Pjesa I, II
Guljelm DEDA (përkthim)
Botimi në fjalë është një poemë kalorsiake dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e letërsisë italiane (mbas “Komedisë Hyjnore” të Aligierit), e përkthyer mjeshtërisht nga Gulielm Deda, një vepër që i ka munguar deri tani fondit klasik të letërsisë së huaj në shqip.
Por motivi që ISKK mori përsipër botimin e këtij dorëshkrimi të harruar, është pikërisht historia e përkthimit të këtij libri. Ndryshe nga përkthimet e tjera, përkthimi i këtij libri ka shoqëruar karvanin e gjatë të vuajtjeve, burgimeve dhe internimeve për motive politike të Gulielm Dedës. Ai pati fatin e shumë intelektualëve shqiptarë, atdhetarë dhe iluministë, të shkolluar në perëndim, të persekutuar nga regjimi komunist. I gjithë procesi i përkthimit, i kushtoi Dedës 17 vjet. Dhe më shumë se kaq, aventura e dhimbshme e përkthimit të këtij libri, kthehet në simbol për përvoja tjera të ngjashme, ku elita intelektuale e shoqërisë dergjej në burgjet e diktaturës, duke punuar në kushte ekstreme dhe të pashpresa, siç ishte edhe rasti i Pashko Gjeçit me përkthimin e Dante Aligerit, etj.
Ky botim, do t’i paraprijë një serie veprash të tjera letrare dhe shkencore, të cilat kanë të njëjtin sfond dhe të njëjtin fat, të lëna akoma në heshtje, e që përfaqësojnë më tepër se një vepër letrare apo një përkthim letrar.