Reshat KRIPA
“Kanë kaluar mbi njëzeteshtatë vjet nga përmbysja e madhe, dhe ende shqiptarët e shohin kundërshtarin politik si armik, njëlloj si dikur kur na shikonin të tillë neve që hoqëm mbi shpinat tona tmerret e atij sistemi.”- e argumenton arsyen që e nxiti të shkruajë e të botojë këtë përmbledhje, autori Reshat Kripa, i cili është jo vetëm një ish i burgosur politik dhe jo i vetmi në familjen e tij, por edhe një nga drejtuesit e Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë, një pozicion që i ka dhënë atij mundësinë që përmes kontakteve dhe dokumentacionit, ta njohë me themel gjithë historinë e persektuimit komunist në Shqipëri. Pjesa më e madhe e eseve në këtë libër, sjellin ngjarje dhe personazhe realë, me një simbolikë të veçantë në qëndresën e tyre morale ndaj regjimit; një pjesë tjetër janë reflektime të autorit mbi realitetin post-komunist dhe qëndrimin ndaj të shkuarës komuniste, gjë që sipas tij përcakton edhe përçarjen e shoqërisë së sotme. “E pra, pikërisht ne duam ta pëmbysim këtë mentalitet. Por, a do të mundim? Është shumë e vështirë. E vështirë sepse shohim që ende një pjesë e shoqërisë shqiptare kërkon ta kalojë në heshtje periudhën totalitare, sepse ende hezitohet të flitet për shumë figura të njohura të historisë shqiptare që i kanë dhënë shumë këtij vendi”.