KRIJIMI I ARKIVËS AUDIO-VIZUALE TË DËSHMIVE TË ISH- TË PËRNDJEKURVE POLTIKË
Seri video-regjistrimesh me rrëfimet e vuajtësve të drejtëpërdrejtë dhe dëshmitarëve të krimeve të komunizmit në Shqipëri
Projekt afatgjatë
2012-2023
Përshkrimi i projektit
Një nga prioritetet e ISKK prej fillimi, ka qenë mbledhja e dëshmive të të mbijetuarve të persekutimit komunist, dhe krijimi i një arkive audio-vizuale e cila do të shërbente si bazë kërkimore për studjuesit, por edhe do të publikohej në forma të ndryshme: botime, filma, muze, media. Në mungesë të evidencave zyrtare, ky projekt plotëson një hallkë shumë të rëndësishme në rikompozimin, rishkrimin e historisë së krimeve të Komunizmit, sidomos në aspektin cilësor. Në momentin që po flasim, për fat, janë akoma midis nesh mijëra të mbijetuar nga burgjet, kampet e punës, kampet e internimit, pa llogaritur pasardhësit e tyre, të cilët, edhe nëse nuk pësuan fatin e ashpër të të parëve, provuan padrejtësi të tjera në emër të tyre. Dhe ky kontigjent, përbën edhe bazën më të rëndësishme të informacionit mbi historinë e komunizmit në Shqipëri, ose anën e pashkruar e të palegjitimuar akoma, të kësaj historie.
Elie Wiesel, i mbijetuari i tri kampeve të përqëndrimit (Auschwitz, Buna, dhe Buchenwald), shkrimtar dhe fitues i Çmimit “Nobel” për Paqe në vitin 1986, duke iu referuar të mbijetuarve të holokaustit, thotë se “çdo i mbijetuar ka shumë më tepër se çfarë të thotë për atë që ka ndodhur, se të gjithë historianët bashkë.” Dhe në një kohë, kur numri i të mbijetuarve sa vjen dhe po zvogëlohet (për shkak të moshës dhe për shkak të emigrimit), mosmarrja në kohë dhe në mënyrë urgjente e këtyre dëshmive, rrezikon misionin e ISKK-së për zbardhjen dhe rishkrimin e historisë së krimeve të komunizmit, përmes një procesi transparence historike dhe gjykimi objektiv të ngjarjeve.
Ky projekt konkretisht konsiston në videoregjistrimin e intervistave me të mbijetuarit e burgjeve dhe kampeve të komunizmit. Projekti bazohet në përshkrimin cilësor më tepër se atë statistikor të ngjarjeve, i cili vjen përmes rrëfimit të përvojave, ku detajet, situatat konkrete, konteksti, personazhet realë të përfshirë në to, e bëjnë jo vetëm të pakontestueshme përvojën individuale, por, ndihmojnë edhe në plotësimin e kornizës së plotë të ngjarjeve. Si i tillë, ky projekt, më shumë se çdo iniciativë tjetër, krijon antropologjinë e regjimit komunist në Shqipëri.
Duke filluar që nga viti 2012, ISKK ka arritur të realizojë mbi 300 orë videoregjistrime.
Procesi i realizimit të video-regjistrimeve, kalon nëpër këto faza:
– Përzgjedhja dhe kontakti me të intervistuarit
– Informimi i të intervistuarit mbi natyrën e projektit, dhe se çfarë kërkohet prej tij.
– Intervistimi (disa orësh, me ose pa ndërpreje)
Metodologjia:
Përzgjedhja e të intervistuarve bëhet sipas këtij kriteri: të intervistuarit duhet të jenë vuajtës të drejtëpërdrejtë ose dëshmitarë të ngjarjeve të cilat rrëfejnë. Lidhur me metodologjinë e marrjes së këtyre dëshmive, është ndjekur modeli i intervistave të gjata disa-orëshe, pa pyetje përgatitore, duke ia lënë kështu vendin një rrëfimi të gjatë e të pasur me detaje, dhe krejt spontan. Emrat e individëve, dëshmitarëve të tjerë, vendeve, koha, përbëjnë një element mjaft të rëndësishëm në riskicimin e ngjarjes. Gjatë rrëfimit bëhen ndërhyrje vetëm për saktësimin e detajeve. Ndërkohë, intervistuesi është krejt i lirë të deklarojë ose jo emra, ose rrethana.
Akoma mbetet problematike marrja e dëshmive në zonat e largëta, për shkak të mundësisë së kufizuar logjistike të lëvizjes në terren.
Pas realizimit të videore-regjistrimeve, sipas një plani vjetor botimi, një pjesë e intervistave transkriptohen dhe përgatiten për shtyp. Ky është edhe një prej rezultateve të këtij projekti.
Nga viti 2012 që filloi ky projekt, ISKK ka botuar 5 vëllime me intervista (dëshmi) të transkriptuara, në kolanën e quajtur “Zërat e kujtesës”.
Qëllimi i projektit:
Evidentimi i krimeve të komunizmit përmes rrëfimit gojor të të mbijetuarve dhe publikimi i tyre.
Objektivat
- Krijimi i një arkive të pasur audio-vizuale të dëshmive të të mbijetuarve të terrorit komunist, si një bazë dokumentuese për studjuesit, median, dhe çdo palë të interesuar për këtë temë
- Transkriptimi dhe botimi i këtyre dëshmive si pjesë e kolanës “Zërat e kujtesës”
- Publikimi i tyre i pjesshëm ose i plotë në website-n e Institutit, në media dhe në median sociale.
Grupi i punës:
Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku (intervistim)
Luljeta Lleshanaku, Miran Butka (koordinim, transkriptim, redaktim, përgatitje për shtyp)
Partnerët
– Shoqatat e Ish të Përndjekurve Politikë
– Instituti i Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë
Gjatë vitit 2018, grupi i punës u përpoq që përmes kontakteve të arrijë të sigurojë një numër të konsiderueshëm dëshmish nga emigrantët shqiptarë dhe nga rrethet e largëta të Shqipërisë duke e zgjeruar rrezen gjeografike të projektit.
Në aspektin cilësor, dëshmitë audio-vizuale të marra gjatë kësaj periudhë, zgjerojnë njohuritë në disa aspekte të panjohura ose të njohura fare pak deri tani, siç janë: burgu i Tales dhe dhuna e përdorur në atë burg si mënyrë terrorizimi pas revoltës së Qafë Barit; kampet e vogla dhe të përkohshme të punës; fati i fëmijëve të Kampit të Tepelenës, të cilët, me një vendim qeverie, u lanë të lirë, ndërkohë që familjet e tyre vazhdonin të mbaheshin të internuara; vetë-dëmtimi fizik i të burgosurve politikë për të shmangur me çdo kusht punën e rëndë në minierë; fati i fëmijëve të kampit të Kamzës pas shpërndarjes së familjeve në kampet e tjera të punës; rastet e degradimit psiqik të personave që vuajtën kampet me tela gjatë fëmijërisë së tyre; sfida e pamundur e ri-integrimit pas daljes nga burgu; rikthimi i të arrartusurve politikë për shkak të marrëdhëveshjeve të fshehta midis shtetit shqiptar dhe atij jugosllav; presioni i vazhdueshëm ndaj familjeve të të arratisurve politikë; valët e internimeve masive nga viti 1954-1990, etj.
Në aspektin sasior, ISKK arriti që gjatë vitit 2018, të realizonte 54 orë video-regjistrime, nga të cilat 18 orë janë të realizuara në rrethe.