Prezantohet filmi dokumentar në 3D “Muzeu virtual i kampeve të Maliqit”
23 shkurt, 2021
Në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Ditët e Kujtesës 2021”, Insituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, prezatoi projektin “Muzeu virtual i kampeve të Maliqit”, objekti i të cilit qe rikrijimi i kampeve të punës së detyruar në Maliq përmes teknikave dixhitale: filmimeve në cilësinë 4K dhe grafikës 3D. Pas “Muzeut virtual të kampit të Tepelenës” prezantuar në vitin 2019, ky është produksioni i dytë në serinë e muzeve virtualë të kampeve dhe burgjeve në Shqipërinë komuniste. Më konkretisht, materiali letrar i këtij filmi është bazuar në rrëfimet me shkrim dhe dëshmitë në formë video-regjistrimesh të disa prej vuajtësve në kampet e punës së detyruar në Maliq: At Zef Pllumi, Beqir Ajazi, Ejëll Çoba, Sami Repishti, Avdyl Banushi, Makensen Bungo, Skënder Stefanllari, Lavdosh Beqo, Cezar Malile, Gani Kupi, Faik Selenica, dhe në librin “Gjurmë nga Kampi i Maliqit” të Ylber Merdanit. Konsulent i projektit: Kastriot Dervishi. Ideja e projektit dhe skenari: Luljeta Lleshanaku.
Ekipi i produksionit: grafika 3D e realizuar nga Klit Burda; regjia dhe produksioni filmik të realizuara nga Elton Baxhaku & Barraka Production.
_____________________________________________________________________________________________
Nëntor 2018.
Muzeu virtual i Kampi të Punës së Maliqit
Kampi i Punës në Maliq, që ishte një kantier pune për tharjen e kënetës, konsiderohet si një nga momentet më të tmerrshëm përsa i përket trajtimit të të burgosurve politikë, dhe si i tillë mjaft i rëndësishëm për të qenë pjesë e këtij projekti.
Nga muaji nëntor 2018, një grup pune nga ISKK i ngarkuar me projektin filmik, ka filluar punën kërkimore në arkivat shtetërore, në arkivën e video-regjistrimeve të dëshmive në Institut, dhe në kontaktimin e të mbijetuarve shumë të paktë të Kampit të Punës së Maliqit, si bazë të dhënash të domosdoshme për skenarin e dokumentarit që i kushtohet këtij kampi. Po bëhen kërkime për gjetjen e projektit të tharjes së Maliqit, për të përcaktuar planimetrinë, të dhënat fizike dhe proceset e punës. Ndërsa përsa i përket mënyrës se si ishte ndërtuar kampi, si funksiononte, e aq më tepër mbi mënyrën e trajtimit të të burgosurve, do të bëhet një tjetër kërkim, kryesisht në dëshmitë e të mbijetuarve të këtij kampi.
Ky projekt konsiderohet mjaft i vështirë, për shkak të mungesës së dëshmitarëve dhe mungesës së evidencave fizike të kampit, pasi lokacioni është transformuar i gjithi pas tharjes së kënetës. Për këto arsye, puna kërkimore për këtë projekt parashikohet të zgjasë më shumë se një vit.