“E djathta dhe e majta në luftë”

Uran BUTKA

Libri është konceptuar në katër pjesë: pjesa e parë: ngjarje dhe refleksione; pjesa e dytë: personalitete; pjesa e tretë: polemika; pjesa e katërt: politikë.

Në pjesën e parë, një vend të rëndëishëm zënë esetë historike, si: “Marrëveshja e Mukjes – një kompromis kombëtar mes së djathtës dhe të majtës”, “Dëshmorët e Grehotit”, “Pushkatimi i robërve të luftës”, “Masakra e 4 shkurtit 1944”, “Masakra me pretekstin e “bombës” në ambasadën sovjetike”, “Kush e vrau Mustafa Gjinishin?” “Enver Hoxha urdhëroi masakrimin e Llazar Fundos”, “Martirët e Progonatit”, “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”, “Gjyqi special dhe gjykatat ushtarake”, “E vërteta e një gjyqi, që prishi marrëdhëniet me SHBA”, “Diktatura përballë demokracisë. Gjyqi ushtarak ndaj deputetëve demokratë”, “Plot 43 vjet të pandërprerë në burg”, “Çështja shqiptare në udhëkryqet e historisë”, etj, të cilat tërheqin vëmendjen drejt ngjarjeve të njohura historike, por të analizuara nën dritën e dokumenteve të reja të zbuluara nga arkivat vitet e fundit.

Në pjesën e dytë, autori sjell portrete historike ,të cilët, pavarësisht kontributit të tyre, u shndërruan në viktima të sistemit komunist, si: “Përmasat europiane të figurës së Mid’hat Frashërit”, “Mirash Ivanaj”, “I pari është tingulli (Lec Kurti)”, “Dy pasionet e mëdha të Selman Rizës”, “Shkodrania Marie Shllaku, martire e Kosovës”, “Homazh për baba Kamber Prishtën”, “Shkencëtari me famë botërore Stanislav Zuber në Shqipëri”,“Jam evolucioniste” (Sabiha Kasimati), etj.

Në pjesën e tretë, zbardhen polemikat akademike të autorit me historianë dhe gazetarë lidhur për disa nga ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe regjimit komunist.

Në pjesën e katërt, përmblidhen reflektime mbi proceset e demokratizimit të Shqipërisë, pas rënies së komunizmit.

Por ashtu siç është shprehur edhe në titull, thelbi i këtij libri është fati i formacioneve shoqërore e politike gjatë Luftës së dytë Botërore dhe përçarja e madhe civile e kombëtare që çoi në përvetësimin e luftës çlirimtare nga komunistët; spastrimet dhe dënimet e figurave nacionaliste në ag të diktaturës komuniste.