KRIJIMI I NJË DATABASE-I MBI VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

Projekt afatgjaatë

2011-2023

Shtator 2016- shtator 2017

Përshkrimi i projektit

Në vitin 1993-1995, nga Komiteti i Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë dhe filialet e tij nëpër rrethe, u arrit të bëhej një regjistrim i individëve të persektuar në bazë të dokumentacionit mbeshtetës nga Ministria e Puneve të Brendshme, dhe Ministria e Drejtësisë. Dhe mbi këto të dhëna u bë përcaktimi i statusit të përsekutuarve sipas kategorive, që do të shërbente më vonë edhe si bazë dokumentuese, për shpërblimin e tyre financiar. Por, ky regjistër është i paplotë, sepse është ndërtuar në bazë të kërkesave të interesuarve, jo në bazë të një studimi shterues mbi baza shkencore. Nga kërkimet e deritanishme të ISKK, numri i të dënuarve të të gjitha kategorive, është shumë herë më i madh se shifra aktuale zyrtare. Nga ana tjetër, statisikat e deritanishme, përveçse të paplota, janë të pa-aksesueshme nga publiku.

Një nga projektet afatagjatë të ISKK, është pikërisht krijimi i një databaze, me të dhëna zyrtare mbi të dënuarit, format e dënimeve, kohëzgjatjen e dënimeve, dhe vendimet me të cilat janë bërë këto dënime. Drejtoria e Arkivës ka ngritur një grup pune për mbledhjen, pasurimin dhe organizimin e informacionit.

Grupi i punës i ngarkuar për krijimin e database-s, mbledh informacion për personat të cilët, u dënuan politikisht që nga viti 1944 kur komunizmi u instalua, e deri në vitin 1991, me rënien e tij.

Në këtë database, përfshihen:

  1. Të ekzekutuarit, të vdekurit në burgje.
  2. Të burgosurit
  3. Të internuarit në kampet me tela
  4. Të internuarit në kampet e punës
  5. Të dëbuarit.

Për hartimin e këtij database, grupi i punës i referohet:

  1. Dokumenteve të marra nga Instituti i Integrimit të Ish- të Përndjekurve Politikë
  2. Dokumenteve të Ministrisë së Drejtësisë
  3. Dokumenteve të arkivës së Ministrisë së Brendshme
  4. Dokumenteve arkivore në Drejtorinë e Arkivave të Shtetit
  5. Dokumenteve të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
  6. Studimeve akademike
  7. Shtypit zyrtar të periudhës 1944-1991
  8. Fletores zyrtare
  9. Arkivave të huaja
  10. Arkivave të shoqatave shqiptare në ekzil
  11. Arkivës së Ministrisë së Jashtme
  12. Dëshmive të ish të persekuarve politike dhe bashkvuajtjsve të tyre
  13. Dokumenteve në Bibliotekën Kombëtare
  14. Studimeve akedemike të universiteteve të huaja mbi këtë temë.

Procesi i hartimit të të dhënave

Konkretizimi i kësaj baze të dhënash, kalon nëpër disa faza:

–              Grumbullimi i të dhënave

–              Verifikimi dhe përpunimi i të dhënave

–              Pasurimi i të dhënave

–              Organizimi i të dhënave në bazë indeksi

–              Dixhitalizimi i të dhënave

–              Programimi i aksesit publik në database-n elektronike

–              Botimi i plotë i gjithë kolanës së “Fjalorit të viktimave të terrorit komunist”

Qëllimi i projektit:

Qëllimi i këtijj projekti është evidentimi dhe dokumentimi i të gjithë individëve që vuajtën persekutimin politik në komunizëm.

Objekivat e projektit:

–              Evidentimi i plotë i të gjithë të dënuarve të ndëshkuar me ekzekutim, burgosje, internim dhe dëbim nga regjimi komunist.

–              Identifikimi sasior dhe cilësor i të gjitha llojeve të dënimeve të aplikuara

–              Krijimi i aksesit publik online në këtë database

–              Botimi i gjithë informacionit në një kolanë të titulluar “Fjalori i viktimave të terrorit komunist”

  1. Grupi i punës:

Çelo Hoxha (drejtues), Azem Qazimi, Leka Ndoja, Brunilda Doçi, Juliana Kurti, Kolë Kamsi, Ada Sinani, Daniela Runa, Alvin Saraçi, Ada Sinani, Zoica Graçi.

  1. Projekti i Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist

Siç u përmend më lart, puna për krimin e database-s, ka filluar me krijimin e Institutit, duke grumbulluar gradualisht të dhënat. Kërkimi i të dhënave shkon paralelisht me hartimin e “Fjalorit të viktimave të terrorit komunist”.

Gjatë vitit 2018, Drejtoria e Arkivës realizoi vëllimin 7 të Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, shkronjat Q, R, Rr, S, i cili u botua në tetor duke grumbulluar ndërkohë dokumente arkivore në lidhje me objektin e studimeve të ISKKK.

Për këtë numër u konsultuan dhe radhitën (zbardhën) rreth 5000 dokumente: deklarata personale, vendime gjyqi, vendime të Komisionit tre palësh; këto dokumente janë grumbulluar nga punonjësit e arkivës dhe gjenden në arkivën elektronike të ISKK. Veç këtyre janë shfrytëzuar dhe materiale të botuara si gazeta, libra, etj., të cilat janë dhënë me referenca të sakta në vëllimin e botuar.

Puna u zhvillua në dy faza: e para, përzgjedhja e dokumneteve përkatëse për vëllimin nga grupi i përgjithshëm i dokumenteve, rreth 62 mijë dokumente elektronike (dokumente origjinale të fotografuara); e dyta, dokumentet e përzgjedhura (rreth 5000) u radhitën. Proces tjetër ishte redaktimi i materialit që u bë nga dy redaktorët përgjegjës për përgatitjen e enciklopedisë.

Specialistët e arkivës kanë punuar gjithashtu për gjetjen e emrave të mundshëm që nuk janë përfshirë në enciklopeditë e mëparshme, sepse, siç dihet, ne nuk i kemi pasur në dispozicion dokumentet në mënyrë shteruese, dhe në bazë të dokumenteve të reja që gjejmë, mundohemi të bëjmë plotësimet e mundshme.

Gjatë viti të kaluar kemi grumbulluar dhe një numër të konsiderueshëm në lidhje me internimet, kryesisht bazën ligjore, me synimin për përgatitjen e një vëllimi shterues në lidhje me këtë temë.

Grupi i punës:

Çelo Hoxha (redaktor), Kolë Kamsi (redaktor), Brunilda Doçi, Juliana Kurti, Daniela Runa, Ona Iliazi, Zoica Graçi

  1. Projekte në proces:

Gjatë vitit, është punuar edhe në kërkimin dhe përpunimin e  dokumentacionit mbi tema të caktuara:

  1. Zbardhja e dokumentacionit të Kryengritjes së Zhapokikës, të marrë nga Autoriteti i Informimit për Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit – Çelo Hoxha
  1. Përpunimi i dokumentacionit mbi “Komitetin Ushtarak të Delvinës”, nga AQFA- Leka Ndoja
  1. “Nikollë Dakaj, mes perkthimit dhe proceseve politike” monografi. Kronologji e platformave politike, të Sigurimit të shtetit, dhe të DMP sipas Historikut së Armës të Sigurimit Shtetit – Leka Ndoja
  1. Kalendari bazë i krimeve të komunizmit; axhendë- Leka Ndoja
  1. Bibliografi e vdekjeve në kampet e Kënetës së Maliqit- Leka Ndoja

Ndërkohë, nga Drejtoria e Arkivës i është bërë kërkesë Autoritetit të Informimit për Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, për këto dosje, por nuk ka marrë akoma përgjigje:

– Arkivi i ish Sigurimit të shtetit, vitet 80. Urdhër i ish-ministrit të Brendshëm Hekuran Isai

– Dosje formulare 5076 nga arkivi i Ministrisë së Brendshme.

– Platforma e sigurimit e vitit 1948, 1958, 1986, 1987; Historiku i Sigurimit

– Dosje nga arkivi i Ministrisë së Brendshme: Fondi 4 (Shtabi)