Davjola NDOJA
Si në të gjitha vendet komuniste, vendosja e regjimit komunist, u shoqërua me krizë ekonomike, shkatërrim të tregut dhe periudha të gjata urie të cilat, rënduan në mënyrë të pabarabartë në klasat shoqërore shqiptare. Një nga momentet më domethënës, ishte pikërisht vendosja e sistemit të triskave. Por ndërsa kjo periudhë është e pashlyeshme në kujtesën e disa brezave, akoma mbetet enigmatike arsyeja dhe ajo që ndodhi me ekonominë shqiptare të pasluftës. Ndërkohë, këto masa rënduan më shumë në klasën e kundërshtarëve politikë të regjimit, të cilët ndërkohë ishin të burgosur, internuar apo të dëbuar nga vendi i tyre. Edhe brenda urisë kolektive, ata ishin pjesa e diskrimunuar.
Ky studim që i paraqitet lexuesit, është i pari në llojin e vet, dhe fokusohet në atë fenomen të ekonomisë socialiste, të njohur si “sistemi i triskëtimit”, i cili ligjërisht hyri në fuqi më 1946 dhe u shfuqizua më 1957, por vetëm dejure, sepse de facto, sistemi i triskëtimit zgjati deri në fillim të viteve ’90.
Botimi ka për qëllim të njohë lexuesit me mënyrën sesi u veprua për krijimin dhe zbatimin efikas të këtij sistemi në Shqipëri, si një model besnik i sistemit të racionimit sovjetik, i cili çoi në uri të tejskajshme e në vdekjen e miliona rusëve.