“Nga andrrat rinore në botën e mashtrimit”

Sami REPISHTI

Në këtë libër është përqendruar gjithë publicistika e zgjedhur e Profesor Sami Repishtit dhe idetë e tij mbi dekomunistizimin e Shqipërisë.

Volumi përmban ribotimin e disa prej shkrimeve të autorit, kryesisht në shtypin shqiptar, të cilat siç shprehet ai “elementi thelbësor i tyne ka qenë, dhe mbetet, kërkesa e ime e pandryshueshme – andrra e ime rinore që nuk shuhet, shpresa e ime që nuk vdes: formimi i nji shoqënie mbarë shqiptare të lirë, demokratike dhe europiane në nji Shqipëri, shtet i pavarun dhe i bashkuem. Dhe elementi i dytë, që imponohet nga i pari: përpjekja e ime e pandalshme, kambëngulëse, pothuejse obsesive me luftue pa kuartier çdo lloj tiranie – politike, ekonomike, kulturore ose shoqënore – e çfarëdo forme qoftë, e me çfarëdo emni që mban ose ngjyrë që e dallon, ….e që pakëson madhështinë e qenies njeri! Unë dënoj komunizmin si shkaktar i vdekjes shpirtënore të individit, si shkaktar i atmosferës së errtë për mendjet aktive dhe si përgjegjës i nji organizimi ekonomik plot konfuzion e shkaktar i urisë masive.”

Në këto shkrime, përveç denoncimit të komunizmit të cilin ai e konsideroi si mision personal që nga momenti që arriti arriti të arratisej nga Shqipëria, Prof Sami Repishti reflekton edhe mbi politikën e vendeve fqinje në lidhje me Shqiperinë, si edhe politikën botërore në përgjithësi. Vlerësimi i figurave të anatemuara nga regjimi komunist, zë një tjetër vend të rëndësishëm ne këto shkrime.

Libri paraqet mjaft interes sepse kap problematikën e së keqes komuniste në të tria rrafshet kohore. Në këto analiza e reflektime si dhe në letrat drejtuar presidentëve të Europës dhe Amerikës del në pah shqetësimi intelektual i prof. Repishtit për fatet e Shqipërisë si gjatë komunizmit ashtu edhe në periudhën postkomuniste. Gjithashtu përmes këtij libri ne njihemi me shpalimin e ideve të djathta të njërit prej personaliteteve më me ndikim të kohës sonë.