21 maj 2022
Në kuadër të veprimtarisë “Ditët e Qendresës”, shoqata “Drejtësi dhe paqe”, në bashkëpunim me institucione dhe shoqata të tjera të kujtesës: IDMC, Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve Politik, Konrad Adenuaer- Stiftung si dhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, si edhe me Konrad Adenuaer- Stiftung, organizoi një takim përkujtimor në përvjetorin e 49-të të Revoltës së Spacit. Nga rrënojat e këtij ish kampi-burg, të pranishmit, ripërsëritën idenë e ngritjes së Muzeut Kombëtar, si një projekt i munguar prej vitesh në këtë vend të dëshmisë.
Në emër të ISKK foli zv. drejtoresha Armanda Hysa, e cila, tha se brezat e rinj nuk arrijnë të marrin as informacionin bazik mbi të shkuarën komuniste.
“Krimet e komunizmit kanë autorë konkretë. Një makineri e tërë shtetërore e zbatoi diktaturën, arrestoi, burgosi e torturoi. Ndaj kujtesa dhe veprimtaritë për të, nuk duhet të ndalen vetëm tek vuajtjet e të persekutuarve dhe tmerret që ata kanë për jetuar, por te shkaktarët e tyre, me emra e mbiemra, si dhe te zbërthimi i ideologjisë që i projektoi ato. Në fillim të viteve 90 na thanë se është herët të merremi me krimet dhe kriminelët e komunismit, ndërsa sot na thonë se është vonë. Ndërkohë nuk u dënua askush, përgjegjës për to. E pra, koha është gjithmonë”.
Duke u bashkuar me apelin e pjesëmarrësve në ceremoni, Hysa kujtoi se para disa viteve ish drejtori i ISKK, z. Agron Tufa, i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Kulturës shpalljen Muze Mombëtar të kampeve të Spaçit e Tepelenës, si dhe shtëpisë së Vilson Blloshmit. Ajo tha se para dy viteve, kanë kërkuar si institucion, se ku është ky proces, “por me këto shkresa mund të përpiqemi pa fund pa nxjerrë gjë në dritë”. Hysa u bëri thirrje të gjitha institucioneve, shoqatave dhe organizmave të kujtesës, që kanë në fokus të misionit të tyre të kaluarën komuniste, si dhe institucioneve mbështetëse, që të bëhen bashkë për të këmbëngulur që kjo çështje, pra ngritja e Muzeut, të bëhet realitet.