“Ligjshmëria gjatë regjimit komunist, 1944-1990”

Marrja e pushtetit nga komunistët (1944) solli ndryshime të mëdha në shoqërinë shqiptare, në shumë drejtime. U ndryshua forma e organizmit shtetëror, forma e organizmit të ekonomisë, ndryshuan marrëdhëniet e punës e pronës; gjithë struktura sociale pësoi ndryshime rrënjësore.
Gjithë këto ndryshime nisën me një akt të paligjshëm: marrja e pushtetit me dhunë.
Komunistët nuk e mohuan kurrë këtë, madje e përjetuan me krenari në një slogan: “Pushteti lindi nga gryka e pushkës.” Më 1960, në Moskë, Enver Hoxha e deklaroi, përpara 81 partive komuniste e punëtore, se: “Deri tashti asnjë popull, asnjë proletariat dhe asnjë parti komuniste ose punëtore s’e ka marrë pushtetin pa gjak dhe pa violencë.”

Pavarësisht marrjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme, komunistët u përpoqën ta modelonin shtetin shqiptar sipas vizionit të tyre politik dhe këtë e bënë me anë të ligjeve.
Insituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri do të organizojë konferencën ndërkombëtare “Ligjshmëria gjatë regjimit komunsit, 1944-1990”, ku studiues të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, të trajtojnë në mënyrë shkencore çështjet e ligjshmërisë gjatë regjimit komunist. Studiuesit jo shqiptarë mund të trajtojnë temën e ligjshmërisë lidhur me regjimet komuniste në Shqipëri ose vende të tjera ish-komuniste.
Konferenca synon të zhvillojë një debat shkencor rreth çështjeve të ligjshmërisë gjatë regjimit komunist.
Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit fton studiues nga fusha të ndryshme – historianë, juristë, filozofë, sociologë, politologë, etj. – të dërgojnë propozimet për prezantime në konferencën “Ligjshmëria gjatë regjimit komunsit, 1944-1990”, e cila do të mbahet më 25-26 nëntor 2020, në Tiranë.
Konferenca do të bazohet në këto tema kryesore:

• Ligjshmëria e marrjes së pushtetit nga komunistët
• Konstrukti ligjor i diktaturës së proletariatit në Shqipëri, bazuar në kushtetutë dhe ligje të tjera
• Kushtetuta dhe zbatimi i saj (1946), ndryshimet kushtetuese, kushuteta e re (1976), mbrojtja ose jo e kushtetueshmërisë
• Organizimi gjyqësor, pavarësia ose mungesa e saj
• Ligjshmëria e veprimtarisë së PPSH
• Ligjshmëria e Frontit Demokratik si subjekt elektoral
• Korniza e ligjore e Sigurimit të Shtetit
• Të drejtat themelore të njeriut, shprehja e tyre në korpusin ligjor, shkeljet e tyre
 E drejta e lirisë së fjalës
 E drejta e besimit
 E drejta e pronës
 E drejta e lëvizjes së lirë, etj.

• Të drejtat pozitive të shprehura në ligj dhe respektimi ose shkelja e tyre
 E drejta për arsim
 Për shërbim shëndetësor
 Për të punuar, etj.
 Për mbrojtje në gjykatë

• Ligjshmëria e sekuestrimeve, konfiskimeve, shtetëzimeve, etj.
• Ligjshmëria e kolektivizmit, luftës kundër kulakëve etj.
• Ligjshmëria e internimeve dhe dëbimeve (me mijëra persona qëndruan të internuar për disa dekada)
• Internimi i të miturve në raport me ligjet e brendshme dhe konventat ndërkombëtare
• Ligjshmëria e vrasjeve në kufi
• Ligjshmëria e proceseve zgjedhore
• Marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara dhe respektimi i tyre

Këto janë disa tema orientuese, por aplikuesit janë të lirë të ofrojë tema të tjera në harmoni me fokusin e kësaj konference.
Aplikantët duhet të dërgojnë një abstrakt 250-300 fjalë dhe një CV të shkurtër profesionale në adresën: info@iskk.gov.al. Afati i fundit për abstraktet është 25 maj 2020.
Pjesëmarrësit do të njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 5 qershor 2020.

PS. Sa i përket gjendjes së krijuar nga pandemia ndërkombëtare Covid-19, shpresojmë dhe dëshirojmë që deri në fund të vjeshtës, bota t’i jetë kthyer jetës normale. Megjithatë, edhe nëse nuk do të ekzistojnë kushtet që konferenca të zhvillohet në formën klasike me ligjërime në një hapësirë publike, ajo do të zhvillohet online. Gjithë punimet që do të paraqiten në konferencë do të publikohen në një botim i posaçëm.