Ali Isak SPAHIA
Ky botim është një libër i mbajtur në formë ditari mbi realitetin e ngarkuar politik në përditshmërinë shqiptare të viteve 1980 nga Ali Isak Spahia, një komunist dhe më pas i persekutuar nga Kukësi. Libri ka vlera të rëndësishme antropologjike për të kuptuar jetesën e ankthshme në përditshmërinë komuniste.
Në këtë ditar përfshihen tri fletore shënimesh që i shpëtuan djegies nga gjithë moria e shënimeve, të cilat autori i konsideroi si më pak të rrezikshme. Këto u ruajtën me kujdesin ma të madh nga familjarët deri në ndryshimin e sistemit. Në këto fletore sikurse dhe në ato që u dogjën, shprehet disidenca dhe kundërshtitë për pikëpamje e veprime, format dhe mënyrat e trajtimit dhe të zgjidhjes së problemeve të punëtorëve, fshatarëve, shtetit të diktaturës së proletariatit e diktaturës në përgjithësi dhe përbuzja për të, dhimbja për jetën e vështirë që jetonte vetë, për privimet dhe mohimet e të drejtave që u bëheshin fëmijve të tij por edhe shqetësimi për vuajtjet dhe mjerimin e mijëra të tjerëve në vend e në botë. Në to haptas shpalosej refuzimi ndaj udhëheqjes staliniste shqiptare dhe botërore, por edhe komente për libra të lexuar prej tij, etj. Përveç të tjerash, këto shënime, të habisin me qartësinë, kulturën politike dhe aftësinë analitike, pothuajse të pabesueshme në kushtet e izolimit fizik ndaj botës dhe informacionit.
Në to paraqiten shkrime për ngjarje të ndodhura në gjysmën e dytë të vitit 1979, në vitin 1980 dhe muajin e parë të vitit 1981. Shënimet janë hedhur në libër tekstualisht siç ishin në fletore pa asnji ndryshim, që të sillnim në mënyrë sa ma autentike, mënyrën si ai shkruante, mendonte e fliste.
Ali Isak Spahinë, autorin e këtyre ditareve, në vitin 1959 e përjashtuen nga Partia, që siç janë shprehur funksionarë të Komitetit Partisë, me motivacionin zyrtar që “ka qëndrim arrogant në Parti, është nip kulaku dhe është dhëndërr i nji personi të cilësuar armik i popullit. Shkurt: me përbërje të keqe politike”, sikurse shënohet në dosjen hetimore Nr.2482 në ngarkim të tij. Pas kësaj, ndaj tij filloi survejimi, presioni, gjë që e çoi autorin në eleminimin e një pjese të mirë të shënimeve të tij.