“Zërat e kujtesës”, vëllimi V

Luljeta LLESHANAKU, Agron TUFA

Ky është botimi i radhës i ISKK, në të cilin përmblidhen dëshmi të transkriptuara të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet e internimit në regjimin komunist. Rrëfimet janë të ndërtuara mbi bazën e intervistave, të cilat janë të arkivuara në formë audio-vizuale, dhe që zgjasin nga një orë deri në shtatë orë për secilin prej tyre. Dëshmuesit e përfshirë në këtë vëllim janë: Adriatik Agolli, Musa Çapani, Rudina Dema, Zenel Drangu, Tanush Kaso, Kurt Kola, Zef Lleshi. Përmes përvojave të tyre personale, të intervistuarit zbulojnë fakte, detaje, emra, në lidhje me burgun e Spaçit, Burgun e Burrelit, Burgun e Ballshit, Kampin e Punës së Superfosfatit në Laç, Kampin e internimit në Berat dhe Tepelenë, Kampin e Internimit na Katër Rrugët e Shijakut dhe në Kamzë, si edhe kampe të tjera pune më pak të njohura si ai i Fabrikës së Çimentos në Fushë Krujë, Fabrikës së Çimentos në Elbasan, Burgut të Bulqizës, Burgun e Zejmenit, etj.

Aspekte të tjera që zbulohen gjatë këtyre dëshmive janë edhe metodat e inskenimit të proceseve gjyqësore dhe kthimi i të arratisurve nga Ish-Jogosllavia, mbi marrëveshje sekrete për të cilat nuk ka evidenca, ose që nuk janë zbuluar akoma.

Nga ana jetër, tre prej dëshmuesve kanë qenë në moshë të mitur kur janë internuar, dhe dëshmia e tyre ofron një bazë të rëndësishme informacioni për një nga shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut në shtetin komunist: dënimin e paligjshëm të të miturve.