- prezantim i aktivietit të ISKK në selinë e Federatës VATRA në NewYork
New York, më 26 Tetor 2021,
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në selinë esaj në New York, më 26 Tetor 2021, organizoi një takim me znj.Luljeta Lleshanaku, si përfaqësuese e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri ku prej vitesh drejton Departamentin e Studimeve. Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen dhe foli rreth rëndësisë së zbardhjes së krimeve të diktaturës në Shqipëri
Pasi bëri një prezantim përmbëmbledhës mbi aktivitetin dhjetëvjeçar të këtij Instituti, ajo u ndal në rolin e dëshmisë për zbardhjen e krimeve të komunizmit, që ishte edhe qëllimi i këtij takimi: “Puna kërkimore në këtë Institut, na përballi prej fillimi me një mungesë të theksuar dhe kaos dokumentacioni zyrtar, që janë pikërisht ato burime, që do ta bënin të pakontestueshëm çdo lloj pretendimi të palëve. Bëhet fjalë për dokumente që nuk kanë ekzistuar kurrë (pra akte pa dokumente), dhe dokumemte që janë zhdukur; por edhe ato që ekzistojnë, në pjesën më të madhe nuk paraqesin seriozitet në aspektin formal, administrativ. Pra jemi ndeshur me mendësinë e një shteti që: e para, kujdesej të mos linte asnjë gjurmë kompromentuese pas, duke iu fshehur madje edhe vetvetes, dhe e dyta: me një mungesë të theksuar profesionalizmi në administrimin e dokumentacionit, duke përmbysur kështu edhe një lloj miti të krijuar në popull, sipas të cilit ‘shteti i Enver Hoxhës, edhe pse diktaturial, gjithsesi funksiononte si shtet.’ Në rrethana të tilla, roli i dëshmisë së të mbijetuarve nga persekutimi komunist merr rëndësi të jashëzakonshme. Dëshmitë plotësojnë hallka shumë të rëndësishme informacioni, kryesisht në këto momente: Internimet në kampe me tela me gjemba(1945-1954); kampet e internimit (1953-1990) dhe dëbimet; evidencat mbi torturat, keqatrajtimet, denigrimin, presionet psikologjike të çdo lloji, survejimin e vazhdueshëm– që përbëjnë ndoshta edhe nën më të errët e diabolike; databazat e sakta të vendeve të vuajtjeve të dënimeve; përvetësimin e pronave dhe grabitjen e arit, sekuestrimet e çdo lloji si pjesë e reformave komuniste në ekonomi — që gjithashtu janë pjesërisht të dokumentuara.”
Duke e konsideruar jo vetëm domosdoshmëri çështjen e mbledhjes së dëshmive, Lleshanaku u shpreh: “Puna jone si Institut filloi vonë, shumë vonë: 20 vjet pas shembjes së regjimit. Nuk ka mbetur më pothuajse asnjë dëshmitar nga Kampet e Punës së Detyruar në Maliq që ka qenë një nga tmerret më të mëdha të atij sistemi…dhe shumë pak kanë mbetur gjallë nga kampet me tela në Tepelenë, Berat dhe Krujë…Pra, kemi humbur një pjesë të madhe të dëshmitarëve dhe vazhdojmë të humbim çdo ditë…Shumë nga numrat e mi të kontakteve në celular, janë jashtë funksionit tashmë, sepse zotëruesit e tyre kanë ndërruar jetë. Dhe duke humbur dëshmintë, po humbasim edhe historinë. Një pjesë e madhe e të mbijetuarve, pra dëshmitarëve, jetojnë në diasporë, dhe uroj që ky takim të shërbejë si një inkurajim a thirrje për ta. Në po kërkojmë dhe besoj shumë shpejt, falë teknologjisë, do të mund të gjejmë mënyra të shpejta që secili prej tyre, të mund të japë dëshminë e tij me shkrim ose në formën e video-regjistrimit nga kudo që ndodhet. Rrëfimi e çdo individi që ka qenë objekt persekutimi, është mjaft i rëndësishëm për punën tonë, por së pari unë e konsideroj si një çështje ekzistenciale dhe si një detyrim moral që ne, ju e keni ndaj vetes, të afërmve, bashkëvuajtësve dhe brezave të rinj që dinë shumë pak, ose pothuajse aspak mbi tmerret e komunizmit në Shqipëri.”
Më pas, e ftuara iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve lidhur me projektet eInstitutit dhe pasqyrimin e punës së këtij Instituti në sistemin arsimor. Në këtë takim, u bënë pjesë edhe studentët shqiptarë të ekselencës që janë mbështetur nga Fondi i Vatrës për studentët.