“Provinca e egër; SOE në vendin e shqipeve” nga Roderick Bailey

Përktheu dhe përgatiti për botim Alvin SARAÇI

Libri i përkthyer nga anglishtja dhe në proces botimi Roderick Bailey, “The Wildest Province SOE in the Land of the Eagle”, London Vintage books, 2008, i përket fushës së historisë bashkohore dhe trajton historinë e misionit britanik në Shqipëri në periudhën e Luftës së II Botërore. Ai ka rëndësi për marrëdhëniet shqiptaro-britanike dhe bazohet mbi një sërë burimesh arkivore dhe dëshmish të protagonistëve, ku autori hedh dritë mbi rolin e rëndësishëm të oficerëve britanikë të ndërlidhjes në raportet me partizanët e drejtuar nga komunistët, Legalistët dhe Ballin Kombëtar. Në libër, reflektohet politika britanike lidhur me Shqipërinë e Kryeministrit Winston Churchill, Parlamentit Anglez, Foreign Office dhe War Office, Komandës së Përgjithshme të Mesdheut, Komitetit të Operacioneve Speciale dhe rolit të Special Operations Executive (SOE) me seli në Londër dhe në Bari, në kuadër të nxitjes të të gjitha forcave që përkrahnin rezistencën antifashiste dhe çlirimin e vendit nga italianët dhe gjermanët. Gjithashtu, libri fokusohet mbi arritjet e britanikëve në Shqipëri: përvojën e çmuar ushtarake që ata dhanë për ngritjen e njësive të para partizane që do të përballeshin me forcat italiane dhe gjermane dhe tërheqjen në një front të përbashkët të tyre me forcat legaliste dhe ballisto-nacionaliste si dhe zbutjes së fërkimeve ndërmjet tyre, furnizimit me anë të aeroplanëve britanikë me veshje, ushqime dhe municione dhe mbështetjes me anën e tij të veprimeve luftarake në terren, çarmatosjes së forcave italiane pas kapitullimit të Italisë Fashiste, bllokimit të rrugëve të komunikimit dhe të minierave e deri në pjesëmarrjen e njësive të armatosura britanike përgjatë bregdetit shqiptar në operacionet kundër gjermanëve.