2014

“Fjalor enciklopedik i vikitimave të terrorit komunist”

 (Volumi i tretë; nga gj-h)

 Grupi i punës drejtohet nga: Çelo Hoxha

Pas botimit të pjesës së II-të të “Fjalorit enciklopedik të viktimave të terrorit komunist”, në fund të vitit 2013, një ekip i ISKK prej katër vetësh, ka filluar punën për volumin e III-të të tij, që përfshin dy gërmat pasardhëse. Ky projekt do të vazhdojë të mbështetet nga Fondacioni “Konrad Adenauer” në Tiranë, dhe pritet të dalë nga shtypi në tetor, 2014.

Në këtë vëllim, ezaurohen personat me incialet “gj” dhe “h”.

Bashkimi demokrat shqiptar; akte gjyqësore, dosjerë dhe dëshmi ”

 Leka NDOJA, Alvin SARAÇI

Me këtë studim, hapa një tjetër cikël studimesh dhe kolanë botimesh: ajo e proceseve më të njohura gjyqësore, si modele të shkeljeve flagrante të lirisë politike dhe të farsës në drejtësi. Studimi i parë ndjek konkretisht fatin e individëve të dënuar në përbërje të grupimit Bashkimit Demokrat Shqiptar, të cilët, nisur nga modeli perendimor i organizimit të institucioneve të shtetit, shfrytëzuan miratimin e ligjit për “organizimin themelimin e organizatave dhe shoqërive të ndryshme” të vitit 1946. Pasojat e themelimit dhe të regjistrimit të këtyre grupimeve si subjekte, do të ishin të papritura dhe vendimtare për fatin e vendit por sidomos për vetë krijuesit e grupimeve opozitare politike, të cilët ,kishin hartuar edhe statutet e tyre bazuar në ligjin e kohës.

Konkretisht, ky studim shqyrton dosjet dhe dëshmitë mbi Sami Beribashin, Qenan Dibrën, Ali Kavajën, Hivzi Goljen, Mahmut Mënikun, Mehmet Beshirin, Profi Çokon, Telat Drinin, Sami Sulstarovën, Musine Kokalarin, Riza Danin, etj., duke filluar që nga program i tyre politik,  deri tek proceset e gjyqësore.

Në këtë përmbledhje do të botohen për herë të parë edhe dokumenta të arkivave të huaja, tashmë pronë e Arkivës së Shtetit.

“Kultura e dhunës: mekanizmi i torturave fizike dhe psikologjike në burgjet komuniste”

 Luljeta LLESHANAKU

Ky është një studim i cili ka nisur dhe parashikohet të përfundojë vitin tjetër. Studimi i referohet definimit të termit “torturë” si “akt i një dhimbjeje të madhe, si pasojë e dhunës së ushtruar nga një apo disa persona që përfaqësojnë shtetin, me qëllime hetimore, ndëshkimore, ose shantazhi.”  Sipas gjithë rrëfimeve të deritanishme, përdorimi i torturës fizike nga hetuesit, është bërë vetëm me një qëllim: për të thyer fizikisht dhe si pasojë, moralisht, të hetuarit, në mënyrë që të tradhtojnë vetveten, duke i shkatërruar kështu identitetin e tyre.

Pra, studimi merr përsipër të trajtojë të gjtha format e torturës të përdorura mbi të dënuarit politikë në Shqipërinë komuniste: fizike dhe psikologjike. Në mungesë të dosjeve të hetuesisë (arkivat e Ish-Sigurimit të Shtetit), për realizimin e këtij studimi, do të bazohemi në dokumentat legale të Arkivës së Shtetit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sidomos në dëshmitë personale të viktimave, të cilat, ofrojnë fakte që përputhen midis tyre. Faktet e zbuluara, do të analizohen në kontekst me dokumentacionin zyrtar dhe legjislacionin e kohës, për të dhënë një pasqyrë të qartë të këtij fenomeni, duke evidentuar abuzimet, përgjegjësitë e klasës në pushtet dhe përgjegjësitë individuale.

 “Krimet e Luftës ANÇL”

 Çelo HOXHA

Për këtë studim punohet prej dy vjetësh, në mbledhjen e dokumentave zyrtare (nga arkivat shqiptare dhe të huaja), literaturës dhe dëshmive, të cilat sugjerojnë një tjetër interpretim të asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ndryshe nga version i saj zyrtar. Ky studimfinalizohet me botimin e tij.

“Komunitetet fetare në Shqipërinë komuniste”

Azem QAZIMI

Ky studim, bazohet mbi dokumente për historinë e fesë në Shqipëri gjatë periudhës së Komunizmit. Në këtë vëllim përfshihen ligje, dekretligje, njoftime e vendime të institucioneve të ndryshme shtetërore, si dhe statute të komuniteteve fetare në këtë periudhë. Qëllimi i këtij studimi është të zbardhë në mënyrë të detajuar procesin e përndjekjes së fesë nga shteti komunist dhe motivet që fshihen pas këtij procesi.

Në fillimet e tij, shteti komunist, që po afirmohej si shtet laik që nuk përzjehej në punët e fesë, u mjaftua vetëm me aprovimin e statuteve ekzistuese të komuniteteve fetare. Kështu, ai aprovoi statutin e Komunitetit Musliman Shqiptar dhe të atij Bektashian, të botuar në Fletoren Zyrtare, nr. 38, datë 16 korrik 1929 (shih vendimin e Këshillit të Ministrave të 22 dhjetorit 1945, vendimin nr. 43, datë 26 mars 1946, të përfshirë në këtë vëllim). Por katër vjet më vonë, më 26 nëntor 1949 qeveria nxorri dekretligji nr. 743 «Mbi komunitetet fetare» (aprovuar nga Kryesia e Presidiumit të Kuvendit Popullor me ligjin nr. 773, datë 16. 1. 1950 ), i cili sanksiononte njëherë e mirë ndërhyrjen e shtetit në rregullimin e brendshëm të bashkësive fetare. Nëpërmjet këtij dekretligji shteti vinte nën kontroll zgjedhjen e organeve drejtuese të tyre: klerikët e të gjitha niveleve shtrëngoheshin të dorëzonin pranë Kryeministrisë dosjet biografike vetjake. Këto dosje përgatiteshin nga nëpunësi i biografive, që u shtua si post në organikën e të gjitha komuniteteve. Ai u dërgonte rretheve modelarët tip të biografive që duhet të plotësonin.

“Ekspertiza e kurrikulave dhe alterteksteve shkollore: cikli i ulët, i mesëm dhe universitar”

 Agron TUFA, Alvin SARAÇI, Çelo HOXHA

Në kuadrin e programit afatgjatë të ISKK-së mbi dekomunistizimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore, ka nisur puna e një grupi studiuesish mbi këtë temë. Në qendër të vëmendjes do të jenë kryesisht vitet 1944-1960, 1960-1990 dhe sidomos vitet 1991-2013. Ekspertiza dhe studimi i kurrikulave dhe i alterteksteve shkollore do të përqëndrohet në trajtimin e historisë, ekonomisë dhe letërsisë në periudhën komuniste, dhe krahas saj në mënyrën e pasqyrimit të realitetit komunist në programet mësimore të hartuara dhe të fuqizuara pas vitit ’91.

Ky studim, do t’i paraprijë konferencës për dekomunistizimin e teksteve mësimore dhe simboleve komuniste, e cila parashikohet të zhvillohet në muajt në vazhim.

Një tjetër projekt i cili, do t’i paraprijë “Konferencës për dekomunistizimin e teksteve” është një pyetësor, pra, i realizuar nga një ekip i ISKK dhe bashkëpunëtorësh vullnetarë, me 800 nxënës  të ndryshëm(nga mosha 13-18 vjeç), për të testuar njohuritë e tyre mbi komunizmin në Shqipëri: çfarë kanë mësuar në shkollë mbi këtë periudhë; çfarë dinë mbi shkeljen e të drejtave të njeriut, sa e njohin në tërëi realitetin politik të asaj kohe?