Instituti i Studimimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është institucion i pavarur i administratës publike.

Organet drejtuese të institutit janë Bordi Drejtues dhe Drejtori Ekzekutiv.

Anëtarët e Bordit Drejtues të Institutit  zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kuvendi vendos për strukturën organizative dhe klasifikimin e pagave për nëpunësit dhe punonjësit e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Instituti kryen këto detyra kryesore:

  •  studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist;
  • analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit
  • identifikon aktet ligjore dhe nënligjore, sekrete dhe josekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet, organet e autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe e funksionimit të të gjithë aparatit të sistemit komunist;
  • studion dhe vlerëson ndërtimin, organizimin institucional dhe veprimtarinë antidemokratike e kriminale të strukturave shtetërore, veçanërisht të organeve dhe të strukturave të Sigurimit të Shtetit;
  • studion dhe vlerëson veprimtarinë kriminale të Partisë Komuniste të Shqipërisë, më pas të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të organizatave të tjera, të krijuara në mbështetje të ideologjisë së saj;
  • analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumentet, që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë a të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi, si dhe të atyre, të cilët bënë rezistencë kundër këtij regjimi;
  • grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi për ndriçimin e veprimtarisë së organeve dhe të strukturave të Sigurimit së Shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të të gjitha veprimtarive, që kanë çuar në dhunimin e të drejtave  e të lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist;
  • evidenton personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit;
  • vë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave;
  • sistemon dhe boton kujtimet e të dënuarve politikë, qoftë të atyre që u burgosën, edhe  të atyre që u persekutuan në kampet e internimit;
  • përpunon, në formë elektronike, të gjithë dokumentacionin për krimet e regjimit komunist në Shqipëri;
  • publikon dhe përhap materiale të shkruara, në letër dhe në rrugë elektronike, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca e diskutime për krimet e komunizmit dhe pasojat e  tij në Shqipëri;
  • bashkëpunon me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera për shkëmbimin e informacionit e të përvojës, lidhur me objektin e punës së institutit;
  • bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen, në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve, të informacionit të mjaftueshëm për krimet e komunizmit dhe të pasojave të tij në Shqipëri;
  • bashkëpunon me institucionet homologe të huaja.