“Saga e dhimbjes”- Ditare, kujtime

Fatbardha MULLETI SARAÇI

Pas librit “Kalvari i grave në burgjet e komuniste”, që është një përmbledhje me historitë e grave shqiptare që vuajtën në burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste, dhe që vazhdon te këtë shumë jehonë duke ngjallur interesin e medias dhe studjuesve shqiptarë dhe të huaj, zonja Fatbardha Saraçi vjen këtë herë para lexuesit me një jetëshkrim të sajin të titulluar “Saga e dhimbjes”.

Në këtë përmbledhje ditaresh dhe kujtimesh, që në dukje është diçka më private,  na jep mundësinë që përmes përvojës së saj, të kuptojmë mjetet e diskriminimit dhe sfidën e të mbijetuarit si një  e “deklasuar”. Ashtu siç merret me mend, duke qenë e mbesa e njërit nga personalitetet politikë të paraluftës, e kryebashkiakut Qazim Mulleti (i cili me ardhjen e komunistëve në pushtet u kategorizua si kriminel lufte, si armik, dhe madje edhe u parodizua  nga propaganda), ajo u përball me privime të vazhdueshme, duke u detyruar të ndërrojë edhe mbiemrin, derikur përfundoi si të gjithë viktimat e tjera të luftës së klasave, punëtore në një fabrikë dhe shënjestër e organizatave të masave.  Historia personale ndërthuret me fatet e shumë njërëzve të tjerë të ngjashëm me të sajin, me personazhe të tjerë historikë, për të cilët dihet pak ose aspak duke e zgjeruar rrethin e informacionit. Dhe ç’është më e rëndësishmja, përmes këtij rrëfimi arrijmë të bëjmë një autopsi të atij regjimi, lidhur me mosrespektimin e privacisë, indoktrinimin masiv, dhe përçarjen që mbolli propaganda komuniste në shoqëri me ndarjen dhe kundërvënien klasore . Fotot, dokumentet origjinalë që mbështesin rrëfimin e saj, jo vetëm që e familjarizojnë me tepër lexuesin me realitetin e asaj kohe, por edhe e bëjnë të pakontestueshëm këtë rrëfim.