4 maj, 2022
Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), patën një takim mjaft interesant me nxënës të shkollës së mesme Ernest Koliqi, në Tiranë. Gjatë këtij takimi, u prezantuan disa nga projektet kryesore të këtyre dy institucioneve lidhur me kujtesën për periudhën komuniste, të cilat u pasuan nga një diskutim me të rinjtë.
Studiuesja e ISKK, Bridejda Lala, prezantoi kolanën e librave të botuar këtë vit nga ky Institut. Më pas, u prezantua filmi dokumentar “Fëmijët e Diktaturës”, i prodhuar nga IDMC, i cili sjell tre përvoja të ndryshme individuale fëmijërie, në kampet e internimit në Shqipërinë komuniste.
Pas dokumentarit, studiuesi Ergys Mertiri, ISKK, zhvilloi një bisedë me nxënësit mbi jetën gjatë komunizmit, indoktrinimin dhe impaktin e këtij indoktrinimi në shoqërinë e sotme. Të rinjtë ndoqën me shumë interes fjalën e tij, dhe u angazhuan me pyetje dhe diskutime të shumta sidomos mbi aspektet kulturore dhe propagandën, si edhe mbi “shfaqjeve të huaja”, një koncept ideologjik në emër të të cilit, vihej në shënjestër kryesisht brezi i ri.
Gjatë diksutimit, nxënësit shprehën nevojën për më shumë informacion, duke evidentuar që kurrikula shkollore është e pamjaftueshme për të marrë njohuritë e duhura rreth kesaj periudhe, mbi të cilen kanë shpesh diskutime e debate edhe me njeri-tjetrin, por edhe në familje.