Sokrat SHYTI
Romani memuaristik me dy vëllime “Pështjellimet e fatit” i Sokrat Shytit, është një autopsi e përditshmërisë ngjethëse, e ankthshme e viteve ’60, fill pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me BRSS-në, kur makina grirëse e represionit komunist nis “gjuetinë e shtrigave” mbi ata pak intelektualë me prirje liberale. Ngjarjet që pasqyrohen në libër, janë reale, ngjarje autobiografike të autorit, dhe përcjellin fatin e kobshëm të miqve të tij në redaksinë e Radios, e tok me ta, edhe fatin personal e familjar.
I kthyer nga studimet në Univesitetin shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti punoi në radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Romani është një homazh për kujtimin e këtyre dy ish-gazetarëve të pushkatuar. Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit. Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti e internojnë familjarisht me nënën dhe motrën e vogël në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nështrohet punëve të detyruara. Pëgjatë 27 viteve ai është i shtrëguar ligjërisht të paraqitet tri herë në ditë tek i Plotfuqishmi i zonës, pa të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj.
Shkrimtari Sokrat Shyti ka në dorëshkrim edhe këto romane: “Përtej misterit”, “Mes tundimit dhe vorbullës”, “Gërryerjet e makthit”, “Hija e turpit dhe e vdekjes”, “Koloneli kryedhjak”, “Shpresat e nëmura”, etj, pra një projekt ciklik i mbaruar që përbën morfologjinë e përditshmërisë së diktaturës komuniste.