25 shkurt 2017: Aktivitet përkujtimor për 22 të pushkatuarit e vitit 1951
Në përkujtim të 26 shkurtit 1951, ngjarjes së Bombës në Ambasadën Sovjetike prej të cilës u pushkatuan 22 persona të pafajshëm, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, organizoi një aktivitet përkujtimor shoqëruar me homazhe në varret e viktimave. Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues nga shoqatat e ish të përndjekurve politikë, familjarë dhe media.
______________________________________________________________________________________________________
Në mesnatën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj 22 intelektualë të shquar të Tiranës dhe Shqipërisë, me vendim të Byrosë Politike të KQ të PPSH, me pretekstin e plasjes së një sasie të vogël dinamiti të hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë nga një organizatë antisovjetike, por që s’kishte asnjë lidhje me të pushkatuarit.
Njëzet e dy intelektualët e pafajshëm, mes tyre edhe Sabiha Kasimati, shkenctarja e parë shqiptare, u ekzekutuan në mesnatë në breg të lumit Erzen, ku u groposën me fshehtësi në një varr të përbashkët.
Familjet e tyre u internuan në kampet e përqëndrimit të Tepelenës, Vlorës etj.
26 shkurt, 2011
Konferenca shkencore mbi “Ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike”
Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit organizoi një konferencë shkencore mbi “Ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike”, si një nga format e genocidit komunist në Shqipëri, dhe si një pretekst për eleminimin e intelektualëve pro-perëndimore si kundërshtarë të tij politikë.
Në konferencë, si nga studiuesit ashtu edhe nga të afërmit ë viktimave, u sollën fakte të reja të lidhura me ngjarjen.
27 shkurt, 2013
“Në emër të pafajësisë”
Tubim përkujtimor me rastin e masakrës komuniste të 26 shkurtit 1951
Në ambjentet e Muzeut Historik në Tiranë, Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit, organizoi një tubimi përkujtimor me rastin e masakrës komuniste të 26 shkurtit 1951, ku u pushkatuan pa gjyq 22 intelektualë pro-perëndimorë. Studiues të ndryshëm, historianë dhe familjarë të viktimave, risollën në vëmendje ngjarjen, përmes fakteve të njohura por edhe të reja të zbuluara gjatë viteve të fundit.
Një pjesë të ligjëruesve u ndal në terrorin që pasoi masakrën e 26 shkurtit, jo vetëm në radhët e familjeve të viktimave, por, në efektin që pati në gjithë shoqërinë shqiptare, si diçka që zbuloi hapur fytyrën e regjimit të ri, të vendosur për të ruajtur me çdo kusht pushtetin, duke shkelur të gjitha normat morale dhe njerëzore.
Gjatë seancës së dytë të tubimit, u shfaq për herë të parë filmi dokumentar me titull “Në emër të pafajësisë”, i realizuar nga gazetarja Beti Njuma dhe pruksion i “Top-Channel”, i cili trajton pikërisht këtë ngjarje.
Konferencë Ndërkombëtare “Bomba në ambasadën sovjetike: alibia dhe pasojat”
26.02.2016
Me rastin e 65 vjetorit te masakrës me shkas “Bombën” në Ambasadën Sovjetike, ku 22 intelektualë pro- perëndimorë u arrestuan dhe më pas u pushkatuan pa gjygj, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë në Universitetin e Tiranës, dhe me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës, organizuan konferencën ndërkombëtare “Bomba në ambasadën sovjetike: alibia dhe pasojat”. Konferenca u organizua ne ambjentet e Presidencës me pjesmarrjen e profesorëve të Universitetit të Tiranës, ambasadave, intelektualëve e politikanëve dhe me pjesmarrjen e Dr. Anna Kaminsky (Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shtetëror Gjerman për Trajtimin e Periudhës së ish Diktaturës Komuniste), e ftuar nderi nga Instituti.
Fjala hapëse u mbajt nga Drejtori Ekzekutiv i ISKK , Z.Agron Tufa. U mbajtën kumtesa nga Znj Enriketa Pandelejmoni Papa , lektore e Faklutetit të Historisë; nga Z. Uran Butka, studiues, autori librit “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, Z. Gezim Peshkepia familjar i viktimave dhe i persekutuar politik, Z. Rigles Lenja përfaqësues i studentëve. Gjithashtu ambasadori i Republikës Federale Gjermane Sh.T Hellmut Hoffman dhe Ambasadori i OSBE Sh.T Florian Raunig, mbajtën një fjalë përshëndetëse. Fjala mbyllëse u mbajt nga Presidenti i Republikës Sh.T, Z.Bujar Nishani i cili dekoroi me medaljen “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut” familjet e 22 intelektualëve te pushkatuar. Instituti falenderoi të gjithë pjsemarrësit dhe në veçanti Dr. Anna Kaminsky dhe Dr. Sabine Kuder për mbështetjen procesit të transparencës ndaj të shkuarës komunistë në Shqipëri, në planin ndërkombëtar.