“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”

Fatbardha Saraçi MULLETI

Ky botim është një përmbledhje shkrimesh publicistike mbi vuajtet e grave në regjimin komunist në Shqipëri, duke filluar nga format ekstreme (pushkatimet, burgimet, internimet) e deri tek mohimi i të drejtave më elementare. Historitë e përfshira në këtë vëllim bazohen mbi intervistat, të dhënat arkivore apo studimore dhe dëshmitë e të mbijetuarve. Përmes jetëshkrimeve, evidentohet qartë mizoria e atij sistemi, i cili, nuk bënte asnjë dallim midis gjinive dhe moshës. Madje, disa prej këtyre vuajtjeve, e tejkalojnë çdo lloj hamendësie për rezistencën femërore.

Figurat femërore, në mënyrën se si janë trajtuar në këtë libër, mund të kategorizohen në ato që dënohen për aktivitet të drejtpërdrejtë politik (si Musine Kokalari apo Sabiha Kasimati) dhe në femra të cilat cilat dënohen për shkak të lidhjeve familjare me kundërshtarët politikë të regjimit. Rrëfimet dëshmojnë forcën e karakterit, sakrificën përballë torturave dhe presionit të çdo lloji, dhe vuajtjeve nga uria dhe kushtet e rënda të jetesës. Ky libër ekspozon më së miri dhe të gjitha taktikat fizike dhe psikologjike, të përdorura ndaj tyre.

Një vend të veçantë midis tyre, zënë edhe gratë e huaja, të cilat u bënë qytetare shqiptare.