Rreth ISKK

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, është miratuar nga Parlamenti shqiptar me vendim nr. 10242, të datës 25. 2. 2010, si Institucion Publik Qendror dhe i Pavarur, që gëzon statusin e personit juridik. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera.

ISKK ka për detyrë të studiojë dhe të vlerësojë objektivisht krimet dhe dëmet e komunizmit në Shqipëri, t’i zbardhë dhe t’i dëshmojë ato në mënyrë të dokumentuar dhe të pakontestueshme. Stafi ynë përbëhet prej 15 specialistësh. Aktualisht puna jonë, përveç sensiblizimit të shoqërisë për krimet e komunizmit, është përqëndruar në dëshmitë gojore dhe materiale të të mbijetuarve nga diktatura dhe, sidomos, në punën kërkimore nëpër arkivat zyrtare.

E shkuara tragjike e Shqipërisë nën komunizëm nuk është zbardhur asnjëherë dhe nuk ekziston ndonjë distancim i prerë e ligjor lidhur me krimet e komunizmit dhe trashëgiminë komuniste. Për 20 vjet, shoqëria jonë, duke mos pasur një mbështetje të qartë nga politika shtetërore, nuk u mor ose u mor sipërfaqësisht, me rehabilitimin e shtresës së ish-të përndjekurve politikë, ndërkaq që trashëgimtarët e diktaturës fituan siguri, morën kurajë dhe fortifikuan pozicionet e tyre në politikë, ekonomi, shkencë e kulturë, duke intensifikuar kështu aksionet e tyre recidiviste. Përveç kësaj, ky vakuum bëri që një numër shumë i madh ish-bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit komunist, në vend që të përgjigjeshin për veprimet e tyre, bënë karrierë në administratën shtetërore.

Evidente është edhe çështja e dekomunistizimit të teksteve shkollore dhe akademike dhe dekomunistizimit të hapësirave publike që lidhet me simbolikën e dendur të simboleve komuniste në sheshet publike, rrugët dhe institucionet, që ende mbajnë emra persekutorësh,duke rrezikuar kështu edhe fshirjen e kujtesës historike mbi atë çka ndodhi për dekada.

Dosjet e diktaturës nuk u hapën kurrë dhe ato shfrytëzohen prej politikës së sotme si shantazhe për rekrutim të verbër. Pra, një fakt i rëndë për shoqërinë dhe politikën shqiptare është dhe dështimi i vazhdueshëm në parlament i Ligjit për Lustracionin. Si pasojë, asnjë prej veglave të regjimit komunist nuk u ndëshkua; askush nuk shqiptoi, qoftë dhe formalisht ndaj viktimave, një ndjesë të thjeshtë. Nuk pati vend për drejtësi, ndaj klasa e të persekutuarve, viktimave dhe familjeve të tyre, gjendet si më parë në komunizëm, e dhunuar, e poshtëruar dhe e diferencuar nga çdo aspekt ekonomik, politik dhe kulturor.

Së këndejmi, ne jemi i pari institucion që duhet të dëshmojmë përmes projekteve studimore përmasën e krimeve të komunizmit përgjatë 45 viteve të terrorit shtetëror.