Promovime librash, 2012

26 janar 2012,

Prezantimi i librit “Rrëfim nga Ferri Komunist”, i Bedri Blloshmit

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, organizuan përurimin e librit “Rrëfim nga ferri komunist”, të autorit Bedri Blloshmi.

Autori, në këtë libër, bën ekspertizën e faktuar të krimit të ushtruar mbi dy poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, inskenimit, individëve të përfshirë në të dhe gjithë mekanizmit ideologjik që kontrollonte aktivitetin intelektual.

Paneli i diskutimit përbëhej nga: Simon Miraka, Agron Tufa, Sadik Bejko, Bujar Leskaj, Miranda Xhyzeli, Nebil Çika, Bedri Blloshmi, etj

10 mars, 2012,

Prezantimi i monografisë për Hysni Çiçon

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit organizoi përurimin e librit

“Hysni Çiço Devolliu që nuk i trembej vdekjes” i autorit Bedri Çiço. Libri eshte nje monografi për figurën e Hysni Çiços, patriot, politikan i Luftës së Dytë Botërore, anti-fashit dhe anti-komunist, luftëtar dhe një personalitet i cili ia dedikoi jetën e tij çështjes kombëtare.

18 dhjetor, 2012

Promovimi i librit «Brenga ime shqiptare» e Aldo Renato Terrusit

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në kuadër të botimeve memuaristike, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Shqipëri, organizoi prezantimin e librit me kujtime të z. Aldo Renato Terrusi «Brenga ime shqiptare».

Libri është i kompozuar në formën e një shtegëtimi në kërkim të origjinës dhe historisë së vet. “Brenga ime shqiptare” rrëfen udhëtimin e Aldos dhe të dajës së tij, Xhakomo, që kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende kërthi, kur regjimi i Enver Hoxhës ia burgosi të atin në burgun e tmerrshëm të Burrelit, ku edhe vdiq, pa mundur t’u jepte përshëndetjen e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos për të kthyer në Itali eshtrat e të atit, ndesh në të kaluarën e dhimbshme të familjes Terrusi dhe të një kombi, që edhe sot e kësaj dite, mbart të gdhendura gjurmët e rënda të diktaturës.

Përmes kujtimeve të një familjeje, risillen ngjarjet dramatike të faqes historike më të zymtë të “vendit të shqiponjave”.

Paneli: Agron Tufa, Kolec Topalli, Gëzim Peshkëpia, Aldo Renato Terrusi, dhe vetë autori.

25 maj, 2012

Përurimi i vëllimit poetik «I burgosuri vetëm koha», të Dom Gjergj Simonit

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, organizoi prezantimin e vëllimit poetik «I burgosuri vetëm koha» të Dom Gjergj Simonit, në sallën e Akademisë së Shkencave. Përzgjedhja e këtij libri për t’u prezantuar është e lidhur me jetën e autorit si i burgosur politik, si përfaqësues i një familjeje klerikësh nga më të goditurat e regjimit, por, edhe për vetë përmbajtjen dhe mesazhet që përcjellin poezitë.

Në ligjëratat e tyre folësit Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Leka Ndoja, e të tjerë, analizuan pikërisht rezistencën morale përballë regjimit komunist, e cila e ndërthurur me mjetet estetike, përben edhe boshtin e librit. Ata folën edhe për vlerën e librit si një vepër dëshmuese për krimet e regjimit komunist, por, po aq edhe frymëzuese, psikologjike, filozofike, sidomos për brezat e rinj.

A thue do t’ketë njerëz?

A u thue do t’ketë njerz që kangët e mia

Një ditë kanë për t’i këndue,

Ato që rradhë melankonija

I ka vue tis, i ka errsue,

A por ndoshta do t’heshtin në përjetësi

Si hesht i vdekuni mbrenda njaj vorri

Tuj pasë t’fundit qetësi?

Do t’ishte gja e mirë që njerzit të shofin

Atë çka nji zemër njeriut ka rrahë për të,

E mbrenda vedit ashtu të heshtun të njofin

E të thonë: tek asht njeriu, qe!

Nuk due që madhshtia të më vishet

Prej fjalëve t’atyne që thurin veç lavdata,

Po të qe kështu dhe rreshti i fundit të më hiqet

Se dhe pa ata, kenjen e njeriut e pata.

 

(marrë nga libri «I burgosuri vetëm koha»)