“Mirdita nën terrorin komunist”

Preng GJOMARKAJ

Ku studim sjell një model të mënyrës se si ishte konceptuar terrori shtetëror i Sigurimit të shtetit komunist ne rrethin e Mirditës.

Synimi i autorit me këtë studim është evidentimi i plagëve tragjike që sundimi komunist i shkaktoi popullsisë së kësaj treve në harkun kohor 1944-1990. Autori argumenton se si klika e PKSh, që synonte të gllabëronte e vetme pushtetin pas Luftës së Dytë botërore, i druhej një krahine si Mirdita si një krahinë me cilësi luftarake të veçanta e të njohura ndërkombëtarisht, me orientim të natyrshëm perëndimor, me besim fetar katolik të palëkundur, me shërbimin e klerikëve korifenj të kultures kombëtare, me institucionin solid të vetëqeverisjes për disa shekuj, me një prijës (por jo sundues) të pranuar nga të gjithë, me bajraktarët, me shtëpitë e para, etj. K ëta e të tjerë faktorë sipas autorit, u vlerësuan si pengesa serioze për vendosjen e pushtetit komunist sipas modelit bolshevik të diktaturës së proletariatit në atë zonë, saqë me pretekstin e reformës administrative, me dekret Nr. 684, dt.11.03.1949 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Mirditës do t’i krasitej gjysma e sipërfaqes. Lokalitete të tëra të saj, do të ”arnonin” rrethe të tjera si Shkodrën, Lezhën, Kukësin, Pukën, Matin dhe Dibrën. Mirdita, ashtu si edhe vetë Shqipëria, do të kufizohej tërësisht me vetveten. Enver Hoxha, sipas fakteve që sjell autori, bëri gjithçka mundi që ta kthente Mirditën në rreth politik. Banorët e saj, do të shpalleshin e do të goditeshin të gjithë si ‘banditë’ e ‘reaksionarë’, të mëdhenj e të vegjël, nga foshnjat në djep e deri tek burrat e gratë në pleqëri të thellë.

Për pasqyrimin e fenomenit në fjalë, autori është mbështetur në dokumente arkivorë, libra, shkrime të publikuara në media, dëshmi, rrëfime e kujtime të njerëzve që kanë vuajtur përsonalisht, por edhe të pasardhësve të tyre apo edhe të përsonave të tjerë me dijeni e ndjeshmëri për vuajtjet mbinjerëzore të atyre burrave e grave që u martirizuan në atë periudhë.