Kampi i Tepelenes

Realizimi i muzeut virtual“Kampi i internimit në Tepelenë”

Gjatë vitit 2018, sipas parashikimit, ISKK arriti të realizojë filmin e parë dokumentar mbi kampin e Tepelenës, i konceptuar në formën e një muzeu digjital me xhirimet aktuale te gjendjes se kampit në cilësinë 4K dhe me ndihmën e grafikës 3D. Filmi zgjat 10 minuta. Pas promovimit të filmit në konferencën e planifikuar të zhvillohet me 25 shkurt 2019, produkti shkarkohet në Youtube, ku bëhet i aksesueshëm për publikun e gjërë. Ndërkohë materiali u shpërndahet për përdorim organizatave partnere dhe institucioneve që i shërbejnë transparencës së epokës komuniste në shqipëri, si edhe muzeve historikë.

 

Përshkrimi i projektit:

“Muzeu virtual i Kampit të Tepelenës”, është pjesa e parë e “Muzeut Virtual të Komunizmit”, një projekt afatgjatë i ndërmarrë nga ISKK për katër vite.

Me këtë muze virtual synohet të rindërtohet historia pesëvjeçarë e ish- kampit të internimit me tela të Tepelenës, i cili ka funksionuar si i tillë gjatë periudhës 1949-1954. Sipas dëshmive, për shkak të trajtimit të keq, ushqimit të keq dhe epidemive, në këtë kamp vdiqën shumë të internuar, deri në dhjetë vetë brenda natës, kryesisht fëmijë dhe pleq. Elementë të tjerë për t’u evidentuar brenda këtij projekti, janë edhe trajtimi i dhunshëm nga komanda si edhe puna e rëndë, të cilës i nënshtroheshin të internuarit. Numri i të internuarve në këtë kamp, varion nga 3000-5000. Në mungesë të dokumentacionit mbi këtë kamp, rrëfimi do të bazohet kryesisht mbi dëshmitë e të mbijetuarve.

Qëllimi i këtij projekti është që në mungesë të dëshmive fizike, në mungesë të një kampi-muze të Tepelenës, publiku të mund të eksplorojë virtualisht këtë ngjarje, duke krijuar një ide dhe një ndjeshmëri mbi të.

Realizimi i projektit kaloi nëpër disa faza:

a. Faza përgatitore:

(Nëntor 2017- qershor 2018)

Gjatë kësaj faze, dy punonjës të ngarkuar nga Instituti, kryen punën kërkimore për të mbledhur të gjithë informacionin e nevojshëm mbi këtë ngjarje, duke filluar nga dokumentet arkivore në institucionet përkatëse, e deri tek dëshmitë e vuajtësve të mbijetuar nga ky kamp. Gjatë kësaj kohe, duke u konsultuar edhe me konsulentë, u hartua skenari i ngjarjes mbi të cilin konceptohet filmi, u përcktuan parametrat dhe kostoja e projektit. Pastaj u kalua në procesin e tenderimit të ekipit të produksionit që do të merrte përsipër produksionit.

b. Produksioni

(Qershor 2018-shtator 2018)

Pas përzgjedhjes me tender të ekipit të produksionit, u nënshkruan  kontratat e bashkëpunimit, dhe u hartua plani i veprimit. Ekipi i kontraktuar në bashkëpunim me grupin e punës të ISKK, ndoqën këtë plan pune:

– Lexuan, bënë hulumtimet, ekspertizën dhe përfunduan skicë-idenë e projektit.

– Planifikuan dhe koordinuan të gjitha aspektet e prodhimit të filmit

– Krijuan ekipin e xhirimit, duke përfshirë një drejtor dhe një ekip për të xhiruar filmin

– Detajuan buxhetin

– Organizuan kalendarin dhe vendin e filmimeve

– Mbikëqyrën gjithë ecurinë e projektit nga prodhimi në post-produksion.

Gjatë kësaj faze, një ekip produksioni shkoi edhe filmoi mbetjet materiale të kampit të Tepelenës, një aktivitet që zgjat pesë ditë. Grupi i xhirimit u shoqërua nga skenaristi dhe konsulentët, në mënyrë që të filmoheshin pamjet e duhura. Meqenëse gjurmët fizike të këtij kampi janë zhdukur pjesërisht, projekti u bazua mbi filmimin e mureve të kazermave të cilat janë akoma ekzistuese, filmimin e objekteve personale të cilat kanë vlerën e dëshmisë. Një gjeometër për tre ditë me radhë, bëri gjithë matjet e duhura të domosdoshme për arkitekturën grafike.

Pas filmimit të pamjeve reale, materialet e filmuara kaluan në dorë të arkitektit grafik, i cili e rindërtoi kampin duke përdorur këto programe: 3d reconstruction, 3d tracking, 3d modeling. Gjatë gjithë procesit të kompozimit grafik, arkitekti është konsultuar me dy të mbijetuar të këtij kampi, për detajet më të hollësishme, për materialet e përdorura dhe funksionin.

 

c. Post-produksioni

(Gusht 2018-tetor 2018)

Gjatë kësaj fazë, i gjithë materiali i filmuar dhe ai grafik, iu nënshtrua përpunimit dhe montazhit filmik, në varësi të skenarit. Pjesë e post-produksionit është edhe përkthimi i tekstit, voiceover-i dhe efektet zanore.

d. Publikimi i muzut virtual

(Tetor 2018-Nëntor 2018)

Pas post-produksionit, dhe pas promovimit të filmit me datë 25 shkurt 2019, videoja e përgatitur publikohet në faqen zyrtare të ISKK, në youtube, u niset institucioneve partnere, dhe shpërndahet në rrjetet sociale.

Një formë tjetër e publikimit të kësaj videoje, është edhe shfaqja e materialit për nxënësit nëpër shkolla, si pjesë e marrëveshjes së ISKK me Ministrinë e Arsimit, për informimin e të rinjve për historinë e komunizmit në Shqipëri.

 

Pritshmëritë e projektit

–              Shikueshmëri nga një audiencë prej 2 milionësh, brenda dhe jashtë vendit

–              Mbledhja e provave dhe dokumentave materiale, të cilat bëhen pjesë e arkivës së ISKK

–              Konferenca dhe debate publike të provokuara nga ky projekt.

 

Grupi i Punës

Luljeta Lleshanaku (skenariste); Agron Tufa (drejtues i projektit); Elton Baxhaku (kineast, bashku me ekipin e produksionit); Klit Burda (arkitekt grafik); Aziz Ndreu (i mbijetuar i Kampit të Tepelenës, konsulent); Dine Dine (i mbijetuar i Kampit të Tepelenës, konsulent).

Partnerë të projektit

Fondacioni Konrad Adenauer në Tiranë