17-18 nëntor 2022

Ashtu si çdo ideologji politike, edhe ideologjia komuniste u shoqërua me një estetikë të re. Një pjesë e madhe e trashëgimisë arkitekturore, veprave monumentale dhe e konceptit urban të qyteteve shqiptare, i përket pikërisht periudhës komuniste. Kjo periudhë karakterizohet nga një estetikë pak a shumë uniforme ndërtesash të zymta dhe të kursyera në planin arkitekturor, banesash me parafabrikate prej betoni të ndërtuara me kosto të lirë, sheshesh të gjerë me statuja udhëheqësish komunistë, pllakatesh dhe muralesh të Realizmit Socialist që i bëjnë jehonë ndërtimit të socializmit, heroizmit, etj. Përtej kësaj fasade, apartamente me një dhomë e kuzhinë e të mobiluara njëlloj, shërbenin si strehë për shumicën e familjeve shqiptare. Ndërsa kjo trashëgimi e periudhës socialiste në qytetet shqiptare është e dukshme vizualisht, mbeten për të analizuar dhe kuptuar shumë aspekte të proceseve që e prodhuan atë. Konferenca synon që të trajtohen çështje si:

  • cili ishte funksioni ideologjik përtej konceptit arkitekturor dhe planifikimit urban
  • sa i përgjigjej ky koncept estetik parimit të barazisë sociale, stilit të jetesës, punës, ndjenjës së komunitetit, tipare të propaganduara si tipare thelbësore të shoqërisë komuniste
  • cili ishte ndikimi i mjedisit në mënyrën e jetesës së familjeve shqiptare
  • cilat ishin influencat e huaja mbi këtë estetikë në periudha të ndryshme
  • cilët ishin mekanizmat e kontrollit të pushtetit mbi projektimin arkitekturor e urban dhe veprat monumentale publike
  • sa shërben ky koncept estetik si demonstrim i forcës së pushtetit
  • cilat kanë qenë tendencat e devijimit nga koncepti komunist
  • cili ishte roli i monumenteve dhe planifikimit urban në formësimin e identitetit kolektiv dhe në përfaqësimin e pushtetit politik
  • cilat ishin format, funksionet dhe kuptimet e hapësirës urbane
  • cilat janë veçantitë e trashëgimsë socialiste në hapësirën urbane krahasuar me ato të vendeve të tjera ish-komuniste
  • cilat janë vlerat muzeale dhe si duhet vepruar me këtë trashëgimi në post-komunizëm
  • cili është roli i debatit publik e politik mbi trashëgiminë materiale socialiste në procesin e përpunimit të së shkuarës socialiste në Shqipëri

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, ISSK, në vazhdimësi të projekteve të tij mbi trashëgiminë materiale komuniste,  fton studiues nga fushat e historisë, arkitekturës, arteve, planifikimit urban, sociologjisë, psikologjisë dhe disiplinave të tjera për të marrë pjesë me kumtesat e tyre në konferencë.

Qëllimi i konferencës është argumentimi mbi baza shkencore i rolit të ideologjisë komuniste mbi estetikën e mjedisit, dhe përmes saj, në formësimin psiko-social të individit dhe të shoqërisë shqiptare gjatë periudhës 1944-1990.

 Kriteret për pjesëmarrje:

  • Abstraktet duhet të përmbajnë deri në 300 fjalë dhe afati i dorëzimit të tyre do të jetë data 31 mars 2022.
  • Aplikantët duhet t’i bashkëlidhin abstraktit një CV akademike në shqip .
  • Aplikimet duhet të dërgohen në formë elektronike në adresën zyrtare: info@iskk.gov.al
  • Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të njoftohen brenda datës 10 prill 2022.

Kumtesat e përzgjedhura e të prezantuara në këtë konferencë, do të përfshihen në një botim të veçantë vjetor ose në revistën “Memoria”, që është organ periodik  i ISKK. 

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *