Konferenca & simpoziume 2014

 

“UNË I MBIJETOVA TEPELENËS!”

Konferencë përkujtimore mbi kampet e internimit të komunizmit në Shqipëri, në përiudhën 1945-1954

Me rastin e botimit të vëllimit të tretë të “Fjalorit enciklopedik të viktimave të komunizmit”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer në Tiranë, me datë 6 nëntor, 2014, organizoi një konferencë të përbashkët me fokus: kampet e internimit në periudhën 1945-1954.

Aktiviteti, përveç të tjerash, ishte një homazh për gjithë viktimat e kampeve të internimit në Shqipërinë komuniste të kësaj periudhe, dhe që në mënyrë simbolike, u zhvillua në territorin e ish-kampit të Tepelenës, kamp i cili njihet tashmë si një nga kampet më famëkeq lidhur me trajtimin e pamëshirshëm dhe numrin e madh të viktimave.

Në këtë aktivitet ligjëruan: z. Agron Tufa, z. Thomas Schrapel, Ambasadori gjerman në Tiranë, z. Hofman, z. Aldo Bumçi, z. Romeo Gurakuqi, z.Tomorr Dosti dhe z.Lek Previzi.  Ligjëruesit e vunë theksin sidomos mbi rëndësinë e evidentimit të krimeve të komunizmit dhe urgjencën me të cilën institucionet përgjegjëse për informimin publik dhe institucionet e së drejtës, duhet të reagojnë në zbardhjen e kësaj historie, si një distancim i domosdoshëm nga e shkuara në një shoqëri demokratike.

Me këtë rast, përveç promovimit te volumit të tretë të “Fjalorit encikolpedik të viktimave të komunizmit”, të pranishmit vizituan ekspozitën e improvizuar  të  z.Lek Pervizi, me skica dhe portrete nga kampi i Tepelenës,  si të vetmet dëshmi vizuale të trashëguara nga ngjarja.