Mbledhja e memuareve, ditareve, shënimeve autentike, dorëshkrimeve të ndryshme, fotografive, veprave artistike, artefakteve

Përveç krijimit të arkivës së dëshmive audiovizuale, Instituti ka punuar paralelisht edhe në drejtim të mbledhjes së ditareve, memuarve, korespondencës private, dhe materiale të tjera shkruara autentike, të cilat ndihmojnë në pasurimin e njohurive mbi komunizmin, në aspektet më domethënëse.

Prej dy vitesh, ISKK, përmes një njoftimi publik në website dhe rrjete sociale, dhe përmes një fushate informimi dhe sensibilizimi në aktivitete publike dhe media, ka arritur të tërheqë një bashkëpunim të konsiderueshëm në këtë pikë. Ndërsa një pjesë tjetër e punës për mbledhjen e tyre ka qenë inkurajimi i ish të persekutuarve, dhe jo vetëm i kësaj shtrese, për të shkruar përvojën e tyre që përkon me natyrën e aktivitetit tonë. Krijimi i kësaj arkive materiale do t’i mundësojë publikut të gjërë dhe studjuesve të specializuar, një bazë dokumentacioni mbi krimet e komunizmit.

Pas dorëzimit në formë maniskripti, një ekip merret me shtypjen, redaktimin dhe përgatitjen e tekstit për botim ose për përdorim në arkivë. Si rezultat, gjatë vitit 2018, në sajë të njohjes që tashmë ka krijuar veprimtaria e ISKK por edhe punës bindëse kokë më kokë, u arrit që pjesa më e madhe e veprave të botuara të ishin memuare, ose ditare. Konkretisht nga 12 vepra të botuara, 5 prej tyre ishin pikërisht në këtë gjini.

Pjesë e kësaj fushate është edhe ndërgjegjësimi mbi artefaktet, objektet të cilat paraqesin një lloj interesi mbi simbolikën komuniste që përmbajnë. Gjatë vitit 2018 ISKK trajnoi dy specialistë një një seminar trajnimi një-ditor me një ekspert të huaj të organizuar nga Muzeu “Shtëpia e gjetheve”, që i paraprin konferencës që ISKK do të organizojë me 25 shkurt të këtij viti (2019) mbi trashëgiminë materiale të Komunizmit, me fokus artefaktet, në mënyrë që të krijohet një network organizatash që do t’i shërbejnë mbledhjes së artefakteve dhe çdo gjurme tjetër material të trashëgimisë materiale komuniste. Edukimi dhe ndërgjegjësimi i publikut mbi natyrën, rëndësinë, dhe ruajtjen e trashëgimisë materiale, do të jetë synimi i këtij network-u, për të arritur në rezultate të rëndësishme konkrete.