Thirrje për prezantime për Konferencën shkencore

Thirrje për prezantime për Konferencën shkencore:

“Komunizmi dhe feminizmi: format e trajtimit të grave gjatë regjimit  komunist në Shqipëri “

 

 

Roli i gruas në komunizëm paraqitej nga propaganda e regjimit si një nga historitë më të sukseshme të tij; sipas saj, regjimi komunist bëri të mundur emancipimin e gruas.

Me rënien e regjimit komunist, u zbulua një realitet tjetër nga ai propagandës, që tregonte se gratë përjetuan një persekutim po aq të egër sa pjesa e tjetër e shoqërisë, duke përfshirë ekzekutimin, burgimin, internimin e dëbimin, dhe kufizime të lirive në forma të tjera.

Por jo vetëm kaq, pjesa tjetër e grave që nuk iu nënshtruan persekutimit ekstrem si kundërshtarë të regjimit, vuanin mungesën e privacisë dhe politika të tjera sociale të cilat ngrejnë pikëpyetje të mëdha edhe në qasjen gjinore të atij regjimi, si konservatore dhe jo liberale siç është njohur deri vonë.

 

Pikërisht për të zhvilluar një debat shkencor mbi këto çështje, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ju fton të dërgoni propozimet për prezantime për konferencën “Komunizmi dhe feminizmi: format e trajtimit të grave gjatë regjimit  komunist në Shqipëri “

        e cila do të mbahet në datat 5, 6 dhjetor 2019, në Tiranë.

 

Konferenca do të bazohet në këto tema kryesore:

 

  1. Persekutimi familjar dhe rezistenca e heshtur e grave
  2. Profile grash të persekutuara  dhe përvoja personale persekutimi
  3. Roli i grave në rezistencën anti-komuniste gjatë periudhës: 1944-1955
  4. Përdorimi i grave si mjet presioni në metodat e Sigurimit të Shtetit dhe raste të abuzimit fizik dhe psikologjik.
  5. Emancipimi dhe nevoja për fuqi punëtore në industri dhe bujqësi.
  6. Politikat shtetërore dhe privacia e grave; liria seksuale dhe aborti.
  7. Divorcet e imponuara
  8. Roli i shtetit në planifikimin familjar
  9. Dehumanizmi i figurës së nënës
  10. Përdorimi i figurës së gruas nga propaganda: në artet figurative, në letërsi, në shtyp, në postera, parrulla, etj.

 

Abstraktet duhet të përbajnë 250-300 fjalë dhe të paraqiten jo më vonë se data 13 tetor 2019, në adresën: info@iskk.gov.al

 

Pjesëmarrësit do të njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 20 tetor, 2019.