Kultura e dhunës: mekanizmi i torturave fizike dhe psikologjike në burgjet komuniste

“Kultura e dhunës: mekanizmi i torturave fizike dhe psikologjike në burgjet komuniste”

 Luljeta LLESHANAKU

Ky është një studim i cili ka nisur dhe parashikohet të përfundojë vitin tjetër. Studimi i referohet definimit të termit “torturë” si “akt i një dhimbjeje të madhe, si pasojë e dhunës së ushtruar nga një apo disa persona që përfaqësojnë shtetin, me qëllime hetimore, ndëshkimore, ose shantazhi.”  Sipas gjithë rrëfimeve të deritanishme, përdorimi i torturës fizike nga hetuesit, është bërë vetëm me një qëllim: për të thyer fizikisht dhe si pasojë, moralisht, të hetuarit, në mënyrë që të tradhtojnë vetveten, duke i shkatërruar kështu identitetin e tyre.

Pra, studimi merr përsipër të trajtojë të gjtha format e torturës të përdorura mbi të dënuarit politikë në Shqipërinë komuniste: fizike dhe psikologjike. Në mungesë të dosjeve të hetuesisë (arkivat e Ish-Sigurimit të Shtetit), për realizimin e këtij studimi, do të bazohemi në dokumentat legale të Arkivës së Shtetit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sidomos në dëshmitë personale të viktimave, të cilat, ofrojnë fakte që përputhen midis tyre. Faktet e zbuluara, do të analizohen në kontekst me dokumentacionin zyrtar dhe legjislacionin e kohës, për të dhënë një pasqyrë të qartë të këtij fenomeni, duke evidentuar abuzimet, përgjegjësitë e klasës në pushtet dhe përgjegjësitë individuale.