Tanush KASO
Jo rastësisht qarku i Mirditës rikthehet herë pas here në vëmendje, sa herë që flitet për krimet e Komunizmit. Të internuarit në Kampit të Tepelenës kujtojnë ata qindra mirditorë që i sollën brenda një nate të vetme në kamp, pas vrasjes së Bardhok Bibës. Por burimi i hakmarrjes së pushtetit të asaj kohe ndaj kësaj zone, fillon shumë më herët, tek rezistenca e armatosur e krerëve të Veriut ndaj instalimit të komunizmit në vitin 1944, nën drejtimin e Familjes GjonMarkaj. Pak më vonë, ishte populli i Mirditës ai që strehoi dhe u sakrifikua për grupet e diversantëve që hynin ilegalisht në Shqipëri, me qëllim organizimin e një kryengrirje të armatosur kombëtare antikomuniste. Por vrasja e Bardhok Bibës, që shërbeu si pretekst i masakrës së njohur si masakra e Mirditës të drejuar nga Mehmet Shehu, përbën edhe kulmin e kësaj armiqësie me një zonë të tërë, ngjarje në të cilën u arrestuan dhjetëra dhe u dënuan 26 mirditorë; u varën në litar katër mirditorë të pafajshëm dhe u pushkatuan 10 të tjerë. Ky studim fokusohet pikërisht në background-in dhe argumentimin e këtij akti barbar dhe sidomos në misterin e vrasjes së Bardhok Bibës, në emër të së cilës, u bë genocidi.
Për të ndërtuar historikun e këtyre ngjarjeve, për një qasje dhe gjykim sa më objektiv, autori Tanush Kaso i referohet kryesisht burimeve të ndryshme, duke filluar nga dokumentacioni zyrtar i shtetit shqiptar, arkiva e Sigurimit të Shtetit, raportet partiake, arkivave të organizatave politike në emigrim, dëshmive okulare, dëshmive të misionarëve anglezë të atashuar në Shqipëri, etj.