Masakra e Tivarit

Masakra e Tivarit 31 mars 1945 është një nga plojat më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve në mars-prill të vitit 1945, kur gjashtë kolona më rekrutë të mobilizuar shqiptarë u nisën nga Prizreni, kaluan në Kukës, Pukë, Shkodër, Tivar, Trogir, Dubrovnik etj, gjoja për në Frontin e Perëndimit, por u masakruan dhe u mbytën gjatë rrugës. Masakra e kulmoi në Tivar ku u vranë 1560 Shqiptarë nga Birgada X malazeze më 31 Mars 1945.

Kjo Masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me shtetin komunist shiptar.

Sipas dokumentëve arkivore u mobilizuan 13.323 shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi dhe u vranë rreth 3447 – 4000 vetë, nga të cilët rreth 1000 u asgjesuan nëpër Shqipëri.

Përgjatë historisë qeveritë ose despotët kanë vrarë popullin e tyre, kanë vrarë popuj të tjerë, por të lejosh një vend tjetër të vrasë popullin tënd në tokën tënde është e paprecedentë.

30 mars, 2012,

“Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”

Aktivitet përkujtimor

 Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, me rastin e 67-vjetorit të Masakrës së Tivarit, në mjediset e Ministrisë së Kulturës, organizoi konferencën “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”. Në qëndër të aktivitetit ishte librit i sapodalë nga shtypi i  z.Uran Butka, me të njejtin titull.Në libër përcillen dokumenta autentikë arkivash të Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, ditare, letra, kabllograme të dubluara me rrëfimet e të mbijetuarve nga masakra që bëri në mars-prill 1945 Armata Jugosllave, mbi 3000 partizanët e Kosovës.

Ligjeruesit komentuan momentet më të rëndësishme që evidentohen në studimin e z.Butka, fakte të panjohura më parë, ose të fshehura qëllimisht, dhe shpjeguan rëndësinë e tyre në kontekstin e analizimit të natyrës pseudo-patriotike të pushtetit komunist, në Shqipëri.

Paneli përbëhej nga: Agron Tufa, Romeo Gurakuqi, Çelo Hoxha, Kolec Topalli, Pjetër Pepa, Simon Miraka, Uran Butka,etj.