Te martën, me datë 10 dhjetor, në sallën Konrad Adenauer të Departamentit të Historisë, u mbajt një bisedë me studentë të Masterit Shkencor dhe Masterit Profesional në Histori mbi “Kampin e Tepelenës dhe dëshmitë e të mbijetuarve të tij” nga zonja Luljeta Lleshanaku, drejtore për kërkimin shkencor të ISKK.
Biseda u zhvillua në kuadër te lëndës ‘Historia dhe Kujtesa’, me fokus periudhën komuniste në Shqipëri. Dr.Enriketa (Pandelejmoni) Papa, duke prezantuar të ftuarën para audiencës, bëri edhe një rezyme të punës së ISKK në mbledhjen e dëshmive. Studentët ndoqën një film në 3D në formën e një muzeu virtual mbi Kampin e Tepelenës, të realizuar nga ISKK. Pas kësaj, znj.Lleshanaku foli mbi përvojën në marrjen e dëshmive të të mbijetuarve si pjesë e kolanës “Zërat e kujtesës” të botuar nga ky Institut, për rolin e dëshmisë në në mungesë të dokumentacionit, për metodologjinë dhe teknikat e intervistimit, dhe për trajtimin e dëshmisë mbi kritere shkencore. Ajo foli gjithashtu edhe mbi aspektin psikologjik të marrjes së dëshmive, duke e ilustruar bisedën me shembuj konkretë. Më pas, e ftuara iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve lidhur me të shkuarën komuniste.
ISKK