“Zërat e kujtesës”, vëllimi IV

Luljeta LLESHANAKU, Agron TUFA

Ky vëllim, është vazhdim i kolanës së botimit në formë të transkriptuar të dëshmive audio-vizuale të viktimave të komunizmit në Shqipëri, një projekt ky i nisur para katër vjetësh nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Të intervistuarit në këtë numër, janë: Agim Akcani, Asije Habili, Lekë Frroku, Reshat Kripa, Klora Mirakaj, Mirush Osmani, Prelë Syku.

Nga dëshmitë e gjata dhe të detajuara të të mbijetuarve të përfshirë në këtë përmbledhje, ofrohen fakte, përvoja, lidhur veçanërisht me disa nga ngjarjet, vendet dhe aspektet kyçe të periudhës komuniste, të njohura në histori si:  “procesi i dënimit të sabotatorëve të kooperativës së  Baldushkut”; internimi në kampin e Tepelenës; internimi në kampin e Beratit; kampi i punës në Kamzë; arrestimet dhe burgosjet politike (1945-1990); burgu i Spaçit, burgu i Ballshit dhe Qafë-Barit; puna e detyruar nëpër burgje dhe kampet e punës; kampet e internimit në Savër, Gjazë, Gradisht (1955-1990); trajtimi në hetuesi; taktikat e ish-Sigurimit të Shtetit për rekrutimin dhe vënien në shërbim të qytetarëve; gjyqet politike; arratisjet në kufi; grupet ilegale (ose të arratisurit) gjatë periudhës 1944-1950; përndjekja e individëve dhe familjeve për motive politike (mohimi i së drejtës për shkollim, kualifikim, ushtrim të profesionit, dhe refuzimi social); strategjia propagandistike e regjimit dhe impakti i saj social, etj.