Për pothuajse një gjysëm shekulli , Shqipëria vuajti formën më të egër të sistemit komunist në Europë, pas Luftës së Dytë Botërore. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore , Shqipëria u shpall Republikë Popullore dhe Enver Hoxha, udhëheqës i saj. Ai e udhëhoqi vendin deri në vdekje, në 1985, dhe instaloi sistemin më shtypës në Europën Lindore. Hoxha, një mik dhe ndjekës i Stalinit, nuk besonte në lirinë e fjalës dhe të mendimit. Në vend të saj, Hoxha zgjodhi pavarësinë dhe izolimin e Shqipërisë. Bunkerët, si shenjat e paranojës së tij ose si mjetet e imponimit të një ksenofobie kolektive, ekzistojnë edhe sot e kësaj dite, të shpërndarë në të gjithë vendin.
Ndërkohë që ekonomia dhe industria pësuan një rënie të vazhdueshme, arritjet e teknologjisë së huaj dhe zhvillimet saj, u mbajtën larg nga ekonomia shqiptare. Me qindra njerëz të pafajshëm u pushkatuan; mijëra u burgosën dhe u dëbuan; familje të tëra u persekutuan me pretekstin e “devijimit nga linja partiake”. Si rezultat, Shqipëria ngeli vendi më i izoluar dhe i varfër në Europë , për shkak të politikave armiqësore të pushtetarëve komunistë ndaj “perëndimit imperialist” dhe “lindjes revisioniste”.
Me qëllim që të zbatonte programin e tij radikal, Hoxha përdori taktika brutale staliniste , duke filluar që nga zbatimi i reformave komuniste në ekonomi, reforma me anë të të cilave, jo vetëm u bë shpronësimi i popullsisë dhe krijimi i pronës kolektive, por, edhe u krijua një klasë “armiqësore” e përfaqësuar nga ish-pronarët e ligjshëm në qytet dhe fshat (zotëruesit e asaj pak ekonomie të trashëguar nga lufta), si edhe krerët e klaneve rurale, të cilët i rezistuan me sa mundën këtij transformimi.
Reformat në ekonomi u shoqëruan edhe me një reformë brutale në aspekte të tjera të jetës në vend. Një ndër fushatat të cilat dëshmuan më së qarti natyrën çnjerëzore të sistemit, ishte Revolucioni Kulturor , si pasojë e të cilit, u shkatërruan të gjithë objektet e kultit, u ndalua me ligj praktikimi i fesë dhe kultura iu nështrua krejtësisht censurës politike dhe propagandës komuniste. Orvatjet kulturore dhe intelektuale u vunë në shërbim të socializmit dhe të shtetit.
Si një nacionalist i flaktë i tipit komunist, Enver Hoxha, preu marrëdhëniet edhe me shtetet komuniste që kërcënonin pushtetin e tij.
Bazuar në “Librin e zi të totalitarizmit” dhe në “Totalitarizmi i shekullit të 20”, nga krahasimi i Shqipërisë me vendet e tjera të Evropës Lindore, rezulton që numri i të përndjekurve dhe përhapja e krimit komunist në raport me numrin e popullsisë në Shqipëri, është më i lartë se në vendet e tjera.
Sistemi totalitar në Shqipëri: pse ishte ndryshe?
Komunizmi shqiptar është më i njohuri për formën e pazakontë, duke u shfaqur si një version tjetër i Marksizëm-Leninizmit anti-revizionist, evidentuar më pas, në përplasjen ideologjike midis Partisë Komuniste të Kinës dhe Partisë së Punës së Shqipërisë, në 1978. Kështu, shqiptarët u shfaqën si një tendencë e re ndërkombëtare. Kjo tendencë do vendoste kufij për mbrojtjen e rreptë të trashëgimisë së Josif Stalinit, përmes kritikave të egra ndaj gjithë grupimeve të tjera komuniste revisioniste. Enver Hoxha duke kritikuar Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Sovietik dhe Kinën, deklaroi, që nuk ishte social-imperialist dhe në përgjigje dënoi pushtimin e Çekosllovakisë nga Sovietikët, duke u tërhequr nga pakti i Varshavës. Hoxha e deklaroi Shqipërinë si i vetmi shtet legjitim, i bazuar në Marksisëm –Leninizmin, pas 1978. Shqiptarët gjetën mbështetje të gjërë tek disa rryma Maoiste kryesisht në Amerikën Latine, si në ushtrinë popullore çlirimtare Marksiste-Leniniste të Partisë Komuniste të Ekuadorit,etj. Madje kjo tendencë, ka qenë herë pas here etiketuar si “Hoxhaism” .
Sistemi shqiptar totalitar komunist, ishte i ngjashëm me atë të vendeve të tjera të Europës Lindore, por, edhe i ndryshëm në disa aspekte. Disa karakteristika të tij janë:
1. Ishte vendosur përmes një lufte çlirimtare me disa elementë të luftës civile (si në Jugosllavi)
2. Ishte më i gjati dhe më i rëndi i stilit stalinist.
(Ekzekutimet, torturat , burgosjet, keqtrajtimet në masë për shkaqe politike dhe dëbimet e familjeve të vetë të burgosurve, vazhduan deri në fund të ‘80.)
3. Zbatoi reforma ekstreme të tilla, si:
– konsfikimi total i pronës private
– ndalimi i ushtrimit të profesionit privat
– ndalimi i besimit
4. Zhvilloi një luftë shumë të egër klasore.
5. Ishte i vetmi vend komunist në Europë i cili aplikoi modelet kineze të totalitarizmit në stil jetese, kulturë, art, politikë, etj
6. E izoloi vendin totalisht ndaj botës së jashtme.
Llojet e persekutimeve politike:
Ndëshkimet :
-Dënimi me vdekje
-Burgimi deri në 25 vjet
-Dëbim (që shoqëron ndëshkimet e mësipërme)
Dënimi administrativ:
– Dëbim
– Punë e detyruar
– Privim i të drejtës së ushtrimit të profesionit (duke perfshirë artin dhe sportin)
– Shkarkimi nga pozicioni lartë
– Transferim
– Presion për divorc
– Përjashtim nga universitetet
– Privim nga e drejta për pension
Këto dënime nuk ishin dhënë vetëm për “aktivitetet” ndaj shtetit ose Partisë, por, dhe për shfaqjen e ideve politike të ndryshme nga “vija e Partisë”, ose shfaqje të një stili “borgjezo-revisionist” jetese.