Hektor SHËNEPREMTE
Bëhet fjalë për një përmbledhje me poezi të Hektor Shenepremtes, që janë poezi të shkruara në burg e internim. Ky dorëshkrim, pa dritën e botimit, falë iniciativës së zotit Neritan Ceka, mikut të tij të fëmijërisë, i cili i mblodhi dhe ia ofroi ISKK.
Hektor Shënepremte, i përket njërës nga familjet më të persekutuara nga regjimi komunist, e ndëshkuar me burgje dhe internime njërin pas tjetrit, me një jetë ku të shkruarit dhe të përkthyerit në fshehtësi pas punës së rëndë, mbetej i vetmi ngushëllim. Poezitë e këtij vëllimi janë të mjaftueshme për të kuptuar dimensionet e një poeti jo të zakonshëm, që zë një vend nderi në poezinë klandestine të periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Çdo poezi e tij është një pamflet, por edhe një vepër arti, që do t’i kishte kushtuar vite të tëra burgu politik, nëse do të kishte rënë në duart e njerëzve të regjimit, ashtu siç ranë poezitë e Vilson Blloshmit. Në të njejtën kohë ato janë një dëshmi për të treguar se diktatura nuk shkatërroi vetëm thjeshtë kualitetin e jetës njerëzore, duke i mohuar një populli të tërë kushtet minimale të jetesës, por edhe talentet e tij, duke i mohuar kombit vlerat mbi të cilat ngrihet. Siç shprehet zoti Neritan Ceka në parathënien e këtij, “lexuesi ka të drejtë të pyesë: kush mund të ishte bërë Hektor Shënepremte në një Shqipëri të lirë?”
Ky botim, i përket atyre projekteve të ISKK, të cilët së pari promovojnë gjestin, rezistencën morale dhe kulturore të individëve gjatë regjimit komunist, dhe në të njejtën kohë, na ndihmon të krijojmë perceptimin e asaj periudhe përmes përmbajtjes së poezive.