Për fat, janë akoma të gjallë midis nesh mijëra të mbijetuar nga burgjet, kampet e punës, kampet e internimit, pa llogaritur pasardhësit e tyre, të cilët, edhe nëse nuk pësuan fatin e ashpër të të parëve, provuan padrejtësi të tjera në emër të tyre. Dhe ky kontigjent, përbën edhe bazën më të rëndësishme të informacionit mbi historinë e komunizmit në Shqipëri, ose anën e pashkruar e të palegjitimuar akoma, të kësaj historie. Këtu konsiston edhe projekti afatgjatë “Zërat e kujtesës”, i konceptuar si një kolanë botimesh të dëshmive të dhëna nga vetë viktimat dhe dëshmitarët e ngjarjeve.
Elie Wiesel, i mbijetuari i tri kampeve të përqëndrimit (Auschwitz, Buna, dhe Buchenwald), shkrimtar dhe fitues i Çmimit “Nobel” për Paqe në vitin 1986, duke iu referuar të mbijetuarve të holokaustit, thotë se “çdo i mbijetuar ka shumë më tepër se çfarë të thotë për atë që ka ndodhur, se të gjithë historianët bashkë.” Dhe në një kohë, që numri i të mbijetuarve sa vjen dhe po zvogëlohet (për shkak të moshës dhe për shkak të emigrimit), mosmarrja në kohë dhe në mënyrë urgjente e këtyre dëshmive, rrezikon kauzën e ISKK-së për zbardhjen dhe rishkrimin e historisë së krimeve të komunizmit, që nuk duhet të ishte vetëm kauza e një instituti studimesh, por një nga kauzat e një shoqërie, e cila është e interesuar të distancohet nga një e shkuar kompromentuese, përmes një procesi transparence historike dhe gjykimi objektiv të ngjarjeve.
Ky projekt, më shumë se çdo iniciativë tjetër, krijon antropologjinë e regjimit komunist në Shqipëri. Projekti bazohet në përshkrimin cilësor më tepër se atë statistikor, i cili vjen përmes përvojave individuale, ku detajet, situatat konkrete, konteksti, personazhet realë të përfshirë në to, e bëjnë jo vetëm të pakontestueshme ekzistencën e krimeve të komunizmit, por, ndihmojnë edhe analizën dhe interpretimin e mënyrës se si funksionoi ai sistem.
Autorët: Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa