E mërkurë, 20 shkurt 2019
Me rastin e 28 vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha, ngjarje që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri, Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), organizuan në hotel ‘Tirana International’, konferencën e parë në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”. Pjesë e rëndësishme e programit, qe edhe prezantimi i 12 botimeve të reja të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Drejtori ekzekutiv i ISKK, zoti Agron Tufa, fillimisht bëri një rezyme të secilit prej librave, duke theksuar edhe rolin e rëndësishëm të dëshmisë, meqenëse pjesa dominuese e këtij seti botimesh i përkasin natyrës së memuarit dhe ditareve. Pastaj u ndal konkretisht në botimet studimore, në të ashtuquajturat “grupet armiqësore” në ushtri dhe në përndjekjen e klerit katolik, të mishëruara në këto studime. Përmes një përformance mbresëlënëse të aktores Egla Cena, u interpretuan pjesë nga gjithë librat, dhe në fund, iu dha fjala të pranishmëve në sallë.
Në pjesën e parë të konferencës, sipas agjendës, folën Jonila Godole, Drejtore e IDMC; Walter Glos, Drejtor i KAS; Karol Bachura, Ambasador i Republikës së Polonisë në Tiranë. Më pas, u kalua në fjalimin kryesor, që ishte “Shqipëria dhe Rënia e Komunizmit në Europën Lindore” të mbajtur nga historiani Bernd Fischer. Fjala e zotit Fischer, u pasua nga një diskutim i moderuar nga Gentiana Kera.
Në sezonin e dytë, të titulluar “Prezantim i librave mbi diktaturën”, krahas botimeve të ISKK, u prezantua edhe libri “Mes Apatisë dhe Nostalgjisë”, botim i IDMC, për të cilin folën Idrit Idrizi, nga Universiteti i Vjenës dhe Jonila Godole.
#ISKK