Korniza kushtetuese në Shqipëri, 1944-1946

Më 17 maj 1945, Kryesia e KANÇ-it miratoi Ligjin nr. 61, i cili abrogoi të gjitha “statuset, ligjët, dekret-ligjët, rregulloret dhe dekretet” e nxjerra gjatë periudhës 7 prill 1939-28 nëntor 1944. Ky ligj deklaroi “të pa qena” gjithë vendimet penale të dhëna gjatë të njëjtës periudhë. Dhe, në Nenin 3, ky ligj sanksiononte: “ligjët, dekret-ligjët, dekretet dhe regulloret që ishin në fuqi në Shqipëri para datës 7 Prill 1939 mbeten të vlefshme edhe për kohën e ardhme, kur nuk janë në kundërshtim me frymën e re demokratike dhe me deklaratat, vendimet dhe ligjët e promulguara prej Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë dhe urdhënesat e dhëna prej Qeverisë Demokratike (AQSH, F. 490, V. 1945, D. 269).” Bazuar në këtë ligj, KANÇ-i pranonte që ishte në fuqi Kushtetuta e mbretërisë, e cila nuk ishte abroguar me asnjë nga format e njohura të abrogimit të ligjeve: 1) kur ligji i ri e shprehet për abrogimin e të vjetrit; 2) kur dispozitat e ligjit të ri (Kushtetutë në këtë rast) nuk pajtohen me ato të ligjit të vjetër; 3) kur ligji i ri rregullon të gjitha temat e ligjit të vjetër. Çdo diskutim mbi ligjshmërinë gjatë periudhës 28 nëntor 1944-fillim 1946, duhet bazuar te korniza kushtetuese e monarkisë. Me këtë kornizë kushtetuese, të pranuar nga nga vetë komunistët, rezultojnë pa fuqi gjithë ligjet e KANÇ-it, rezultojnë të jashtëligjshme gjithë institucionet e krijuara nga komunistët, përfshi KANÇ-in, dhe, kontrolli i institucioneve të shtetit shqiptar ishte veç një zaptim i paligjshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *