2013

 “Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist”

 (Vëllimi i dytë; nga d – g)

 Drejtuesit e grupeve të punës: Azem QAZIMI, Çelo HOXHA

 Pas botimit të pjesës së parë të “Fjalorit enciklopedik të viktimave të terrorit komunist”, , vitin që shkoi, u botua pjesa e dytë e kësaj kolane enciklopedike, e përbërë prej 380 faqesh, duke ezauruar germat nga “D” në “G” nisur nga emri i viktimve. Siç e kemi qartësuar edhe në raportin e vitit të kaluar, brenda kategorisë “viktimë”, një term ky i përdorur nga të gjithë institucionet homologe në Europën Lindore, përfshihen: të pushkatuarit me gjyq dhe pa gjyq për motive politike, të burgosurit politikë, të internuarit politikë dhe të dëbuarit, pra, të gjitha format e persekutimit për motive politike. Përveç të dhënave biografike, në enciklopedi pasqyrohet edhe motivi zyrtar i dënimit, kohëzgjatja e dënimit, dhe një informacion më i zgjeruar për të dënuarit që paraqesin një kontribut të veçantë në historinë apo kulturën shqiptare.

“Genocidi mbi kulakët në Shqipërinë komuniste: 1948-1990”

 Xhaferr SADIKU

Ky studim merret me një nga aspektet më të rëndësishëm të luftës së klasave dhe krimit ekonomik në Shqipëri– atë ndaj kulakëve. Filloi si e tillë që me reformat komuniste të shpronësimit dhe riformatimit të klasave sociale dhe vazhdoi me format e përndjekjes politike deri në rënien e sistemit, në vitin 1991.

Më konkretisht, ky studim analizon përmes dokumentave, reformat dhe bazën legjitime të shpronësimit në fillimet e sundimit komunist; çfarë ndodhi në kongresin e parë të PKSH-së dhe politika e përçarjes; roli i Sigurimit të Shtetit në këtë përçarje dhe për nështrimin e kësaj shtrese; shkatërrimin e elitës ekonomike dhe politike; platformat e ndjekura nga shteti komunist kundër kulakëve; abuzimi nën “drejtësinë popullore”; skenarët e sigurimit të Shtetit kundër kulakëve dhe lufta për shkatërrimin e familjeve të cilësuara “kulake” dhe sesi ky fenomen, ishte një kopjim i metodave bolshevike si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja.