Konceptet bazë për njohjen e makinerisë së dhunës në diktaturë

Konceptet bazë për njohjen e makinerisë së dhunës në diktaturë

 Diktatura komuniste në Shqipëri ka qenë ndër më të veçantat në Lindjen Komuniste. Ajo krahasohej vetëm me diktaturën staliniste në Bashkimin Sovjetik. Nga kjo veçanti diktatura e Shqipërisë nuk kuptohet në thellësinë e përmasën e vërtetë të saj. Kjo, ngaqë natyra e veprimit të saj ka qenë e panjohur ose e fshehur. Në ndihmë të kësaj teze ka qenë edhe studimi joprofesional që iu është bërë çështjeve që lidhen me diktaturën dhe pasojat e saj.

Ngatërrohen mënyrat e vuajtjes dhe teknikat e dhunës. Për të kuptuar më shkoqur parimisht disa shprehje është mirë pikësëpari të shpjegohen ato. Kjo, sepse, jo rrallë janë ngatërruar burgjet me kampet, burgosja me hetuesinë, kampet me tela me gjemba, me kampet me hapësirë të lirë, por të kufizuar. Ky shpjegim është i domosdoshëm për të mos bërë një analizë të përciptë të çështjeve që diskutohen. Diktatura komuniste, në kapërcim të dukshëm të hapësirave e mjeteve të regjimeve fashiste e ushtronte goditjen ndaj kundërshtarëve politikë të saj, jo vetëm drejtpërdrejt, por duke vijuar me të gjithë trashëgimtarët e tyre në disa breza. Ky ishte edhe zbatim i parimit përçarës ideologjik e kushtetues të luftës së klasave, mbi të cilat ishte ndërtuar regjimi e gjithë shtresëzimi shoqëror. Cilësohej kundërshtare e regjimit komunist e gjithë klasa e kaluar politike, administrata e vjetër, si edhe anëtarët e simpatizantët e organizatave të Ballit Kombëtar e Legalitetit, ish ushtarakët, etj. Lufta ndaj tyre kishte filluar me vrasje gjatë luftës. Pas vitit 1944, përveç dënimit me vdekje, fati i kundërshtarëve politikë e trashëgimtarëve të tyre, i pjesës së paracaktuar për të vuajtur skajërisht, ishte vetëm në këto drejtime: në burg, kampe pune, internim ose dëbim. Proceset masive të dënimeve politike, sidomos ato të viteve të para, ekzekutuan një numër të madh kundërshtarësh të mundshëm të regjimit. Por përndjekja nuk mbaronte me vrasjen apo me burgosjen e kundërshtarit. Ajo vazhdonte me përndjekjen e familjes në disa breza. Pra, ishte një përndjekje e përjetshme. Në Shqipërinë komuniste kanë këtë kuptim fjalët e mëposhtme:

Burgu – Është vendi i izoluar, i caktuar për vuajtjen e dënimit. Përbëhej nga rrethimi i jashtëm me tela me gjemba i ruajtur me ushtarë si edhe personeli i brendshëm, i cili kujdeset për izolimin e plotë të të burgosurve. Të tillë kanë qenë burgjet e Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Peshkopisë, Kukësit, Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës.

Kampi i punës – Është vendi ku dënimi trajtohet me anë të punës së detyruar për ndërtime, bonifikim, nxjerrje minerali, në bujqësi, etj. Kampet e tilla kanë qenë lëvizëse, e pastaj të vendosura sodomos në miniera ose në vepra të tjera. P.sh. kampet e Spaçit, Qafë – Barit, etj.

I burgosur – Quhet personi i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata.

I burgosur politik – Quhet i dënuari për krime kundër shtetit.

Krime kundër shtetit – Quhen veprat penale të parashikuara në Kodin Penal ose ligjet e posaçme për arsye politike, të akuzuar për kundërvënie ndaj regjimit, sistemit komunist dhe drejtuesve të tij. Akuzoheshin për krime të tilla “armiqtë e popullit” (gjoja krimet e luftës apo anëtarësia në organizata e parti jokomuniste), si dhe personat e tjerë për agjitacion e propagandë, tentativë arratisje, krijim të organizatave kundër pushtetit, etj.

Krime ordinere – Janë krime të tilla si vrasja, vjedhja, mashtrimi, etj. Të dënuarit për këto vepra quhen të dënuar ordinerë.

Hetimi – Është procesi që zhvillohej ndaj të pandehurit nga organet e Sigurimit të Shtetit dhe (pas vitit 1974) hetuesisë. Personi qëndronte i paraburgosur nën akuzë. Hetuesia zhvillohej në mjediset e degëve të punëve të brendshme, vende të qelbura dhe të errëta, ku kryhej pyetësia e të pandehurit me hetues, nën kushte të rënda psikologjike dhe fizike. Hetuesia mbaronte në çastin kur jepej dënimi i gjykatës. Hetuesi deri në vitin 1974 ishte oficer i Sigurimit të Shtetit. Në vitet 1974 – 1983 ai ishte oficer i MPB-së, dhe pas vitit 1983, ishte person civil. Hetuesia zhvillohej si rregull në 3, 6, 9, 12, 18, 24 muaj. Shpesh ndodhte arrestimi së pari, e pastaj nxirreshin “provat”.

Heqja e lirisë me punë të detyruar – Është vuajtja e dënimit në kampe pune, që kishin si emërtesë zyrtare formën e kampit, p.sh. nr.1 e më vonë te “reparti i riedukimit p.sh. nr.301”. Kampet e punës ishin vende grumbullimi për të dënuarit, ku shfrytëzohej puna e tyre në mënyrën më të skajshme. Vuajtja e dënimit fillonte kur jepej ndëshkimi i formës së prerë dhe mbaronte me përfundimin e kohës së dënimit të dhënë. Kampet ishin stacione të përkohshme qëndrimi deri në mbarim të veprës.

Internimi në kampe me tela me gjemba – Është vuajtja e dënimit në periudhën 1945 – 1953 në vende të rrethuara me tela me gjemba. Kampet ishin vende të mbyllura, të ruajtura nga ushtarakë të regjimit. Në to ishin vendosur familjarë të të dënuarve, të arratisurve dhe të ushtarakëve dezertorë. Përbëheshin në shumicë nga gra dhe fëmijë. Në periudhën 1945 – 1949, të internuarit janë urdhëruar të shkojnë në kampe me akte të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, Kryeministrisë, ushtrisë, pushtetit vendor, MPB-së. Në vitet 1949 – 1953 janë urdhëruar prej komisionit qendror të internimeve, dëbimeve e konfiskimeve.

Internimi – Ishte masa që merrej ndaj personit për kufizim të lirisë. Internimi kryhej në vend të caktuar, në një territor të caktuar prej komisionit qendror të internimeve. I internuari nuk mund të lëvizte pa leje nga vendi i kufizuar ku jetonte. Internimi mund të përsëritej në vendim, por mund të kthehej edhe në dëbim. Internimi ose dëbimi politik dallon nga ai ordiner, nga propozimi. Kur ishte rast politik, propozimi vinte nga Sigurimi i Shtetit. Kur ishte ordiner, propozimi vinte nga Policia.

Dëbimi – Ishte masë më e zbutur ndaj personit për kufizim të lirisë. Dëbimi është largimi nga qendra e banimit në zona të kufizuara, që mund të ishin deri 3 rrethe administrative. Por brenda rrethit, për shkak të “urbanizimit” komiteti ekzekutiv i rrethit mund të urdhëronte largimin nga qendra e banimit. I dënuari, në dallim nga i internuari nuk bënte paraqitjen e përditshme te punonjësi i Sigurimit apo Policisë. Por masa për të jepej njëlloj si i internuari, nëse kalonte pa leje zonën ku ishte caktuar të banonte.

Ekzekutimi me vdekje – Është zbatimi i vendimit të formës së prerë të gjykatës. Është dhënë për “krime” të tilla si “armik i popullit”, “bashkëpunëtor i pushtuesit”, “pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare”, agjitacion e propagandës, arratisjes, etj.

Vrasje pa gjyq – Është humbja e jetës gjatë hetuesisë, vuajtjes së dënimit, vrasjes në kufi, përpjekjes me forcat e regjimit, etj.

(Fragment: Kastriot Dervishi, Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste (Tiranë: ISKK, 2015), 4-6)

 

Veprat e botuara nga ISKK si dhe materialet e publikuara në këtë faqe duhet të përdoren në përputhje me nenin 81, të Ligjit nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to.”