Muzeu Virtual

MUZEU VIRTUAL I KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI

-Cikël muzesh virtualë të burgjeve dhe kampeve në Shqipërinë komuniste

Projekt afatgjatë

Nëntor 2017-Nëntor 2021

Nëntor 2017-Nëntor 2018    (Muzeu virtual i Kampit të Tepelenës)

Nëntor 2018- Nëntor 2019  (Muzeu virtual i Burgut të Ballshit)

Përshkrimi i përgjithshëm i projektit:

“Muzeu Virtual i Komunizmit” është konceptuar si një muze virtual që ofron informacion historik mbi periudhën e komunizmit në Shqipëri për ndërgjegjësimin e publikut mbi krimet e komunizmit. Qëllimi i krijimit të këtij muzeu, është shpërndarja e këtij informacioni, duke kombinuar standardet e larta shkencore me një format zbavitës.

Ky muze konsiston në xhirimin e hapësirave aktuale të ish-burgjeve dhe kampeve kryesore politike në Shqipëri duke përdorur rezolucion 4 K, dhe grafikën 3D. Informacioni vizual që sjell ky projekt bazohet mbi gjurmët e trashëgimisë materiale të epokës komuniste, kombinuar me dokumente dhe sidomos dëshmi të të mbijetuarve në këto burgje dhe kampe. Këto xhirime do të shoqërohen me narracion, përmes të cilit vijnë faktet më domethënëse që krijojnë historikun e këtyre vendeve të vuajtjes, si edhe me elementë akustikë që krijojnë efektin emocional dhe psikologjik të ngjarjes. Kohëzgjatja e klipit për çdo burg ose kamp, është menduar të jetë deri në 10 minuta.

Ky muze virtual është një produkt dixhital që bazohet në karakteristikat e një muzeu, në mënyrë që të plotësojë, të zgjerojë njohuritë mbi këtë temë përmes personalizimit, interaksionit dhe pasurisë së përmbajtjes.

Si me një muze tradicional, ky muze virtual projektohet rreth objekteve të veçanta (të tilla si një muze arti apo një muze natyror ose historie) që janë rrënojat e vendeve të vuajtjes, objekteve personale ose publike që lidhen me këto vende, si edhe mbi faktet e sugjeruara nga viktimat që e kanë përjetuar këtë përvojë dhe dëshmitarët okularë të ngjarjeve në këto vende, për të krijuar në mënyrë imagjinare idenë dhe emocionin mbi të shkuarën komuniste.

Muzeu do të futet në internet, në mënyrë që të ketë një akses të gjërë në publik, sidomos tek të rinjtë. Klipet do të jenë të aksesuesshëm për të gjithë shikuesit në faqen zyrtare elektronike të ISKK, si edhe në youtube.

Ndërkohë faqja në të cilën do të botohet Muzeu Virtual i Komunizmit, do të vihet në lidhje me link-e të tjera insitucionesh të kujtesës, të cilat kanë një mision të ngjashëm studimi me ISKK, dhe i shërbejnë transparencës së të shkuarës komuniste.

Pse është i nevojshëm ky projekt?

Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, me qëllimin për t’u distancuar nga e shkuara komuniste, evidentimit dhe ruajtjes së trashëgimisë materiale të komunizmit në Shqipëri, iu kushtua shumë pak vëmëndje. Si pasojë, vendet e vuajtjes, ish burgjet dhe kampet e internimit, iu nënshtruan shkatërrimit të vazyhduershëm, ndërrimit të destinacionit, ose asgjesimit të plotë, duke humbur kështu, edhe një pjesë të madhe të gjurmëve fizike të komunizmit, duke e bërë gjithnjë e më të padokumentueshëm dhe të pabesueshëm gjithë atë histori 47 vjeçare. I gjithë ky proces amnezie, keq-menaxhimi, i shoqëruar edhe me një mungesë të theksuar dokumentacioni, provash zyrtare të krimeve të komunizmit, e vështirëson jashtë mase riprodhimin e periudhës komuniste.

Në këto kushte, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, me projektin e këtij muzue virtual të komunizmit, tërheq vëmendjen publike drejt dramës së asaj kohe dhe rrit ndërgjegjësimin publik dhe politik mbi trashëgiminë komuniste. Dhe nga ana tjetër, përmes filmimeve, ai përjetëson, arkivon vizalisht këto vende, dhe bashkë me ta, edhe vetë historinë e të shkuarës komuniste.

Përmbajtja e Muzeut Virtual të Komunizmit:

Gjatë katër viteve që parashikohet të zgjasë ky projekt pilot, në varësi të buxhetit të aprovuar, do të realizohen një seri filmash mini-muze virtualë, duke përdorur si tematikë ish-vendet e vuajtjes (burg, kamp me tela, kamp pune, ose vend ekzekutimi). Deri tani, në bazë të studimi të botuar nga ISKK bazuar mbi dokumentacionin  zyrtar, lista është e tillë:

a. Kampet e internimit me tela:

Kampi i Krujës, mars 1945 – shtator 1947

Kampi i Beratit, mars 1945 – maj 1949

Kampi nr.4 (më pas 6) Tepelenë, 1949 – 1953

Porto – Palermo (maj 1949 – dhjetor 1950)

Lozhan, prill – dhjetor 1949 (Maliq)

Kampi i fermës “29 nëntori” Lushnjë (1950)

Kampi i fermës “Çlirimi” Fier (1950)

Kampi nr.3 (në fund nr.5), Valias, Cërrik dhe Kamëz, 1948 – 1953

b. Burgjet:

Burgu nr.1 Peshkopi, vitet 1944 – 1950

Burgu nr.3 Burrel (ose reparti nr.321), vitet 1946 – 1991

Burgu nr.4 Shkodër (më vonë reparti 315), vitet 1944 – 1966

Burgjet nr.2 dhe nr.5 Tiranë ose Reparti nr.313, vitet 1944 – 1991

Burgu nr.7 Durrës, vitet 1945 – 1953

Burgu nr.9 Berat, vitet 1944 – 1953

Burgu nr.11 Vlorë (reparti nr.319 Vlorë), vitet 1944 – 1964

Burgu nr.13 Elbasan, vitet 1944 – 1953

Burgu nr.15 Korçë vitet 1944 – 1964

Burgu nr.17 Gjirokastrër, vitet 1944 – 1953

Burgu nr.18 Kukës, vitet 1945 – 1949

Burgu nr.20 Kavajë, vitet 1945 – 1948

Reparti nr.307 në Tepelenë, vitet 1970 – 1973

c. Kampet e punës të të burgosurve 1947 – 1990

Prill – tetor 1946, Juba, kampi i parë i punës

Stadiumi “Qemal Stafa”

Kampi i Maliqit (Korçë)

Bedeni (Kavajë)

Kampi i Lekajt në Kavajë, 1949

Vlashuk (Berat) 1948 – 1949

Kamëz (Tiranë)

Kanali “Naum Panxhi”

Kampet ku mbaheshin “monarko – fashistët” grekë, 1948 – 1958

Kampet e hekurudhës Peqin – Elbasan, (janar – shtator 1950)

Kampi i Yzberishtit

Kampi i ullishtave të Vlorës

Kampi nr.6, Rrapi i Trishit Tiranë dhe Varibop (1952 – 1953)

Kampi nr.7 Tiranë (viti 1953)

Gjendja e kampeve të punës dhe internimit

Riorganizimi i fermave shtetërore dhe puna e detyruar

Kampburgu Punëtoria Qendrore e Artizanatit 1950 – 1967

Reparti nr.301, ish kampi nr.1, nga Maliqi në Bulqizë

Reparti nr.302

Reparti nr. 303, ish kampi nr.2, nga Peqini në Spaç

Reparti nr.305, rruga nga Sukthi në Sarandë (1950 – 1991)

Reparti 307 në Valas, vitet 1973 – 1983

Reparti nr.311 (Sarandë), vitet 1958 – 1959

Reparti nr.311 Qafë – Bari

Reparti i Riedukimit nr.312, vitet 1987 – 1991

Reparti i Riedukimit nr.314 i Bardhorit Kavajë

Reparti nr.315, nga Gradishta në Lezhë, në vitet 1966 – 1983

Reparti nr.316, Fushë Arrëz, viti 1974

Reparti nr.318 (Kuçovë 1966 – 1976), (Kosovë 1976 – 1991)

Reparti i Riedukimit nr.323, Fushë – Krujë (1963 – 1967)

Reparti i Riedukimit nr.325

Reparti nr.327 Gjirokastër 1989 – 1991

Reparti nr.328 Bençë 1989 – 1991

Reparti i Riedukimit nr.387 Tropojë

Shtëpia e Pushimit Durrës

Kompleksi “Dinamo” Tiranë

Qëllimi i projektit:

Informimi dhe edukimi i publikut mbi krimet, padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, gjatë periudhës komuniste (1944-1991).

Në një kornizë më të gjërë, përmes këtij projekti, synohet të krijohet një ide e qartë mbi natyrën anti-humane të këtij regjimi dhe regjimeve totalitare në përgjithësi.

Objektivat e projektit

–              Të informojë publikun mbi burgjet dhe kampet në Shqipërinë Komuniste dhe kushtet mizore të trajtimit të viktimave

–              Të evidentojë dhe të ruajë dhe trashëgiminë materiale komuniste, si dëshmi e një epoke historike

–              Të edukojë brezat a rinj me ndjeshmëri dhe përgjegjësi historike ndaj të shkuarës dhe të sotmes

–              Të nderojë vuajtejet e njerëzve të pafajshëm, viktima të një sistemi totalitar

–              Të ndërkombëtarizojë historinë e komunizmit në Shqipëri.

Vështirësitë e projektit:

Sipas një studimi të gjendjes, vetëm një pjesë e vogël e këtyre vendeve, ekzistojnë fizikisht, qoftë edhe si gjurmë ose rrënoja. Si rezultat, vetëm një pjesë e tyre krijojnë mundësi për filmim, si fjala vjen: ish kampi i internimit me tela në Tepelenë, ish burgu i Spaçit, ish kampi i Thumanës, ish kampi i Uzinës së Superfosfatit, ish kampi i Ballshit, shesh ekzekutimi në Shpal të Mirditës, etj.

Sfida tjetër me të cilin duhet të përballemi gjatë këtij projekti është fakti që edhe këto site ekzistuese, janë aq të dëmtuara ose të transformuara në kohë, saqë kanë humbur pothuajse çdo shenjë autenticiteti. Kështuqë në këtë rast, dëshmitë, dokumentet, janë një element mëse i domosdoshëm dhe vendimtar për t’i rindërtuar virtualisht. Ndaj filmimit dhe përgatitjes virtuale i paraprin një fazë kërkimore dokumentacioni, dhe këshillimi me disa nga të mbijetuarit, të cilët ofrojnë eksperizën e duhur.

Një tjetër vështirësi në këtë projekt është edhe meanaxhimi i këtij projekti në kohë, pasi një pjesë e vendeve të lartpërmendura, edhe nëse ekzistojnë si gjurmë, rrezikojnë të zhduken se përgjithësisht janë lënë në mëshirë të komuniteteve pëkatëse, të cilët kanë fare pak njohuri ose pothuajse aspak, mbi domethënien dhe historinë e tyre vendeve.

Përparësitë e projektit:

–              Aksesi i shpejtë në publik si formë elektronike

–              Mundësitë e mëdha të teknologjisë dixhitale në hartën e shpërndarjes, lëvizshmërisë dhe personalizimit.

–              Impakti i fuqishëm vizual dhe akustik i informacionit në shqisat e audiencës

–              Krijimi i retrospektivës historike përmes mjeteve dixhitale, në mungesë të trashëgimisë reale dhe dokumentuese

Audienca e projektit:

–              Publiku shqiptar i të gjitha moshave

–              Institucionet arsimore

–              Audiencat e huaja, të cilat kanë kaluar përmes një përvojë të ngjashme në vendet e tyre

–              Qendrat studimore

–              Media shqiptare dhe e huaj të cilët shfaqin interes për historinë komuniste në Shqipëri.