vend të rëndësishëm në mozaikun e “Letërsisë shqipe” si vazhdim i “Letërsisë së modernitetit”, letërsi e ndërprerë dhunshëm nga metoda e realizmit socialist, por që vijoi rrjedhën pikërisht në kushte ilegale ose gjysëm ilegale.

Autori sjell fakte se kjo letërsi u krijua në burgje, por edhe jashtë tyre: u botua dhe u ndalua, por edhe u fsheh për t’i shpëtuar asgjësimit; u krijua, u shkrua dhe qëndroi e strukur sirtareve, por pati raste që u krijua, por nuk u shkrua, për t’u shkruar më vonë. Autori argumenton edhe që tekstet e kësaj letërsie patën fatin e autorëve, pasi ata u dënuan me burg ose u pushkatuan, kure tekstet e tyre letrare u arkivuan në dosjet e policisë. Mjaft vepra humbën për shkak të frikës së zbulimit, u grisën nga autorët apo të afërmit e tyre për shkak të përndjekjes. Mjaft tekste u krijuan, por nuk u shkruan kurrë për arsye të njëjta.

Në fokus të këtij studimi janë këta shkrimtarë: Arshi Pipa, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, Zef Zorba, At Zef Pllumi, Mihal Hanxhari, Jamarbër Marko, Vilson Blloshmi, Trifon Xhagjika, Maks Velo, Havzi Nela, Pano Taçi, Zyhdi Morava, Sadik Bejko, Ylljet Aliçka etj.

Studimi shoqërohet edhe me një mini-antologji.