Aktivitete me karakter informues, sensibilizues
“Brenda telave me gjemba” –konferencë
27.01.2016
Në kuadër të 25 vjetorit të vendosjes së demokracisë në Shqipëri dhe me rastin e nxjerrjes nga shtypi të dhjetë botimeve të reja, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit organizoi një konferencë në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar, në fokus të së cilës ishin disa nga temat ku fokusoheshin këto botime, si: vrasjet në kufi, kampet me tela dhe keqtrajtimi i të miturve në vitet 1945-1954, periudhë kjo që korrespondon edhe me kampet me tela ose internimin masiv.
Perveçse u prezantua brendia e secilit libër, ligjërues të ndryshëm, e pasuruan konferencën me përvojat e tyre ose të familjes në kampet me tela, ose në tentativat për kapërcimin e kufirit, që gjithashtu ishte i rrethuar me tela. “Pra “tela” përbënte fjalën çelës në këtë konferencë. Folësit zbuluan informacione të dobishme lidhur dhe më dëshmitarët që janë akoma gjallë dhe janë në gjendje të dëshmojnë, edhe lidhur me burime të tjera informacioni, dhe denoncuan disa nga njerëzit e nomenklaturës komuniste, përgjegjës për këto veprime mizore.