Dëshmitë në formë video-regjistrimesh

Dëshmitë në formë video-regjistrimesh

Edhe gjatë vitit 2016, në grup punë i Drejtorisë së Studimeve, është angazhuar me video-regjistrimin e dëshmive të të mbijetuarve të krimeve të komunizmit. Ky projekt, prej fillimi ka qenë një nga projektet prioritare të ISKK, i nisur që në vitin 2012, dhe synon në krijimin e një video-arkive me interevista të individëve të cilët dëshmojnë përvojën e tyre në burgjet dhe kampet e internimit në komunizëm, dhe të gjitha format e persekutimit të ushtruara mbi ta dhe mbi familjet e tyre.

Përzgjedhja e të intervistuarve bëhet sipas ktij kriteri: të intervistuarit duhet të jenë vuajtës të drejtëpërdrejtë ose dëshmitarë të këtyre akteve. Lidhur me metodologjinë e marrjes së këtyre dëshmive, është ndjekur modeli i intervistave të gjata disa orëshe, pa pyetje përgatitore, duke ia lënë kështu vendin një rrëfimi të gjatë e të pasur me detaje, dhe krejt të natyrshëm. Pra, është ndjekur më tepër një qasje antroplogjike se sa statistikore, ku emrat e njerëzve, dëshmitarëve të tjerë, vendeve, koha, përbëjnë një element mjaft të rëndësishëm në riskicimin e ngjarjes, në mënyrën më të besueshme të mundshme.

Por ndërsa gatishmëria e dëshmuesve është në rritje, mundësitë logjistike për t’i ndjekur rast pas rasti, sidomos në zonat a largëta, mbetet relativisht e pamjaftueshme. Sidoqoftë, gjatë këtij viti, ne arritëm të realizojmë rreth 50 orë intervisttime.

Ashtu siç është vepruar edhe më parë, paralelisht me filmimin e intervistave, i njejti grup pune ka punuar për zbardhjen gradualisht të një pjese të tyre dhe botimin në kolanën “Zërat e kujtesës”. Aktualisht, gjatë vitit 2016, ISKK nxori nga shtypi volumin e III-të të kësaj kolane.