Fjala e Drejtorit Ekzekutiv Z. Agron Tufa në Kuvendin e Shqipërisë


 

I nderuar z. Kryetar/ E nderuara zonja n/kryetare e Kuvendit,
Të ndruar zonja dhe zotërinj deputetë,

Para se të nis raportimin mbi veprimtarinë vjetore të ISKK, ju kujtom se Instituti ynë sapo shënoi përnderimet jubilare për dy prej Revoltave të të burgosurve politikë, përkatësish Revoltave të Spaçit dhe Qafë Barit, të cilat edhe pse u shtypën barbarisht nga makina e dhunës policore të Diktaturës, edhe pse shtypja shënoi nivele të reja të përgjakshme të lirisë, përmes pushkatimeve dhe ridënimeve, ato trandën themelet kriminale të diktaturës komuniste, qenë prologu i afërt i shembjes së saj. Këtyre aktiviteteve tona përkujtimore në “Javën e Qëndresës” u është bashkangjitur që në fillim dhe një grup kolegësh nga Gjermania, e Kryesuar nga Dr. Anna Kaminsky, Drejtoreshë e Fondacionit Federal për zbardhjen e Dikaturave në Gjermani.

Më poshtë po paraqes në mënyrë të përmbledhur Raportin Vjetor të ISKK të vitit 2018, për të cilën dhe jam thirrur në këtë sallë të nderuar.

I nderuar Kryetar

Në përputhje me misionin e përcaktuar me ligj dhe me detyrat e ngarkuara nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë mbi aktivitetin vjetor, gjatë vitit 2018 Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), që ka për detyrë të studiojë përiudhën e komunizmit, e cila sipas ligjit tonë organik thotë: “Periudha e komunizmit” është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila, më pas, u shndërrua në Partia e Punës e Shqipërisë”, sipas Rezolutave të Kuvendit dhe në përputhje me ligjin e sipërcituar, ISKK e ka konsoliduar aktivitetin e tij nga viti në vit me projekte me projekte afatgjatë. Instituti e ka zgjeruar aktivitin e tij përmes bashkëpunimit me institucione të tjera dhe veçanërisht përmes forcimit aksesit të tij publik. Siç e konfirmojnë edhe rezultatet vjetore, ndjekja e një strategjie të tillë, ka sjellë edhe një menaxhim më efikas të burimeve njerëzore dhe buxhetit.

 

Konkretisht, përveç projekteve që tashmë hyjnë në vitin e tyre të tetë siç është Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist” apo kolana e dëshmive “Zërat e Kujtesës” bashkë me arkivat e tyre mbështetëse, projekteve afatgjata të ISKK gjatë 2017, iu shtua edhe ai arsimor në shkollat e mesme, i cili gjatë vitit 2018 u zgjerua edhe në rrang universitetesh. Ndërkohë, një projekt tjetër afatgjatë i konkretizuar gjatë vitit 2018, ishte ai i Muzeut Virtual të Komunizmit, dhe brenda këtij viti, ISKK prodhoi filmin e parë ne 3D “Muzeu virtual i Kampit të Tepelenës”, duke i paraprirë kështu një serie fimash të tjerë që priten të realizohen gjatë katër viteve në vijim. Ndërkohë përvoja tashmë pothuajse tetëvjeçare dhe kualifikimi i punonjësve, ka shërbyer si një nxitje e iniciativave të pavarura brenda ISKK dhe në rrafshin ndër-institucional. Si rezultat, gjatë vitit 2018, startuan edhe tre projekte të reja, siç janë ekspozita online me foto “Para dhe Pas”, video-montazhet, dhe alternimi i projekteve arsimore me vizitat në muze. Pra, përveç projekteve të cilat vazhdojnë të mbeten urgjente (siç janë video-regjistrimi i dëshmive, databaza e dokumentacionit dhe bisedat nëpër shkolla), ISKK gjatë vitit 2018, i ka dhënë një rëndësi të veçantë strategjisë së komunikimit: gjetjes së mënyrave dhe mjeteve të shpejta, interesante, efikase, të memorizimit të dramës së komunizmit nga publiku. Si rrjedhim, Instituti ka krijuar materiale të mjaftueshme për të ndërmarrë projekte të kësaj natyre.

 

Por përveç thellimit, zgjerimit dhe rritjes së aksesit publik, çdo aktivitet vjetor i përgjigjet një master-plani të përllogaritur me kujdes në dobi të hapave të mëtejshëm, ne vitet në vazhdim. Konkretisht, projekti i muzet digjital ose virtual i Kampit të Tepelenës që u relalizua gjatë vitit 2018, i parapriu programit për vitin 2019, prioriteti i të cilit, do të jetë trashëgimia materiale komuniste. Ndjekja e kësaj logjike lineare, koherence aktivitetesh, pritet të ndihmojë në përmbushjen me sukses të objektivave afatgjata të ISKK për tre-katër vitet në vazhdim.

 

Në mënyrë të përmbledhur, disa nga rezultatet e matshme të aktivitetit vjetor 2018, janë:

 

  1. Realizimi i një cikli bisedash me nxënës të të gjitha moshave, me prioritet universitetet. Karakteristike për vitin 2018, është aplikimi i formave alternative të komunikimit me studentët, siç ka qenë bashkëpunimi me muzeun”Shtëpia e gjetheve”, apo në kuadër të Shkollës Verore në Fakultetin e Historisë, në Universitetin e Tiranës.

 

  1. Botimi i 11 librave të rinj (studime shkencore, albume, botime dokumentuese, memuare, letërsi publicistike, botime historike). Pjesa dominuese e këtyre botimeve, janë në zhanrin e memuarit.

 

  1. Botimi i vëllimit të shtatë të kolanës Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist”, e cila pasqyron statistikisht në mënyrë të dokumentuar të gjithë viktimat e regjimit komunist, format e dënimit, masën e dënimit, vendimet ligjore dhe jetëshkrimin.

 

  1. Realizimi i rreth 54 orëve video-regjistrime me dëshmi të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet e regjimit komunist.

 

  1. Realizimi i filmit “Muzeu virtual i Kampit të Tepelenës”. Ky është filmi i parë dokumentar i ciklit të muzeve virtualë, që është një nga projektet afatgjatë të ISKK. Dokumentari bazohet mbi xhirimet aktuale të gjendjes së sotme në cilësinë 4K dhe ri-krijimin e atij kampi me anë të grafikës 3D. Ky projekt, synon të krijojë vizualisht vendet e vuajtjes (burgjet dhe kampet e internimit), duke përdorur gjurmët ekzistuese dhe teknikat dixhitale.

 

  1. Puna kërkimore për “Muzeun virtual të kampit të Punës në Maliq” dhe për “Muzeun virtual të Burgut të Ballshit”

 

  1. Realizimi i dhjetë konferencave ekskluzive të ISKK

 

  1. Bashkëpunimi aktiv në rreth dymbëdhjetë konferenca, simpoziume, tubime të organizuara nga institucione të tjera.

 

  1. Pasurimi databazës së të dhënave mbi viktimat e komunizmit me statistika të reja.

 

  1. Krijimi i tre video-montazheve më dëshmitë më domethënëse të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Një video-montazh është i përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe i është shpërndarë institucioneve homologe të kujtesës.

 

  1. Nisja e punës kërkimore për krijimin e ekspozitës fotografike online “PARA dhe PAS”, e cila krijon përmes fotografisë, idenë e transformit të shoqërisë shqiptare pas instalimit të komunizmit

 

  1. Trajnimi i gjashtë personave të ISKK në tre seminare trajnimi, duke përftuar përvojë në përdorimin e dokumenteve në epokën digjitale dhe në mënyrën se si të mbajmë gjallë kujtesën mbi të shkuarën përmes narracionit

 

  1. Pranimi i ISKK si anëtare në rrjetin ndëkombetar të institucione të kujtesës “Platform of European Memory and Conscience”

 

  1. Promovimi në rreth njëzet aktivitete i produktit studimor të ISKK dhe shpërndarja e botimeve të ISKK në të gjitha bibliotekat e Republikës.

 

  1. Hartimi i një Draft-Projekt Propozimi drejtuar Parlamentit mbi dekomunistizimin e simbolikës në hapësirën publike

 

  1. Hartimi i akteve zyrtare lidhur me dekomunistizimin e ambjenteve publike.

 

  1. Angazhimi i studjuesve të ISKK në debatet shkencore, në debatet në median e shkruar dhe atë elektronike.

 

  1. Përpunimi i 62 mijë dokumenteve elektronike. Zbardhja e një serie tjetër dosjesh për katër studime të ndryshme.

 

  1. Asistenca me informacion ish të përsekutuarve politikë për proceset denoncuese ndaj persekutorve të tyre.

 

 

 

MBI ZBATIMIN E KËRKESAVE TË REZOLUTËS SË KUVENDIT TË SHQIPËRISË PËR INSTITUTIN E STUDIMIT TË KRIMEVE DHE TË PASOJAVE TË KOMUNIZMIT PËR VITIN 2018

Gjatë vitit 2018, në përputhje me misionin dhe detyrat e përcaktuara me ligj dhe në përputhje me kërkesat e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2017”, ky Institut e ka zgjeruar aktivitetin e tij dhe e konsoliduar atë përmes projekteve aftagjatë, me një vizion të qartë për vitet në vijim dhe me një menaxhim më efikas të burimeve njerëzore dhe buxhetit.

 

Konkretisht, i kategorizuar sipas pikave të Rezolutës, veprimtaria e vitit 2018 mund të përmblidhet në këtë mënyrë:

 

  1. Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të vazhdojë informimin e të rinjve të shkollave të mesme mbi periudhën e regjimit komunist në të gjithë territorin e vendit. (Rezoluta)

Gjatë vitit 2018, ISKK realizoi një seri prej tetë bisedash nëpër shkolla. Por ndryshe nga viti që shkoi, bisedat u shtrinë edhe në shkolla tetëvjeçare dhe universitete, duke e konsideruar këtë si një mundësi për zgjerim audience e veçanërisht për inkurajimin e punës studimore mbi një tematikë të tillë. Veçanti tjetër e projektit arsimor të këtij viti ka qenë edhe ndërthurja e leksioneve mbi komunizmin me vizitat në muze, siç qenë dy takime të tilla në Muzeun “Shtëpia e gjetheve” në kryeqytet apo disa aktivitete në kuadër të Shkollës Verore në Fakultetin e Historisë, në Universitetin e Tiranës, duke e bërë më tërheqëse dhe më të prekshme temën e komunizmit për këtë brez. Gjatë këtyre takimeve, përveç informimit të përgjithshëm, janë promovuar edhe botimet apo produktet e reja të ISKK. Një tjetër risi gjatë vitit 2018, ka qenë edhe zgjerimi i territorit të aktivitetit në universitete dhe biblioteka në Kosovë, duke ngacmuar interesin e studjuesve të rinj në anën tjetër të kufirit. Aktualisht, katër aktivitete të tilla janë realizuar në Kosovë, në formë takimesh informuese apo konferencash shkencore.

 

Duke marrë në konsideratë përvojën e një viti më parë, gjatë vitit 2018, ISKK është përpjekur të gjejë qasje alternative, më efikase, forma të reja të komunikimit me studentët. Paralelisht me programin e takimeve nëpër shkolla, ne kemi prodhur mjete audio-vizuale, montazhe filmike, dhe së fundmi filmin e parë dokementar ne 3D mbi kampin e Tepelenës, që pritet të ketë një impakt të menjëhershëm dhe të gjërë veçanërisht tek ky brez, përmes bisedave konkrete apo internetit.

 

Jo më pak e rëndëishme lidhur me subjektin, është edhe shpërndarja falas e gjithë botimeve të ISKK nëpër bibliotekat e shkollave të mesme që është gjithashtu pjesë e marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si edhe në bibliotekat e të gjitha rretheve.

 

 

  1. Të evidentojë dhe të studiojë mekanizmat e kontrollit absolut të ish- regjimit komunist në të tria pushtetet: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, si mënyrë për të kuptuar natyrën e totalitarizmit dhe impaktin në strukturën social- kulturore të shoqërisë gjatë periudhës së regjimit komunist. (Rezoluta)

 

Ky aspekt karakterizues i regjimin komunist në Shqipëri, materializohet në forma të ndryshme në një seri projektesh të ISKK gjatë vitit 2018. Më konkretisht:

 

  • Botimi i studimit “Komiteti Ushtarak i Delvinës”, që është edhe vëllimi 5 i serisë “Akte gjyqësore politike gjatë komunizmit në Shqipëri”, pasqyron në mënyrë të detajuar kontekstin të persekutimit gjatë viteve 1947-1948 të të ashtuquajturit “Komiteti Ushtarak Klandestin” të Regjimentit 7 të Delvinës. Ky proces i montuar politik, nga Sigurimi i Ushtrisë në qendër dhe në Regjiment drejtuar nga Koçi Xoxe, nën udhëzimet Enver Hoxhës kishte si qëllim të terrorizonte radhët e ushtrisë në jugun e vendit, duke dënuar ushtarakët nacionalistë apo që kishin ardhur me misionin amerikan nga Bari, si Alush Sejko. Libri është i ndarë në tre kapituj; Kapitulli i parë: “Procesi Hetimor”, Kapitulli i dytë: “Procesi i Gjykimit”, Kapitulli i tretë: “Përpunime të Sigurimit dhe Rihapja e Çështjes”, Apendiksi.

 

  • Asistencë informacioni për organet ndërkombëtare të drejtësisë.

Gjatë muajve dhjetor 2018 – shkurt 2019 nga ISKK i është përgjigjur kërkesës për informacion të fondacionit shtetëror gjerman “Justitia et Pax” mbi ish komandantitn e policisë të kamp-burgut politik të Qafë – Barit (1982-1984) Edmond Caja (tani qytetar gjerman me azil politik), mandej dhe komandant i këtij kamp-burgu (1984-1989).

  • Informimi i publikut mbi praninë e ish-pjesëtarëve të Sigurimit të shtetit në institucionet qëndrore dhe administratën publike (Në zbatim të detyrave të përcaktuara nga Ligji 10242, datë 25.02.2010, neni 5, shkronja “f”, në akord me të cilën ISKK “vë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave”).

  • Botimi i volumit të shtatë të serisë “Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist”, i cili pasqyron jo vetëm format e dënmeve, por edhe akt-akuzat dhe vendimet gjyqësore të individëve të përfshirë në këtë studim.

 

  • Botimi i vëllimit të pestë “Zërat e kujtesës”, që është një transkriptim i dëshmive të persekutimit komunist, në të cilin pasqyrohen përvoja individuale me Ish Sigurimin e Shtetit, proceset e hetuesisë, gjyqet dhe prapaskenat e tyre, dënimet pa gjyq, roli i operativëve të Sigurimit në kampet e internimit, roli i Sigurimit në përçarjen e njerzve nëpër burgje, metodat e presionit fizik dhe pskologjik, etj.

 

  • Në tetë botimet e tjera të ISKK, gjashtë prej të cilëve janë të natyrës së memuarit, pasqyrohen forma specifike të ndërhyrjes së Sigurimit të Shtetit në jetën e individit.

 

  • Video-regjistrimet e dëshmive gjatë vitit 2018, të cilat arrijnë në 54 orë, sjellin forma të ndryshme të përvojës me Sigurimin e Shtetit dhe me drejtësinë komuniste. Spikasin përvojat në hetuesi, dhe presioni për bashkëpunim.

 

 

  1. Botimet e përgatitura nga ISKK- ja tu nënshtrohen analizave paraprake dhe miratimit nga bordi shkencor i ISKK- së, përpara botimit të tyre. (Rezoluta)

 

Gjatë vitit 2018, ISKK botoi 12 libra: 5 botime studimore/ dokumentuese, 6 botime memuartisike, dhe 1 literaturë nga burgjet dhe kampet. Për secilin prej tyre, është ndjekur e njejta procedurë, sipas së cilës, të gjithë tekstet e propozuar për botim, i parashtrohen Bordit Ekzekutiv dhe Bordit Akademik. Pas një shqyrtimi të hollësishëm, dy bordet përzgjedhin tekstet që ata ndjejnë të përshtatshëm për botim, në përputhje me kriteret e përcaktuara që në fillim sipas objektit të ISKK, dhe në përputhje me buxhetin vjetor. Edhe gjatë vitit 2018, botimet iu nënshtruan kësaj procedure. Prioriteti që iu dha botimeve memuartistike vitin që shkoi, ka të bëjë me cilësinë dhe impaktin që ata priten të kenë tek audienca, veçanërisht tek brezi i ri.

 

  1. Të kryejë studime të tipologjisë së metodave të veprimit të ish- Sigurimit të Shtetit, survejimi, nënshtrimi psikologjik dhe moral i qytetarëve, në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish- Sigurimit të Shtetit. (Rezoluta)

Gjatë vitit, është punuar edhe në kërkimin dhe përpunimin e dokumentacionit të marrë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish- Sigurimit të Shtetit, mbi këto projekte:

  • Zbardhja e dokumentacionit të Kryengritjes së Zhapokikës;
  • Përpunimi i dokumentacionit mbi“Komitetin Ushtarak të Delvinës”,
  • “Nikollë Dakaj, mes perkthimit dhe proceseve politike” monografi.Kronologji e platformave politike, të Sigurimit të shtetit, dhe të DMP sipas Historikut së Armës të Sigurimit Shtetit
  • Bibliografi e vdekjeve në kampet e Kënetës së Maliqit

 

Ndërkohë, nga Drejtoria e Arkivës i është bërë kërkesë Autoritetit të Informimit për Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, për dosjet e mëposhtme, por nuk ka marrë akoma përgjigje:

 

Arkivi i ish Sigurimit të shtetit, vitet 80. Urdhër i ish-ministrit të Brendshëm Hekuran Isai

– Dosje formulare 5076 nga arkivi i Ministrisë së Brendshme.

– Platforma e sigurimit e vitit 1948, 1958, 1986, 1987; Historiku i Sigurimit

– Dosje nga arkivi i Ministrisë së Brendshme: Fondi 4 (Shtabi)

  1. Të konsolidojë bashkëpunimin me AIDSSH-në, me fokus të veçantë çështjet që kanë të bëjnë me aksesimin e arkivave nga të dyja institucionet. (Rezoluta)

Përveç projekteve të mësipërme, ISKK ka bashkëpunuar me AIDSSH në pesë konferenca shkencore përmes kumtesave dhe pjesëmarrjes aktive në debate. Ndërkohë ISKK i ka ofruar AIDSSH botimet, skicat e Kampit të Tepelenës për aktivitete sensibilizimi, dhe çdo gjë që është kërkuar prej AIDSSH. Por duke pasur parasysh misionin dhe natyrën e punës së dy institucioneve, bëhet e qartë që është AIDSSH institucioni që pritet të ushqejë me informacion institucionet kërkimore, dhe jo e kundërta. Dhe siç e përmendëm më sipër, AIDSSH, ndoshta për shkak të ngarkesës, nuk na është përgjigjur në kohë për kërkesat që ne u kemi paraqitur gjatë vitit që shkoi, duke shtyrë afatin e zbatimit të disa projekteve tona kërkimore.

  1. Të vazhdojë informimin, me qëllim rritjen e ndjeshmërisë publike ndaj krimeve të komunizmit, përmes aktiviteteve akademike, botimeve, medias dhe rrjeteve sociale. (Rezoluta)

Një nga prioritetet e vitit 2018, ka qenë rritja e aksesit të publikut në produktin e ISKK. Ndaj një pjesë e mirë e energjisë, është fokusuar në gjetjen e formave dhe mjeteve që kanë impakt të shpejtë, të gjërë dhe të fuqishëm tek publiku, pa kufizim. Aktivitete të tilla janë:

 

  • Realizimi i filmit “Muzeu virtual i Kampit të Tepelenës”. Ky është filmi i parë dokumentar i ciklit të muzeve virtualë, që është një nga projektet afatgjatë të ISKK. Dokumentari bazohet mbi xhirimet aktuale të gjendjes së sotme në cilësinë 4K dhe ri-krijimin e atij kampi me anë të grafikës 3D. Ky projekt, synon të krijojë vizualisht vendet e vuajtjes (burgjet dhe kampet e internimit), duke përdorur gjurmët ekzistuese dhe teknikat dixhitale. Ndërkohë, ka filluar puna kërkimore për “Muzeun virtual të kampit të Punës në Maliq” dhe për “Muzeun virtual të Burgut të Ballshit”

 

  • Krijimi i tre video-montazheve më dëshmitë më domethënëse të krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe shpërndarja e tyre për qëllimi informimi dhe didaktike.

 

  • Puna kërkimore për ekspozitën online “PARA dhe PAS”, e cilat materilizohet gjatë vitit 2019.

 

  • Digjitalizimi i botimeve të Institutit, dhe botimi i tyre online për një mundësi të pakufizuar aksesi.

 

  • Përdorimi në masë i rrjeteve sociale.

 

  • Angazhimi në media: gjatë vitit që shkoi, numërohen 16 artikuj, intervista, debate televizive, nga ana e ISKK ne media. të cilat kanë të bëjnë me aktivitetin e Institutit. Ndërkohë, konferencat dhe botimet, kanë gjetur një pasqyrim të vazhdueshëm në media.

 

  • Hartimi i një Draft-Projekt Propozimi drejtuar Parlamentit mbi dekomunistizimin e simbolikës në hapësirën publike.

 

  • Hartimi i akteve zyrtare mbi ruajtjen e trashëgimisë materiale të komunizmit në Shqipëri.

 

 

  1. Të përmirësojë transparencën dhe efiçencën e institucionit, përmes zgjerimit të bashkëveprimit me institucionet e tjera, universitete dhe qëndrat studimore. (Rezoluta)

 

Një nga pikat më të forta të aktivitetit gjatë vitit 2018 të ISKK, ka qenë zgjerimi i bashkëpunimit me institucionet vendase, përmes konferencave të përbashkëta, pjesëmarrjes në konferenca, pjesëmarrjes në ëorkshope dhe trajnime, shkëmbimit të informacionit, dhe bashkërendimit të aktiviteteve.

Konkretisht, vitin që shkoi, ISKK realizoi 10 konferenca apo tubime, dhe secila prej tyre, ishte një formë bashkëpunimi me institucione të tjera që i shërbejnë transparencës së të shkuarës komuniste, me qendrat arsimore ose me pushtetin lokal. Ndërkohë, ISKK i është përgjigjur çdo thirrjeje për bashkëpunim nga institucione të tjera, si angazhim në 12 konferenca të tjera. Në këto bashkëpunime, siç pasqyrohet në mënyrë të zgjeruar edhe në raport, mund të përmenden: Muzeu “Shtëpia e gjetheve”, Fondacioni “Drejtësi dhe paqe”, “Instituti për Demokraci, Media dhe Komunikim”, “Instituti i Studimeve Lumo Skendo”, “Autoriteti për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit”, shoqatat e Ish të Përndjekurve Politikë në Tiranë dhe rrethe, Arkiva online KUJTO, Akademia e Shkencave, Biblioteka Kombëtare, Universiteti i Tiranës, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti Bedër, Universiteti i Elbasanit, Bashkia e Librazhdit, etj. Ndërsa bashkëpunimi me Institutin e Integrimit të Ish Përndjekurve Politikë, konsiston prej vitesh veçanërisht në shkëmbimin e informacioni (dokumentacionit) për arkivën ose dabaze-n, projekt i cili konkretizohet në serinë e botimeve “Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit në Shqipëri”.

Ndërkohë, siç përshkruhet në raport, përveç intership-it, ISKK ka ofruar bazë studimore për studentët studentë në Master apo Doktorantë, dhe ka udhëhequr katë tema diplome. Ka bashkëpunuar edhe me aktivistë socialë dhe media, për përgatitjen e filmave dokumentarë duke i ofruar dokumentacion dhe kontakte.

Pjesë e bashkëkunimit është edhe shkëmbimi i ekspertizës. Gjatë vitit që shkoi, ISKK trajnoi 3 punonjës në Muzeun “Shtëpia e gjetheve”, dhe katër punonjës të tjerë në një ëorkshopin ndërkombëtar të organizuar nga Arkiva online KUJTO.

 

 

  1. Të ndërkombëtarizojë historinë e komunizmit në Shqipëri, përmes zgjerimit të rrjetit të aktiviteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë.(Rezoluta)

Gjatë vitit 2018, ISKK ka qenë pjesëmarrëse në 7 aktivitete ndërkombëtare, të mbajtura në Shqipëri ose jashtë. Gjatë këtyre aktiviteteve ISKK, ka ofruar përvojën e saj, në çështje të tilla si: përdorimi i dokumentacionit në epokën digjitale, përdorimi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit, dekomunistizimi i shoqërisë, menaxhimin i trashëgimisë materiale të komunizmit,etj.

Krahas forcimit të bashkëpunimit me institucionet homologe të memories dhe partnerëve të huaj me të cilët ne tashmë kemi një histori bashkëpunimi, gjatë 2018, ISKK u pranua si anëtare në rrjetin ndëkombetar të institucione të kujtesës “Platform of European Memory and Conscience”. Gjatë vitit 2019, planifikojmë të jemi pjesëmarrësh në aktivitetet e këtij rrjeti ndërkombëtar.

 

Ndërkohë, për një akses të mundshëm nga ana e institucioneve të huaja në përmbajtjen e produkteve të ISKK, gjatë vitit 2019, realizuam përkthimin në anglisht të dy projekteve filmike: një filmi në formë video-monazhi, dhe filmit dokumentar në 3D “Muzu virtual i Kampit të Tepelenës”.

 

 

  1. Të pasurojë database- in me të dhëna statistikore të viktimave të komunizmit në Shqipëri, në të tria kategoritë: ekzekutim, burgim dhe internim, si dhe t’i bëjë të aksesueshme për qytetarët (Rezoluta)

 

Gjatë vitit që shkoi , u realizua përpunimi i 62 mijë dokumenteve elektronike dhe zbardhja e një serie tjetër dosjesh për katër studime të ndryshme. Sipas planit vjetor, një pjesë e punës konkretizohet në serinë “Fjalor enciklopedik i terrorit komunist”, dhe gjatë vitit 2018 u botua volume i VII-të i kësaj serie. Këtu përmblidhen të tria kategoritë e përmendura më sipër: ekzekutim, burg, internim, madje edhe dëbim. “Fjalor enciklopedik i terrorit komunist”, është i aksesueshëm nga të gjithë, në versionin PDF në faqen elektronike të Institutit,

 

Një arkivë tjetër dinamike të dhenash, përbën projekti i dëshmive gojore në formë video-regjistrimesh. Informacionet e reja që vijnë nga ky projekt, i nënshtrohen verifikimit dhe plotsimit përmes kërkimit në arkiva.

 

KONKLUZIONE

Pra, gjatë vitit 2018, veprimtaria e ISKK konsistoi në:

 

  • Informimin e të rinjve të shkollave të të gjitha niveleve mbi periudhën komuniste, në aspektin politik, social-ekonomik dhe kulturor.

 

  • Qartësimin dhe pasurimin e ngjarjeve historike që lidhen me aktet gjyqësore politike gjatë periudhës 1947-1948, dhe proceset e fabrikimit të të ashtuquajturave “grupe armiqësore” në Ushtri.

 

  • Evidentimin e krimeve, akteve të dhunshme, të kryera nga levat e Sigurimit të Shtetit dhe organet e tjera të komanduara të regjimit, veçanërisht në burgjet dhe kampet gjatë periudhës 1975-1985.

 

  • Zgjerimin e informacionit mbi krimet e komunizmit në Shqipëri përmes dëshmive të të mbijetuarve, memuareve, dhe ditareve.

 

  • Njohjen me trashëgiminë materiale të komunizmit dhe mbrojtjen, konservimin e saj, përmes projektit të muzeve virtualë të kampeve dhe burgjeve dhe ekspozitës online.

 

  • Sensibilizimin mbi mbrotjen e trashëgimisë materiale të komunizmit si një element i domosdoshëm i kujtesës kolektive.

 

  • Gjetjen e mënyrave efikase të memorizimit të së shkuarës komuniste përmes projekteve filmike, audio-vizuale, dhe përdorimit të teknologjive dixhitale.

 

  • Zgjerimin e informacionit mbi sistemin e internim-dëbimeve dhe punën e detyruar në Shqipëri.

 

  • Zgjerimin e database-s mbi krimet e komnizmit në Shqipëri përmes dëshmive të të mbijetuarve, memuareve, dhe ditareve.

 

 

  • Rritjen e impaktit publik mbi historinë e komunizmit në Shqipëri, përmes projekteve interaktive.

 

  • Rritjen e aksesit publik mbi historinë e komunizmit në Shqipëri, përmes publikimit online të studimeve të këtij Instituti.

 

  • Rritjen e aksesit publik përmes promovimit të gjërë të veprave të ISKK dhe shpërndarjes së tyre falas në të gjitha bibliotekat e vendit

 

  • Informimin dhe rritjen e ndjeshmërisë publike ndaj krimeve të komunizmit, përmes aktiviteteve akademike, botimeve, medias dhe rrjeteve sociale.

 

  • Pasurimin me fakte dhe nxitjen e debatit shkencor dhe mediatik në lidhje me kampet me tela, si forma monstruoze të trajtimit të grave, të moshuarve, dhe sidomos të miturve.

 

  • Evidentimin e keqtrajtimit të të moshuarve, dhe të paaftëve për punë, në kampet-burgje.

 

  • Denoncimin e ilegjitimitetit të masës së internimit për të miturit.

 

  • Evidentimin e kultit të individit të krijuar nga diktatori përmes falsifikimit të historisë dhe mjeteve të propagandës.

 

  • Thellimin e bashkëpunimit me institucione të tjera homologe jashtë vendit, përmes shkëmbimittë ekspertizës.

 

  • Denoncimit e rasteve të përdorimit të simbolikës komuniste në vende publike.
  • Rritjen e efikasitetit të aktivitetit të Institucionit, përmes zgjerimit të bashkëveprimit me institucionet të tjera, universitete apo qendra studimore.

 

  • Ndërkombëtarizimin e historisë së komunizmit në Shqipëri, përmes zgjerimit të rrjetit të aktiviteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

 

  • Pasurimin e database-s me të dhëna statistikore dhe cilësore të viktimave të komunizmit në Shqipëri, në të tria kategoritë: ekzekutim, burgim dhe internim.

 

  • Interpretimin e situatës politike që solli në pushtet komunistët, duke iu dokumenteve të deklasifikuara të Shërbimit Inteligjent Britanik (SOE) në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 

  • Dokumentimin e formave të izoluara të rezistencës antikomuniste, shtypjen dhe ndëshkimin që i pasoi.

 

  • Analizimin e ngjarjes së ndëshkimit masiv mbi popullsinë e Mirditës, të njohur si “Masakra e Mirditës”, nën dritën e fakteve të reja.

 

  • Evidentimin e rasteve të reja të kthimit të të arratisurve politikë, si rezultat i marrëveshjeve të fshehta midis Shqipërisë dhe shtetit jugosllav.

 

  • Evidentimin e rasteve të reja të përvetësimit të paligjshëm të pronës të individit nga shteti komunist.
  • Plotësimin e hartës së veprave industriale dhe bujqësore të ndërtuara me punën e të burgosurve politikë dhe përshkrimin e kushteve në këto kampe pune.

 

  • Krijimin e një tipologjie të metodave të veprimit të ish-Sigurimit të shtetit; survejimi, nënshtrimi psikologjik dhe moral i qytetarëve.

 

  • Evidentimin e rasteve të reja të dhunës fizike dhe kushteve mizore të trajtimit në hetuesi.

 

  • Evidentimin e përçarjeve që krijoi e ashtuquajtura ‘Luftë e klasave”, dhe roli i organizatave të masave në këtë përçarje të popullsisë.

 

  • Evidentimin e rezistencës morale dhe kulturore nëpër burgje, kampe dhe kushte të tjera privimi.

 

 

  1. VIZIONI PËR VITIN 2019

Në vazhdimësi të një plani stretegjik, një nga prioritetet e ISKK gjatë vitit 2019, do të jetë trashëgimia materiale komuniste. Ky projekt, do të shtrihet në tre drejtime: produkt, kualifikim, fushatë sensibilizuese. Parashikohen një mori aktivitetesh të tilla si: krijimi i muzeut virtual të Burgut të Ballshit, konferenca mbi trashëgiminë materialë që mbahet me 25 shkurt 2019, ekspozita online, trajnime të grupeve vullnetare mbi gjetjen e artifakteve që simbolizojnë këtë periudhë, krijimi i një netëork-u me institucione të tjera të kujtesës posaçërisht mbi këtë temë, realizimi i një fushate ndërgjegjësimi duke përdorur mediat sociale, dhe trajnimi i dy specialistëve të në Muzeun e Berlinit. Vënia e trashëgimisë materiale si fjalë çelës për vitin 2019, vjen si rezultat i përvojës disavjeçare të ISKK mbi këtë temë, por edhe i projekteve specifikë përgatitorë.

 

Database-i dhe arkiva audio-vizuale e dëshmive të të mbijetuarve, vazhdojnë të mbeten një aktivitete konstante dhe intensive, ndërkohë që do të forcohet aksesi i tyre publik përmes publikimit online, prodhimit të filmave, apo shpërndarjes me të drejtë përdorimi të këtij informacioni në site të tjera të kujtesës, siç ka qenë vitin që shkoi faqja KUJTO. AL.

Ndërkohë projekti arsimor vazhdon të mbetet mjaft i rëndësishëm dhe ISKK tashmë ka përgatitur kalendarin e përfërt të takimeve nëpër shkolla. Por, përveç alternimit të bisedës nëpër shkolla me vizitat në muze (që qe një risi vitin që shkoi), gjatë vitit 2019, synojmë që të pasurojmë programin edukues me forma interaktive, si: shfaqjen e muzet virtual, rikrijimin e historisë së komunizmit përmes metodave të pedagogjisë moderne, debatet dhe konkurset, etj.

 

Përveç botimeve të përvitshme, në vitin 2019, ISKK parashikon gjithashtu një seri konferencash, kombëtare dhe ndërkombëtare, por me tematika më të specifikuara se më parë, si: reformat socialiste dhe sekuestrimi i pronës, Lufta e Dytë Botërore dhe instalimi i komunizmit sipas arkivave perëndimore; paligjshmëria e provesit të internim-dëbimeve, terminologjia propagandistike e shtetit komunist, etj. Po kështu ISKK parashikon të bashkëpunojë me institucione të tjera të kujtesës, në të tjera konferenca mbi çështje të cilat janë objekt studimor i saj.

Gjatë 2019, parashikohet edhe kualifikimi i mëtejshëm i punonjësve përmes kurseve të trajnimit apo ëorkshop-eve brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht lidhur me menaxhimin e dëshmive orale, dixhitalizimin e dokumentacionit, përpunimin e artefakteve, etj.

 

  • OBJEKTIVAT DHE VIZIONI PËR TRE VITET NË VAZHDIM

Gjatë tre viteve në vazhdim, ISKK, përmes aktivitetit të saj, synon të realizojë këto objektiva:

  1. Dokumentimi i të gjitha formave të dënimit politik në Shqipëri

Projektet afatgjatë:

  • Botimi i tre volumeve të tjera të “Fjalorit enciklopedik të viktimave të komunizmit në Shqipëri
  • Pasurimi i databases- me dokumentacion mbështetës.
  • Realizimi dhe botimi i një serie studimeve shkencore mbi aktet gjyqësore, dënimet pa gjyq, dhe masat e internim-dënimeve
  • Botimi (në varësi të prurjeve të bashkëpunëtorëve) i një serie studimesh kërkimore që trajtojnë aspekte specifike të kësaj teme
  • Botimi i monografive.

 

 

  1. Krijimi i antropologjisë së regjimit komunist në Shqipëri

Projekte afatgjatë:

  • Botimi i tre volumeve të tjera të serisë së dëshmive të të mbijetuarve të titulluar “Zërat e kujtesës”
  • Pasurimi i arkivës audiovizuale të dëshmive të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet në Shqipërinë komuniste
  • Botimi i një studimi mbi përvetësimin e pronës në komunizëm, tatimet e jashtëzakonshme dhe sekuestrimin e arit.
  • Realizimi i një konference shkencore ndërkombëtare mbi menaxhimin e pronës në regjimet komuniste të Europës Lindore
  • Botimi i një serie memuaresh, me përvoja të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet
  • Realizimi i një studimi mbi dëmtimin psiqik të viktimave të të dënuarve politikë.

  1. Informimi i brezit të ri mbi natyrën e komunizmit në Shqipëri dhe mbi sistemet totalitare në përgjithësi.

Projekte afatgjatë:

  • Realizimi i një serie tre-vjeçare bisedash nëpër shkolla të mesme dhe tetëvjeçare, universitete, dhe bashkëpunime mbi studime shkencore.
  • Bashkëpunimi sipas marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës mbi përmirësimin dhe pasurimin e kurrikulave shkollore për dekomunistizimin e teksteve.
  • Koordinimi i projekteve shkollore të ISKK me muzetë dhe qendrat tjera informuese.

  1. Rritja e impaktit publik të aktivitetit të ISKK përmes aktiviteteve informuese-sensibilizuese, shpëndarjes së produktit dhe aksesit online

Projekte aftagjatë:

  • Realizimi së paku tre filmave të tjerë dokumentarë në 3D të ciklit “Muzetë virtualë të komunizmit në Shqipëri”
  • Realizimi i një ekspozitë online të titulluar “Para dhe PAS”
  • Realizimi i një serie video-montazhesh në dy gjuhë me dëshmi të të mbijetuarve të burgjeve dhe kampeve
  • Realizimi i mëse tre performancave publike mbi këto aspekte: “Këndi i emulacionit dhe fletë rrufetë”, “Muri i të padenjëve”, “E mohoj babain tim”, etj.
  • Dixhitalizimi i botimeve të Institutit dhe mundësimi i shfrytëzimit të tyre online
  • Shpërndarja e botimeve të ISKK në të gjitha bibliotekat e vendit dhe promovimi i tyre
  • Përdorimi intensiv i rrjeteve sociale

  1. Evidentimi, ruajtja dhe njohja me trashëgiminë materiale të komunizmit në Shqipëri

Projekte aftagjatë:

  • Realizimi së paku tre filmave të tjerë dokumentarë në 3D të quajtur “Muzetë virtualë të komunizmit në Shqipëri”
  • Realizimi i një konference shkencore mbi menaxhimin e trashëgimisë materiale të komunizmit
  • Trajnimi i grupeve vullnetare të studentëve të antropologjisë mbi mbledhjen e objekteve muzealë
  • Krijimi gradual i Muzeut të Komunizmit

 

  1. Të ndihmojë në dekomunistizimin e ambjekteve publike

Projekte aftagjatë:

 

  • Realizimi i një studimi njëvjeçar mbi emërtimet e shesheve, rrugëve, ambjenteve publike
  • Bashkëpunimi me institucionet për zëvendësimin e tyre në përputhje me ligjin
  • Nxitja e debateve publike në lidhje me këtë temë

  1. Të ndihmojë në njohjen ndërkombëtare të historisë së komunizmit në Shqipëri

Projekte aftagjatë:

  • Shkëmbimi i ndërsjelltë i ekspertëve me institucionet ndërkombëtare të kujtesës
  • Pjesëmarrja në një seri konferencash ndërkombëtare
  • Shpërndarja e botimeve, produkteve pamore, materialeve prezantuese nëpër institucionet homologe të kujtesës dhe universitete
  • Bashkëpunimi me median e huaj, etj.

REKOMANDIME

Në përfundim të këtij Raporti, në përputhje me ligjin dhe të drejtën për të dhënë rekomandime në frymën e Rezolutave të Këshillit të Europës mbi disa dukuri shqetësuese, të cilat kanë treguar ndër vite tendenca agresive në rritje dhe, që në të ardhmen mund të bëhen faktorë të rrezikshëm destabilizues për shoqërinë dhe shtetin shqiptar, ISKK, si institucion i pavarur, ndjen për detyrë të vërë theksin mbi disa rekomandime për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe institucione të tjera ligjbërëse ose ligjzbatuese.

REKOMANDIM 1:

Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë masa, mundësisht urgjente, për mënjanimin e ish oficerëve të Sigurimit të shtetit, prania e të cilëve në institucionet shumë të rëndësishme, që financohen nga buxheti, ka arritur një nivel tejet të lartë, absurd e të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Me përjashtim të fare pak institucioneve në varësi të Kuvendit apo Kryeministrit, pjesa derrmuese e Institucioneve të varura e të pavaruara të shtetit as denjon t’i bindet ligjit për informimin, duke shkeluar kështu çdo të drejtë kushtetuese mbi informimin. Ne jemi të bindur se krerët e këtyre institucioneve i mbrojnë haptazi e madje me arrogancë ish oficerit e sigurimit në postet drejtuese. Kjo është e amoralshme, sepse ky kontigjent nuk e ka vendin në institucionet e shtetit tonë demokratik, qoftë edhe për “papërputhshmëri diplome”. Në mënyrë të ngjashme ka vepruar Gjermania, e cila e ka bërë fakt këtë edhe pa ligj lustracioni, por duke mos i njohur diplomat e kësaj kategorie dhe praninë e tyre në administratë. Ne e kemi shembull Gjermaninë si model i këtij rasti, siç pata rastin ta rikonfirmoj edhe njëherë mbrëmë, në ambasadën gjermane, me Dr. Ana Kaminsy-n, Drejtoreshë e Fondacionit Federal për Studimin e Dikaturave në Gjermani. Megjithatë është e mjaftueshme të kujtojmë se:

“Ish-Sigurimi i Shtetit, i MPB-së, ishte armë e specializuar e Partisë së Punës për zhvillimin e mprehtë të luftës së klasave. Ndiqte kategoritë e përcaktuara si “armike” të pushtet për shkak të origjinës së tyre, figurat e përcaktuara si krime kundër shtetit: agjitacioni e propaganda, tradhtia ndaj atdheut, formimi i organizatave kundër pushtetit, etj. Sigurimi përcaktonte personat që internoheshin dhe do dënoheshin me burgim apo me vdekje. Po ashtu përcaktonte personat që do të ekzekutoheshin në kushte lufte. Duke qenë se kjo veprimtari ushtrohej kundër grupeve të spikatur të shoqërisë, si dhe ndaj trashëgimtarëve të tyre, veprimtaria e Sigurimit është gjenocid mbi njerëzimin dhe përputhet me parimet që ka vlerësuar OKB-ja (për gjenocidin).
Ish Sigurimi i shtetit monist është trashëgimi e Diktaturës. Në vitin 1996, Asambleja e Këshillit të Europës paraqiti rezolutën 1096 lidhur me “Masat për çmontimin e trashëgimisë së vjetër totalitariste komuniste”, ku në pikën e saj të tretë do të lexoni: “Rreziqet që sjell një dështim i procesit të tranzicionit janë të shumta. Në rastin më të mirë do të shohim të vendoset oligarkia në vend të demokracisë, korrupsioni në vend të shtetit të së drejtës dhe krimi i organizuar në vend të të drejtave të njeriut”.

 

REKOMANDIM 2:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë duhet të marrë masa për propozimin e një kornize ligjore për heqjen e simboleve të komunizmit nga hapësira jonë publike (emërtime rrugësh, sheshesh e institucionesh). Të ndalohehet, gjithashtu, me ligj, simbolet komuniste në manifestimet publike (flamuj, ikona e portrete të diktatorit tok me këngët dhe filmat dokumentarë që glorifikojnë figurën e tij).

 

REKOMANDIM 3:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet qeverisë në bashkëpunim me institucionet e specializuara të ndërmarrë një rishikim rrënjësor të kurrikulave shkollore (altertekstet) në lëndët e formimit humantar për periudhën e dikataturës komuniste.
Një hap i rëndësishëm e vendimtar në këtë drejtim është hartimi dhe futja e detyrueshme në kurrikulën e klasave të nënta dhe të dymbëdhjeta e një lënde me titull “Shqipëria gjatë diktaturës komuniste 1945-1990”. Teksti të hartohet nga një grup autorësh, ekspertë për periudhën historike në fjalë dhe të ruajë karakterin informues e dokumentar.
Vetëm në këtë mënyrë të rinjtë kanë mundësi të informohen ligjërisht, sipas programit arsimor, pa qenë nevoja për ndërmarrje sporadike mësimesh e workshop-esh mbi krimet e komunizmit. Informimi rreth periudhës së komunizmit propozojmë të bëhet i mbështetur nga vullneti politik legjitim dhe këto njohuri të hyjnë në sistemin arsimor përmes “derës ballore”, e jo përmes “hyrjes së fshehtë”, në përputhje me natyrën e shoqërisë sonë të hapur e demokratike.

Drejtori Ekzekutiv

Agron TUFA

 

 

 

ISKK